MENU
klinika

Flet për La Republica

Kurti: Tentakulat e Putinit janë shtrirë në Ballkan

21.03.2022 - 13:40

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për rrezikun e Vladimir Putin në Ballkan. “Tentakulat e tij janë shtrirë edhe në Ballkan”, ka thënë kryeministri i Kosovës në një intervistë për gazetën italiane La Republica.

Për Kurtin rajoni është shumë i rrezikuar pas situatës së krijuar nga lufta në Ukrainë. Sipas tij, Aleksandër Vuçiç është “një kukull e Kremlinit” që sundon një vend që “imiton Rusinë edhe pse nuk është”. Kurti thekson se Putin po përpiqet për të destabilizuar Ballkanin duke “përsëritur modelin” pasi shumë tentakula të Putinit janë të forta në disa vende të Ballkanit Perëndimor.

“Ne e dënuam menjëherë pushtimin rus. Ai na tronditi, por nuk ishte i befasishëm për ne. Ne e pamë atë të vinte me një ngritje ushtarake. Putin nuk dëshiron të ulet për të negociuar me Zelensky, ai dëshiron ta bëjë atë me Biden. Ai dëshiron një Jaltë të re. Ai ndihet si Stalini dhe sheh Roosevelt-in e tij në Biden, por ai nuk dëshiron Churchillin nëpër  këmbë.

Ai dëshiron të rishkruajë historinë dhe mendon se është në lartësinë për ta bërë këtë. Lufta në Ukrainë, ku ai nuk po arrin rezultate të mëdha, nuk do t’i mjaftojë: ai do të duhet ta zgjerojë atë nëse dëshiron të merret me Biden-in. Kjo është arsyeja pse ne jemi të shqetësuar: Ballkani Perëndimor është një rajon që ai mund të përpiqet ta bëjë këtë. Dhe ai mund ta përdorë armë kimike siç ka bërë tashmë në Siri”, ka thënë Kurti.

Pjesë nga intervista:

Serbia nuk ju njeh dhe sigurisht nuk do të anëtarësohej në NATO

Serbia dëshiron paratë evropiane dhe armët ruse. Dhe gazin rus, të cilin e merr me një çmim të volitshëm, por në fakt shumë të shtrenjtë: të jetë kukulla e Kremlinit. Vitin e kaluar Kosova mori pjesë me 350 ushtarë në stërvitjen më të madhe të NATO-s, ‘Defender Europe 2021’. Serbia në vend të kësaj mori pjesë me Rusinë dhe Bjellorusinë në “mburojën sllave”. Ata kanë këto mite mesjetare, pansllave dhe shumë të errëta.

Ata ju akuzojnë se e trajtoni pakicën serbe ashtu siç i trajtojnë ukrainasit pro-rusët në Donbass. Presidentit Putin i pëlqen të mistifikojë ndërhyrjen e NATO-s për të justifikuar hegjemoninë ruse. Ne kishim zgjedhje në Kosovë dhe një referendum gjatë okupimit serb, por referendumet në Krime dhe Donbass ishin shumë të ndryshme: kutitë e votimit ishin në duart e ushtarëve rus të armatosur. Pastaj ishte OKB-ja dhe Gjykata Ndërkombëtare e bëri të qartë se pavarësia e Kosovës nuk shkel të drejtën ndërkombëtare.

Çfarë do të ndodhë tani?

Ka elementë që mund të na bëjnë të parashikojmë të ardhmen. Serbët shpenzojnë 2.9% të PBB-së në forcat e armatosura dhe kanë rritur buxhetin e tyre me 70% nga 2015 në 2021. Rritja ka shtyrë Kroacinë të shpenzojë një miliard dollarë në avionë luftarakë. Serbia ka 40 Mig, 8 “të dhuruar” nga Bjellorusia dhe 6 nga Rusia. Ka 30 tanke T72 dhe 30 automjete të tjera të blinduara, dhe sistemin rus të mbrojtjes ajrore. Në vitin 2012, para Vuçiç, kishte dy programe të përbashkëta ushtarake midis Rusisë dhe Serbisë. Në vitin 2016 ishin 50, vitin e kaluar 100. Qendra e Sputnik në Ballkan është në Beograd dhe 160 kilometra nga Prishtina është “Qendra Humanitare” ruse: ato janë zemra e luftës hibride në Ballkanin Perëndimor. Dhe siç e kemi parë nuk është një zëvendësim i luftës: është përgatitja e saj.

A keni frikë nga një Ukrainë e re këtu?

Vuçiç ka takuar Putinin 19 herë. I fundit, më 25 nëntor ku i foli atij për “standard të dyfishtë” dhe “hipokrizi ndërkombëtare” dhe i tregoi në hartë Kosovën veriore. Gazprom ka 56% të industrisë së naftës serbe dhe ka 51% të njësisë së madhe të magazinimit në Vojvodinë. Lukoil, Hekurudhat Ruse, Vtb bank, Rosatom, Roscosmos dhe Sberbank janë të gjitha atje: është hardueri i pranisë ruse në Serbi. Dhe Vuç iç është softueri”.

Ju jeni një lider nacionalist. Nacionalistët e UÇK-së po gjykohen në Hagë si terroristë.

Ata bënë luftë të fortë me Serbinë, ne patëm dy mijë dëshmorë. Është e pabesueshme të kesh politikanë të lartë të Kosovës në burg që luftojnë për liri, ndërsa Vuçiç, ish-ministër i Millosheviçi, flirton me Putinin. Është një nga paradokset evropiane.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN