MENU
klinika

Rilindje shqiptare tej kufijve

Kur botohej SHKOPI

10.03.2022 - 23:39

          Në historinë e Rilindjes sonë Kombëtare, Athanas Tashko bëri emër të nderuar, jo vetëm si një nga organizatorët energjikë dhe veprimtarët aktivë, por dhe si publicist i talentuar, me shkrimet kombëtare që botoi në shtypin e diasporës, nëpër faqet e gazetave autoritare. si: “Drita”, “Kombi”, “Dielli”, “Liria e Shqipërisë”, “Koha”, “Rrufeja” etj.

Publicistika e tij karakterizohej nga tipare të veçanta, si për nga stili origjinal, ashtu dhe për nga fryma optimiste, tonet kritike, trajtimi realist i problemeve, konceptet demokratike dhe popullore. Ai u qëndronte besnik rrënjëve të prejardhjes fshatare, siç qe treva e Dangëllisë, e njohur për psikologjinë burrërore, kulturën e brendshme dhe zakonet fisnike, të cilat ai do t’i shfaqte në publicistikën e tij. Ai mbante në gazetat shqiptare të diasporës, rubrikën e tij “Letra nga Egjipti” ose “Letra nga Misiri”, ku ngrinte dhe trajtonte me guxim dhe profesionalizëm disa nga problemet jetike të lëvizjes kombëtare, si mbi bashkimin e shqiptarëve, mbi nevojën e të shkruarit shqip, për kualifikimin e shtypit shqiptar, luftën kundër megalidhesë, stigmatizimin e mercenarizmit etj. Ai zhvillon polemika të rrepta me kundërshtarët, madje dhe me miqtë e tij të afërt, si Sotir Kolea, Fan Noli etj. Me firmën e tij gjejmë dhe vargje të tilla si: “O Jemen i Arabisë/ Varr’ i zi i Shqipërisë/ Na përpive që të gjithë/ Se jemi katran me pisë.

Gazeta “Shkopi”: Më 10 mars, 1907 në kryeqytetin bullgar Sofje, u botua numri i parë i gazetës “Shkopi”, drejtuar nga patrioti Athanas Tashko.

Në vitin 1907 Tashkoja nxjerr gazetën “Shkopi”, të cilën e përgatiste në Kajro dhe e botonte në shtypshkronjën “Mbrothësia” të Sofjes. Ishte i pari organ satirik në historinë e gazetave shqiptare, me profil kryesisht politik. Ai u botua në gjuhën shqipe dhe greke, me një format modest prej 6 faqesh, shoqëruar me shënimin “Del kur mundet në Kajro të Misirit dhe shpërndahet pa të holla.” Drejtor i saj është Dora (pseudonim i Tashkos) dhe pjesa më e madhe e artikujve kanë autorësinë e tij, por nuk mungojnë dhe bashkëpunëtorë si Jani Vruho, Çajupi, M. Grameno etj. Që në krye “Shkopi” bën të qartë misionin që ka marrë përsipër: “Të mprojë të drejtat e kombit shqiptar”, por nga ana tjetër të fshikullojë e të godasë, të tallë e të thumbojë armiqt’ e Shqipërisë, sidomos grekët e turqit, duke mos kursyer as sulltanin”. Një vend me rëndësi zinin kritikat dhe tallja e dobësive dhe dukurive negative të shqiptarëve. “Shkopi” që në numrin e parë hapet me artikullin kushtuar dëshmorit kombëtar Spiro Jovan Kosturi, vrarë e masakruar nga shovinistët grekë. “Duke vrarë Spiron, – shkruan Dora, – janë vrarë të gjithë shqiptarët, të krishterë e myslimanë”, ndaj bën thirrje për hakmarrje dhe vigjilencë. “O burra, o shokë, – thotë, – ta ruajmë nderin e Shqipërisë e të baballarëve tanë.”

Pesha e “Shkopit” do të ngrihet më tej në numrat pasues, kur do të trajtojë problemin e gjuhës shqipe, si frymëmarrjen e patriotizmit të shqiptarëve për të cilët ata duhet të luftojnë, duke e mbrojtur nga armiqtë e kombit. Në një artikull tjetër shtron rëndësinë e alfabetit shqip dhe mbështet alfabetin e Stambollit. Akoma më e thellë dhe kurajoze është publicistika politike e Tashkos, kur vë në shënjestër armiqtë, sa të rrezikshëm e të pabesë, siç janë qarqet greke e turke që nuk ia duan të mirën shqiptarëve (“Ç’ishte Turqia? Ç’janë shqiptarët” ose “Xhuxhë-majmunët e Vllahisë”, apo “Turqit bënë sikur të vunë vetulla dhe të nxuarnë sytë” etj.)

