MENU
klinika

“Bujqësia në ditë të vështirë për shkak të luftës”

Balla: Do të japim naftën falas për këdo që punon tokën

03.03.2022 - 12:17

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Taulant Balla, ka mbajtur këtë të enjte një takim me banorët e fshatit Gorre në Njësinë Administrative të Kolonjës në Lushnje.

Teksa kërkoi mbështetjen për Eriselda Sefën, kandidaden e PS-së për Lushnjen, Balla siguroi fermerët se nafta për ata që do të punojnë tokën do të jetë falas.

Sipas tij kjo do të jetë një ndihmë për sektorin e bujqësisë që është në moment të vështirë për shkak të agresionit rus në Ukrainë, i cili solli dhe rritjen e çmimit të hidrokarbureve dhe plehrave kimikë.

“Fal bujqve dhe banorëve të kësaj zone, Shqipëria dy vite më parë siguronte pjesën më të madhe të perimeve, jo nga importi, po fal punës suaj të ndershme dhe të përditshme. Edhe në këto kushte të vështira të krijuara nga agresioni rus mbi popullin e pafajshëm të Ukrainës ne po vuajmë pasojat e saj, sepse në fakt Ukraina është prodhuesi më i madh i grurit dhe plehrave kimike. Sot jemi në kushtet që fal këtij agresioni, u rrit çmimi i naftës, u rrit çmimi i gazit, u rrit çmimi i plehrave kimike. Unë pranoj çdo lloj kritike por nuk pranoj dot kritikën që çmimet në kapitalizëm i cakton qeveria. Nuk cakton qeveria çmime, ne e dimë që bujqësia për shkak të kësaj situate është në ditë të vështirë. Është rritur nafta po, por për ata që punojnë tokën do të jetë falas. Prej datës 25 shkurt kushdo që punon tokën, mjafton të shkojë te bashkia dhe të firmosë një formular, do të marrë naftën falas në varësi të kulturës që ka mbjellë”, tha Balla.

Gjithashtu Balla shtoi: “Duhet të mbështesim Eriseldën, sepse ky është modeli që ne socialistët duhet të mbështesim në promovimin e tyre. Njerëz që vijnë hap pas hapi dhe i marrin shkallët e karrierës një nga një. 16 vite eksperiencë në bashkëpunim me partnerët e huaj ku ka fituar dhe kredibilitetin. Ajo është mbështetja më e mirë për të përfaqësuar Lushnjën”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Nuk ka një forcë tjetër që ta konkurrojë PS"

Balla takim me banorët e Golemit në Lushnjë