MENU
klinika

Dëshmitari rrëfen prapaskenat

Gjeneralët e pushkatuar, ia fshehën diktatorit!

17.03.2022 - 12:01

         “Çdo njeri e meriton një varr, pavarësisht si ka rrjedhur jeta e tij”. Të paktën në vitin e largët 1975, duket kjo ka qenë bindja e Kadri Hazbiut, ish-ministrit të Punëve të Brendshme në vitet 1954-1980, një bindje krejtësisht e ndryshme nga praktika e ndjekur deri në atë periudhë në majën e kupolës së komunistëve shqiptarë.

Më 1949 ishte pushkatuar Koçi Xoxe, ministër i Punëve të Brendshme, më 1956 ishin pushkatuar Liri Gega, anëtare e Byrosë Politike me bashkëshortin Dali Ndreu, më 1961 kishte vdekur nga torturat kundëradmirali Teme Sejko, komandanti i Flotës Luftarake Detare dhe në kuadër të hakmarrjes deri në fund, për të gjithë këta nuk pati asnjë shenjë mbi varret ku preheshin trupat.

Sot e kësaj dite, familjarët, edhe pse janë munduar, nuk kanë mundur t’u gjejnë eshtrat. Por krejt ndryshe ka ndodhur pas pushkatimit më 5 dhjetor 1975 të ministrit të Mbrojtjes, Beqir Balluku, Shefit të Shtabit të Ushtrisë, Petrit Dume dhe zv/ ministrit të Mbrojtjes, Hito Çako. Kadri Hazbiu, ministri i Brendshëm, duke ndërmarrë një risk të madh, që mund t’i kushtonte edhe jetën, me anë të njerëzve të besuar, i ka marrë kufomat e tre gjeneralëve dhe i ka fshehur në një fshat të Vlorës.

Ndërsa e gjithë skema deri në sigurimin e trupave të tyre nën dhe ka përmbajtjen e një praktike konspirative. Ndërsa njerëzit që e dinin ishin të paktë në numër, ndërkohë që dy fshatarët të cilët morën përsipër gjetjen e një vendi të përshtatshëm për varrin e gjeneralëve, u ishte thënë vetëm “kështu e kërkon Partia”. Atyre u ishte thënë se kufomat duhet të zhdukeshin, porse më parë duhet të mbaheshin disa vjet nën tokë. Po kështu, fshatarët ishin këshilluar të mbyllnin gojën dhe të mbanin gjithçka tepër sekret. Një numër faktesh që vërtetojnë se Kadri Hazbiu, me kokën e vet ka vendosur që trupat e tre ishmiqve të tij, Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako, të kenë një varr, një vend ku fare thjeshtë në rast se do të duhej, të gjendeshin eshtrat.

Sigurisht që edhe njerëz të tjerë të Sigurimit të Shtetit që mbartën deri në Vlorë trupat e tre gjeneralëve nuk do të kenë ditur më shumë se dy fshatarët. Që Kadri Hazbiu ishte një burrë i besës, pra që ndryshonte sadopak nga të tjerët, këtë e vërteton edhe një bisedë mes Enver Hoxhës e Mehmet Shehut në vitin 1954, kur krerët e komunistëve shqiptarë po vendosnin për fatin e grupit desantues të Zenel Shehut dhe Hamit Matjanit, të shtirë në pranga falë radiolojës së famshme “Liqeni i Vajkalit”. Në këtë bisedë, përmbajtja e së cilës është botuar në “Panorama” pak kohë më parë, Mehmet Shehu i thotë Enver Hoxhës: “Byroja Politike këtu duhet të ndërhyjë se Kadriu nuk është dakord që këta njerëz të ekzekutohen, sidomos për Zenel Shehun… Kadriu niset nga koncepcione shumë të gabuara, sentimentale, ndoshta dhe jo krejt sentimentale, por ngushtësisht agjenturiale, meqenëse Zenel Shehu u vu në shërbimin tonë.

Tani Kadriu preket kur dëgjon që Zenel Shehu do të dënohet me vdekje. Bile, mua më ka propozuar ta lirojmë fare dhe me gjithë drunë që i dhashë prapë pret të falet… Unë mendoj se Kadriu duhet sqaruar, ndoshta nga shoku komandant mendoj unë, se pikëpamjen time ai nuk e pranoi… Edhe në lidhje me armiqtë e tjerë, Kadriu ka raste të tilla. Në Durrës ai i dha tokën e shtetit një armiku ose automatikun. Ai nuk e ka të qartë qëndrimin që duhet mbajtur kundrejt armikut” Mjafton një informacion i tillë për të vërtetuar se Kadri Hazbiu dallonte paksa nga mendjemarrët që e rrethonin në krye të kupolës së komunistëve shqiptarë, një ndryshim që duket kishte më shumë lidhje me burrërinë në rastin e mbajtjes së fjalës së dhënë. Një burrëri që duket i ka mbajtur këmbët edhe në rastin e pushkatimit të miqve të tij, Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako, duke e detyruar të planizojë të paktën ruajtjen e trupave.