Te “Shkopi”, një vend të posaçëm zë dhe poezia satirike, që vë në lojë dhe demaskon antishqiptarët, tradhtarët, oportunistët dhe dobësitë e veset e bashkatdhetarëve. Autori kryesor i vargjeve satirike është vetë Tashkoja, por nuk mungojnë dhe bashkëpunëtorët, midis tyre dhe A. Z. Çajupi. Vargjet e “Shkopit” janë të thjeshta dhe të kuptueshme, godasin në shenjë dhe shquhen për humorin e hollë e të mençur, në frymën e satirës popullore. A. Tashko, s’ka dyshim, është nga pionierët e parë të letërsisë humoristike e satirike shqiptare. Publicistika e tij mbetet shëmbëlltyrë dhe për gjuhën shqipe, të cilën e lëvroi për afro dy dekada. Një shqipe burimore, e natyrshme dhe e rrjedhshme, e qartë dhe e thjeshtë, por dhe me ngjyrime stilistike dhe plot shprehje popullore.

Athanas Tashkoja si njeri

Tashkoja njeri është një dimension tjetër i vlerave të tij: i thjeshtë dhe popullor, shpirtmadh, mendjehollë dhe i kthjellët, i drejtë e i ndershëm, largpamës, i qartë e i vendosur në rrugën që kish nisur, temperament i gjallë, shpesh shpërthyes dhe njeri i aksionit. Ai do të njihej e çmohej dhe si njeri zemërbardhë, i gatshëm për sakrifica për të ndihmuar të tjerët dhe me të drejtë konsiderohej si një filantrop i madh. Mjafton të kujtojmë ndihmën e pakursyer që i dha Nolit, kontributet për shkollat e Korçës, dërgimin në Korçë me shpenzimet e tij të dirigjentit italian të Bandës së Lirisë, ndihma e rregullt për arkën e kishave (Llason) të ndërtimeve publike, ndihma për shtypshkronjën “Luarasi”, pa përmendur faktin e njohur publikisht që hotelet e tij në Fajum u kthyen në vatra dhe streha falas të sa e sa patriotëve.

Ne mes të Afrikës, Athanas Tashkoja krijoi familjen e tij, një familje tipike shqiptare, për nga gjuha, zakonet, virtytet, kultura. U bë babai i gjashtë fëmijëve, të cilët jo vetëm i edukoi dhe i brumosi shqiptarisht, por përballoi dhe shpenzimet e shkollave të larta që ata kryen. Jeta dhe fati i tyre përbën një sagë të vërtetë. Djali i madh, Koço, kreu studimet në Harvard dhe u bë nga liderët e lëvizjes revolucionare në Shqipëri; Anastasi ose Arturi studioi në Vjenë dhe Harvard dhe u njoh si muzikant dhe si piktor me famë botërore; Gaqua u bë doktor i Shkencave Ekonomike në Vjenë dhe arriti të jetë një nga ministrat e nderuar të Bujqësisë në Shqipëri; Alekua studioi në Paris për Fizikë të lartë dhe u çmua si një nga pionierët e arsimit të mesëm shqiptar. Pjesë e kësaj sage, më e nderuar dhe më e famshme, do të ishte sopranoja e madhe Tefta Tashko, që u nda shpejt nga jeta, po që rrugën e saj muzikore do ta ndiqte i biri, Eno, si dirigjent, muzikolog dhe instrumentist i talentuar. Ç’mund të kërkonte e të priste tjetër një baba si Athanas Tashko nga fëmijët e tij, të cilët me jetën dhe punën e tyre të vyer nderuan jo vetëm prindërit, por edhe atdheun dhe kulturën shqiptare.

Po, atdheun, gjënë më të shtrenjtë që pati në jetë Athanas Tashko, për të cilin, sa qe gjallë i qante zemra, aq sa erdhi dy herë për ta ndihmuar në vite të vështira krizash politike dhe ekonomike (1909, 1914) dhe u kthye rishtazi në Afrikën e largët nga rrethanat e mbrapshta të kohës, për të mbyllur sytë në tetor 1915, në moshën më të bukur të burrit. Diku ai do të shkruante: “Atdhetaria ime… nuk është për interes, është detyrë njeriu, me ndjenja të njerzinjta.”

Gjithë jeta e tij në shërbim të Shqipërisë e tregoi dhe e vërtetoi këtë të vërtetë katërçipërisht. Ndaj me të drejtë Mihal Grameno do të shkruante: “Historia kombëtare do ta ketë në faqet e saj Athanas Tashkon duke zbukuruar shtyllat e saj me veprat dhe patriotizmin e tij.” 150-vjetori i lindjes së Athanas Tashkos është rasti më i mirë për ta kujtuar e nderuar me mirënjohje të thellë këtë figurë, mendimet dhe veprimtaria e gjithanshme e të cilit sjellin në kohën tonë vetëm dritë besimi dhe optimizmi për Shqipërinë dhe shqiptarët.

”Bir i bekuar i Shqipërisë”. Kështu do ta quante Fan Noli, Athanas Tashkon dhe për ta bërë më tokësor e cilësoi “Shok i kryqëzatës kombëtare”, një vlerësim ky që përmbledh e mishëron gjithë meritat dhe kontributet e tij të shquara në luftën për kauzën e lirisë së Shqipërisë.

 

Në fotografinë kryesore (si dhe e parafundit): Athanas Tashko dhe Eleni Zografi-Tashko, prindërit e këngëtares dhe sopranos së shquar shqiptare, Tefta Tashko-Koço – Korçë, 1898