Ndërsa lufta në Ukrahinë vijon, nuk reshtin as përpjekjet për zgjidhje diplomatike. Në mënyrë të veçantë, po diskutohet mbi një formulë që i referohet modelit të Austrisë.
Sikur raporton ”Corriere della Sera”, sipas këtij varianti, Vladimir Putini mund të tërhiqet nga përpjekja për të rrëzuar qeverinë e Zelenksy-t, por në këmbim, Ukrahina do të marrë përsipër të miratojë “neutralitetin e përhershëm”, duke modifikuar Kushtetutën – që, prej vitit 2019 parashikon antarësimin në NATO. Për Kievin, sigurisht, e gjithë kjo do të nënkuptonte një ndryshim drastik në procesin politik, kulturor e madje edhe psikologjik, që filloi më 2014, me kryengritjen e Maidanit dhe rrëzimin e presidentit prorus, Viktor Janukoviç.
Disa ditë para sulmit të Putinit (24 shkurti), kancelari gjerman Olaf Scholz, kishte propozuar, si përpjekjen e fundit, “finlandizimin” e Ukrahinës. Domethënë, “ngrirja” për një periudhë të gjatë, e kërkesës për anëtarësim në NATO. Në thelb një vendim politik, i kthyeshëm me kalimin e kohës. Finlanda zgjodhi barazinë midis dy blloqeve në kohën e Luftës së Ftohtë, por pa kufizime ligjore që mund të përjashtonin ndryshimet në të ardhmen. Madje, javët e fundit kryeministrja finlandeze, Sanna Marin, ka marrë pjesë në samitet e Aleancës Atlantike. Një reflektim i thellë vërehet në Helsinki: agresioni i Vladimir Putinit, ka ndryshuar kuadrin historik dhe për këtë arsye, mund të ketë ardhur koha për të braktisur statusin “politik” të një vendi neutral e për t’u bashkuar me NATO-n.
Por, rasti i Austrisë është ndryshe: neutraliteti është përfshirë në Kushtetutë, në vitin 1955. Është pjesë përbërëse e identitetit të shtetit të ri, që doli pas Luftës së Dytë Botërore.
Sipas asaj që po diskutohet në Uashington dhe mes kryeqyteteve të tjera evropiane, ky model mund të jetë një pikënisje në dialogun mes ministrave të Jashtëm rusë, Sergei Lavrov dhe atij ukrahinas, Dmytro Kuleba, parashikuar për të enjten më 10 mars, në Antalia, Turqi.
Është e qartë se ukrahinasit, tani do ta gjejnë veten në një pozitë më të pafavorshme se një muaj më parë.
Deklarata e Zelenksy-t, një ditë më parë, se është “gati për të negociuar për NATO-n, Donbasin dhe Krimenë”, duket se është pranim. Nga ana tjetër, nuk ka shumë mundësi të tjera, të paktën sa i përket diplomacisë. Më pas, ukrahinasit synojnë “aplikimin e gjerë” të “modelit të Austrisë”. Sidoqoftë, Vjena është një nga “vendet e asociuara” të NATO-s, domethënë e ftuar si vëzhguese. Por mbi të gjitha, austriakët janë anëtarë të Bashkimit Evropian që nga viti 1995. Në atë vit, tri vende neutrale të Kontinentit të Vjetër iu bashkuan BE-së: Suedia, Finlanda dhe pikërisht, Austria (Zvicra hoqi dorë më 1992, pas rezultatit negativ të një referendumi). Prandaj, “neutraliteti i përhershëm” nuk e pengoi Vjenën, të rifitonte pozicionin e natyrshëm në Kontinentin e Vjetër dhe në çdo rast, të merrte peshë në ekuilibrin politik.
Diçka e ngjashme mund të parashikohet edhe për Ukrahinën, por pa u nxituar në lidhje me kohën dhe procedurat. Megjithatë, ky skenar është i lidhur me një sërë kushtesh. Sovraniteti i plotë i Ukrahinës duhet të garantohet ndërkombëtarisht, me kufizime të pranuara edhe nga Moska. Ndërsa, Ukrahina, do të mbetet shtet sovran nëse vazhdon të mbajë kryeqytetin, territorin dhe daljen në det, me Odesën.