MENU
klinika

Gjirokastër

Nis puna për rehabilitimin e venddepozitimit të mbetjeve

09.03.2022 - 11:30

Ka nisur puna për rehabilitimin e venddepozitimit të plotë të mbetjeve në Gërhot, në Gjirokastër. Punimet për venddepozitimin e mbetjeve pritet që të përfundojnë në fillim të muajit maj, para nisjes së sezonit turistik.

‘Ka nisur me prioritet puna e shpejtë për rehabilitimin e plotë të venddepozitimit të mbetjeve në Gërhot, një hapësirë me pamje apokaliptike shumë afër qytetit që ka qenë një plagë mjedisore. Në fillim të muajit maj përfundon i gjithë investimi. S’mund të nisim një sezon tjetër turistik pa mjedis të pastër, e aq më pak të kemi pamje të tilla në qytetet më të bukura të vendit tonë.’- shkruan kryeministri Rama në rrjetet sociale.

Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro ishte e pranishme në mbikqyrjen e fillimit të punimeve bashke me kryetarin e bashkisë së Gjirokastrës Flamur Golemin, theksoi se pastrimi i territorit nga mbetjet është prioritet.

‘Duhet që Gjirokastra të menaxhojë mbetjet. Kjo është vetëm faza e parë e zgjidhjes së problemit. Qytetarët duhet të edukohen dhe ti hedhin nëpër kosha dhe të ndara mbeturinat. E kemi prioritet absolutin, nuk mund të pretendojmë të zhvillojmë turizëm pa prioritetin e trajtimit të mbetjeve dhe menaxhimit të tyre. është një luftë shumë e gjatë, që po e fillojmë tani. Sot përballemi me keqmenaxhim të mbetjeve ose hiç fare menaxhim.’- u shpreh Kumbaro.