MENU
klinika

Ylli Pata

Kush i nxorri shqiptarët në protesta?!

11.03.2022 - 19:57

Natyrisht që përgjigja e kësaj pyetje është krejt e thjeshtë. Çdo protestë vjen, ushqehet dhe nxitet nga vendimet e qeverisë. Nuk ka qenë vetëm sot por në të gjithë historinë e njerëzimit.

Zemërimi i njerëzve, qoftë pak, qoftë shumë, qoftë edhe më shumë sido që të jetë mer shkas nga qeveria, pushtetarët, të pushtetshmit, që me vendimet e tyre ndikojnë jetën e tyre të përditshme.

Edhe në protestat e këtyre ditëve është qeveria protagonist, që me logjikën për të mos ndërhyrë, pastaj për të diskutuar, e që çoi në uljen e çmimit pas një çmenduri të së enjtes.

Protestat marrin nxitje apo përshkallëzim, edhe nga reagimi që bën pushteti, nëse këto reagime do të jenë gafa apo arrogancë, natyrisht që do të ketë reagim të fortë, por nëse pushteti do të përdorë dhunë, atëherë protesta vdes dhe nis të mbillet revolta e armiqësia mes qytetarëve dhe qeverisë. Siç ka ndodhur në të shkuarën xhanëm, kur përpara selisë së qeverisë të rrethuar me gardh, është respektuar “rregullorja e gardhit” e janë vrarë 4 qytetarë, pjesëmarrës në protestë.

Pra nuk ka dyshim që sot njerëzit që dalin në protestë nuk e duan qeverinë, nuk e pëlqejnë Edi Ramën, duan ta rrëzojnë atë, madje sa më shpejt.

Kjo është realisht opozita, kjo është realisht ajo që në antikitet quhet “Agora” e sot quhet “revolucion”, por lënë anash terminologjinë ku do të hasësh shumë filozofë rezistencash, edhe pse nuk kanë bërë asnjë rezistencë por kanë pasur vetëm asistencë, në thelb, reagimi, protesta është e qartë që sjell kundërshtarët më të thekur të një qeverie. Edhe protestat e këtyre ditëve, nuk ka asnjë dilemë që janë shesh i atyre që janë mërzitur me qeverisjen e gjatë të PS-së dhe Edi Ramës, janë të frustruar, e duhet të krijojnë kushtet, gjasat, mudnësitë për të sjellë një ndryshim politik në vend.

Krejtësisht legjitime, krejtësisht dialektike, krejtësisht demokratike, e madje Perëndimore. Por çndodh tek ne? Përveç “sulmit mik” për xhelozi e zili për atë se kush është organizatori dhe pse nuk i takon atij, pra një përplasje mes palëve që hiqen si organizatorë, ka edhe një zhvillim edhe më të çuditshëm. Që nuk është i tillë, madje këtu është thelbi. E këtu realisht bëhet një dallim se ku “fle lepuri”. Mjafton të shikohet faqja në Facebook e ambasadës amerikane në Tiranë.

Para pak kohësh, është postuar një zhvilllim që nuk ka lidhje me politikën. Krejt uhstarak dhe operacional në lidhje me ngritjen e Shtabit të Përgjithshëm të Trupave Speciale të NATO-s në Shqipëri.

Ja teksti i njoftimit të ambasadës amerikane në Shqipëri: “Gjeneral Majori amerikan David Tabor, Komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Europë, u takua sot me Komandantin e Forcave Tokësore Shqiptare, Gjeneral Brigade Arben Kingji në Zall-Herr. Ata diskutuan mundësitë e ardhshme të trajnimit ushtarak në rajon të cilat tregojnë marrëdhëniet tona të forta dypalëshe dhe ndoqën komandot e Forcave të Operacioneve Speciale Shqiptare teksa kryen një provë taktike për të shfaqur aftësitë e tyre”.

E, pikërisht edhe në këtë postim, siç ndodh në të tjerat me radhë, njerëz që identifikohen si përfaqësues të foltores mërziten me shpeshtësinë që postimet e SHBA i dalin në telefon. Pasi kanë marrë si detyrë që të ndjekin e komentojnë. Ca shajnë e fyejnë pa asnjë kufi, të tjerë ankohen se po ja kalojnë edhe Edi Ramës.

“Esht bo ambasada amerikane si selia ps sa here behen protesta nxjerin 20 statuse ne dite ne fb yttttt kolere”, thotë njëri që natyrisht është jo vetëm përkrahës i foltores por edhe i protestave për naftën. Siç natyrisht ka edhe të tjerë që siç kanë dalë në media, nuk kanë lidhje me vështirësitë e tyre ekonomike për naftën. Megjithatë protesta është e drejta e gjithkuj, edhe atij që s’ka makinë, edhe atij që atë e ka 200 mijë euroshe,

Po ç’lidhje kanë protestat në oborrin e SHBA me naftën e çmimin e naftës? Asnjë! Ata kanë lidhje thjesht me një logjikë në kokën e Sali Berishës që synon vetëm një shënjestër dhe armik, që nuk është as Edi Rama e as Lulzim Basha.

E këtu është përqendruar protesta e fortë, që natyrisht vjen paralel me njerëzit e tij që dalin në televizione, që janë të njohur si pjesë të dhunës së 8 janarit. E pikërisht, në këtë rast, kjo protestë, pra tek oborri virtual-zyrtar i SHBA, nuk ka asnjë lidhje as me çmimin e naftës, e as me qeverinë shqiptare. Janë gjëra krejt të ndryshme…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN