Deputetët e PS-së nga sot do t’u bashkohen ministrave në terren për kontrollin e situatës së rritjes së çmimeve.
Ata do të verifikojnë zbatimin e masave të marra nga qeveria, nëse në biznese ka rritje abuzive të çmimeve, si pasojë e luftës, si dhe për të parë nga afër nëse po zbatohen pikat e paketës së Rezistencës së Sociale. Ky është vendimi i marrë dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, në fokus të të cilit ishte zbatimi në terren i Paketës së Rezistencës Sociale, që u miratua nga qeveria pak ditë më parë, për të përballuar situatën për 3 muajt në vazhdim.
Në një prononcim për mediat nga kryesia e Kuvendit, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, foli për angazhimin e deputetëve krah ministrave për të kontrolluar respektimin e çmimeve.
“Deputetët e Grupit Parlamentar të PS-së do t’u bashkohen ministrave në punën e përditshme për të verifikuar masat e ndërmarra nga qeveria përmes grupeve të kontrollit të respektimit të çmimeve të karburanteve apo produkteve ushqimore, që të mos i lëmë hapësirë asnjë abuzuesi për të përfituar në kurriz të qytetarëve shqiptarë”, theksoi z. Balla.
Ai vuri në dukje se Grupi Parlamentar i PS-së nuk mund të jetë i përjashtuar nga një axhendë intensive kontrolli në më shumë 300 njësi administrative në të gjitha bashkitë, në mënyrë që këto masa të marra të zbatohen. “Edhe Grupi Parlamentar nuk mund të jetë i përjashtuar nga një axhendë intensive kontrolli në më shumë 300 njësi administrative në të gjitha bashkitë, në mënyrë që këto masat e marra”, deklaroi z. Balla.
Socialistët sot do të bëjnë një mocion me debat me deputetët demokratë në Kuvend, që pritet të zgjasë për gati 3 orë. Kryeministri Rama nuk do të jetë në sallë për shkak se do të jetë i pranishëm në Samitin e NATO-s në Bruksel, ku do të flitet për luftën në Ukrainë, prandaj në seancën e sotme do të jenë të angazhuar të gjithë deputetët për t’u kthyer përgjigje demokratëve.
“Nesër (sot) do të kemi në Kuvend një mocion me debat të propozuar nga Alibeaj. Kemi dakordësuar modalitetet e zhvillimit të këtij debati, një debat që do të zgjasë 3 orë. Ne duam që debatin, konsultimet, diskutimet t’i bëjmë direkt në terren me njerëzit që na kanë dhënë besimin. Ndaj, me të mbaruar seanca, gjithë deputetët e PSsë do të jenë në territor për të ndjekur implementimin e Paketës së Rezistencës Sociale”, u shpreh Balla.
Bëhet fjalë për një paketë me shtatë pika:
Derdhja e menjëhershme e 3.6 milionë lekëve për të indeksuar pensionet.
Kompensimi i çmimeve të shportës për 434 mijë përfitues.
Qeveria do të japë 3 mijë lekë të vjetër për disa kategori: Mbështetja për fermerët, me naftë pa taksa do të shkojë në 1.5 miliardë dollarë.
Mbështetja për qytetarët që përdorin linjat urbane, duke depozituar 500 milionë lekë.
Do të futet në fuqi ligji për përgjysmim e taksës për pagat mbi 500 mijë lekë të vjetër.
Rritja e pagës minimale, që në muajin prill shkon 320 mijë lekë të vjetër.
Mbrojtja e çmimit të energjisë – qeveria do të depozitojë 200 milionë dollarë.