VARRI I FSHEHTË I BALLUKUT, DUMES E ÇAKOS

Më 5 dhjetor 1975, tre gjeneralët e njohur të luftës dhe të drejtimit të ushtrisë shqiptare, Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako, u pushkatuan në Linzë, në rrëzë të malit Dajt, në Tiranë. Më urdhër të Kadri Hazbiut trupat e tyre u transportuan dhe u varrosën në Vranisht të Vlorës ku iu dorëzuan dy fshatarëve. Me këta dy, që ishin të njohur, madje të besuar të tij, Kadri Hazbiu kishte biseduar më parë duke ua kërkuar këtë shërbim si një nder të madh. Njëri prej tyre, Alush Majko, intervistuar për “Panorama” nga gazetari Afrim Imaj, e ka shpjeguar në këtë formë ngjarjen: “Mund të them se ishte një telefonatë e tij nga Tirana në Vlorë dhe më pas shkova në një takim konfidencial në zyrën e ministrit të Brendshëm, ku folëm si dy miq të afërt për një punë që duhej bërë patjetër, së paku në të mirë të miqësisë së hershme.

Dëgjo Alush, më tha Kadriu. Unë të kam ty një nga miqtë më të mirë e më të besuar. Kam menduar se mund të më ndihmosh, për të realizuar një detyrë të rëndësishme. Mos e vër në diskutim, i thashë me bindjen e plotë. Pastaj Kadriu më shpjegoi për atë se çfarë duhej të bëja… Në bisedë nuk u bë fjalë fare për emrat e gjeneralëve. Madje, nuk u zu fare në gojë fjala “varrim” e “të pushkatuar”. Kadri Hazbiu më tha se disa miq do më sillnin në Vranisht një porosi të tij dhe unë duhej ta siguroja në një vend të fshehtë. Dhe këtë nuk duhej ta dinte askush. Kaq dhe asgjë më tjetër. Ai dukej i vetëpërmbajtur, po sidoqoftë, kur fliste për “porosinë” merrte një çehre tjetër në fytyrë.

Unë e garantova se do të bëja ç’ishte e mundur për ta çuar në vend fjalën e tij. Nuk kaluan pak javë pas takimit në zyrën e ministrit të Brendshëm dhe një natë mbërritën në shtëpinë time njerëzit që Kadriu i kishte dërguar për të sjellë “plaçkën”, që ma kishte besuar për t’ia ruajtur me kokë, siç thoshte ai. Sipas porosisë, qysh në pasdite gruan dhe fëmijët i çova te një i afërmi ynë, për të kaluar natën në një gosti të improvizuar. Ishte ora diku te 11:00 e natës, kur mysafirët nga Tirana mbërritën te porta me një gaz të Ministrisë së Brendshme. Ishin tre oficerë të sigurimit, që sa u njohëm e folëm për çka kishim rënë dakord me Kadriun, zbritën nga makina tre thasë të mëdhenj, duke më shpjeguar se kjo ishte plaçka që duhej të siguronim.

Më përpara kisha zgjedhur vendin, një qoshe të vdekur në krahë të kabinës elektrike, pranë oborrit të shtëpisë. I çova mysafirët aty dhe pasi u siguruam se nuk na shikonte njeri, filluam nga puna për të hapur gropën, ku do të fshihnim tre thasët e sjellë nga Tirana. Pas tri orëve punë të lodhshme mundëm t’ia dilnim mbanë. Pastaj filluam nga maskimi i zonës në mënyrë që askush mos të dyshonte për çka kishin fshehur aty…” Ndërsa në një takim të vitit 1978, Kadri Hazbiu dhe ruajtësi i varreve, këmbejnë këtë dialog: “Unë e di shoku Kadri, se kë ruaj te oborri i shtëpisë, – i thashë një moment kur ai rrinte i heshtur. Çfarë? , – pyeti ai hutueshëm. – Aty janë eshtrat e gjeneralëve të pushkatuar, i shpjegova me një ndjenjë pasigurie.

Sakaq, ai u gjallërua dhe si më vuri dorën e tij në gojë, duke shqiptuar fjalën “Mos!”, më porositi të vazhdoja të ruaja sekretin e detyrës. Çdo njeri e meriton një varr, më tha dhe si ndenjëm edhe disa çaste te kafja, u ndamë si miq të vjetër”. Më 18 korrik 2000, pas interesimit të familjarëve, eshtrat e tre gjeneralëve u gjetën dhe u zhvarrosën atje ku vetëm Alush Majkua, si dhe një tjetër bashkëfshatar i tij, e dinin. Të dy këta ishin edhe autorët e një letre drejtuar Enver Hoxhës në vitin 1982, ku e njoftonin për të vërtetën e varrimit të fshehtë, me urdhër të Kadri Hazbiut, të trupave të gjeneralëve të pushkatuar.

 

Afrim Imaj/Panorma

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit