MENU
klinika

Tre javë nga nisja e pushtimit rus

CNN rendit 5 ngjarjet e rëndësishme në Ukrainë

14.03.2022 - 17:10

Kur po bëhen pothuajse tre javë nga nisja e pushtimit rus në Ukrainë, forcat e saj po zgjerojnë ofensivën në perëndim të vendit.

Më poshtë rendisim pesë zhvillimet më të rëndësishme që ndodhën në orët e fundit:

1. Raketat ruse vrasin dhjetëra persona në qendrën e stërvitjes ushtarake pranë kufirit polak

Të paktën 35 persona u vranë dhe 134 u plagosën në një sulm me raketa ruse në bazën stërvitore ushtarake Yavoriv në Ukrainën perëndimore të dielën në mëngjes, thanë autoritetet ukrainase

Baza ndodhet rreth 40 kilometra (25 milje) në veriperëndim të Lviv dhe më pak se 20 kilometra (12.5 milje) nga kufiri polak. Është shtëpia e Qendrës Ndërkombëtare të Paqeruajtjes dhe Sigurisë, e cila pret stërvitjet ushtarake me perëndimorët.

2.Shpërthime të shumta në Kiev ndërsa forcat ruse po afrohen në kryeqytet

Të paktën dy persona vdiqën dhe tre të tjerë u shtruan në spital pasi një godinë banimi në Obolon, një periferi e kryeqytetit, Kiev, u godit nga granatat herët në mëngjes të hënën, tha Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës.

Disa shpërthime të forta u dëgjuan gjithashtu në të gjithë Kievin në orën 11 të mëngjesit me orën lokale këtë të hënë.

3.Mijëra të vdekur në Mariupol ndërsa kushtet e jetesës përkeqësohen edhe më shumë

Më shumë se 2,500 njerëz janë vrarë nga bombardimet ruse në qytetin jugor të Ukrainës, Mariupol, tha Oleksiy Arestovych, një këshilltar i Presidentit Volodymyr Zelensky.

Sipas tij situata humanitare vazhdon të përkeqësohet.

“Rusët po “fshijnë” qytetin”, tha Arestovych të hënën.

4.Protesta masive në Kherson e pushtuar nga rusët dhe akuza për tradhti në Melitopol

Qyteti strategjik Kherson në Ukrainën jugore është pushtuar nga forcat ruse që nga 3 marsi, por të dielën qindra njerëz dolën në rrugë për të protestuar kundër pushtimit.

Ditët e fundit, të paktën një zyrtar i këshillit rajonal të Khersonit paralajmëroi se forcat pushtuese po vendosnin bazat për një “Republikë Popullore të Khersonit”.

Kryetari i bashkisë Ihor Kolykhaiev tha se demonstrata ishte “një protestë paqësore për të treguar se qëndrimi i qytetarëve është se Kherson është Ukraina”.

Forcat ruse janë akuzuar për rrëmbimin e zyrtarëve lokalë ukrainas në dy qytete të tjera.

Të premten, kryetari i bashkisë së Melitopol, Ivan Fedorov, u filmua teksa largohej prej një ndërtese qeveritare në qytet nga njerëz të armatosur.

Pak kohë më vonë, prokurori rajonal i Luhansk i mbështetur nga Rusia pretendoi se Fedorov kishte kryer vepra terrorizmi dhe ishte nën hetim.

Galina Danilchenko u emërua kryetarja e re e qytetit, por prokurori i përgjithshëm i Ukrainës ka hapur një hetim pasi një grup anëtarësh të Këshillit Bashkiak të Melitopolit lëshuan një deklaratë me shkrim të dielën duke e akuzuar atë për “krimin e lartë të tradhtisë”.

Yevhen Matveyev, kryebashkiaku i Dniprorudne në rajonin e Zaporizhzhia, u rrëmbye nga trupat ruse të dielën, sipas ministrit të Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba.

5.Plan për zhvillim të bisedimeve mes SHBA-Kinë pasi Moska thuhet se i kërkon Pekinit mbështetje ushtarake në Ukrainë

Rusia i ka kërkuar Kinës mbështetje ushtarake, përfshirë edhe dronët, si dhe ndihmë ekonomike për pushtimin e saj në Ukrainë, sipas asaj që ka zbuluar CNN.

Ndihma e mundshme nga kinezët do të ishte një zhvillim i rëndësishëm. Kjo mund të përmbysë kontrollin që forcat ukrainase kanë ende në vend dhe të sigurojë një kundërpeshë ndaj sanksioneve të rënda perëndimore të vendosura ndaj ekonomisë së Rusisë.

I pyetur nga CNN, Liu Pengyu, zëdhënësi i ambasadës kineze në SHBA, tha në një deklaratë: “Nuk kam dëgjuar kurrë për këtë”.

Ambasada ruse në SHBA nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së CNN për koment.

Zyrtarët amerikanë dhe kinezë do të takohen në Romë të hënën për bisedime që ekspertët thonë se mund të kenë pasoja të gjera jo vetëm për luftën në Ukrainë, por për rolin e Kinës në botë dhe marrëdhëniet e saj me Perëndimin./Përshtati nga CNN, Panorama

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Të qëndrojë apo të largohet nga Ukraina?

“The Times”: Dilema hamletiane e Zelenskyt