MENU
klinika

Dosja "Tepër sekret''

Letra e dytë e Mehmetit, për fejesën e të birit…

24.03.2022 - 12:44

        Publikohen dokumentet nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale arkivore të cilat mbajnë siglën ‘Tepër sekret’, të cilat i përkasin periudhës së viteve 1981-1982, me raporte, relacione, dëshmi, informacione, proçes-verbale të mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, etj., duke filluar nga ajo që u mbajt për të shqyrtuar dhe analizuar autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981, për shkak se kishte lejuar fejesën e djalit të tij, Skënderit, “me një vajzë e cila në rrethin e saj familjar kishte disa të arratisur politikë”, mbledhja maratonë e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit të tij viti që vazhdoi deri në orët e vona të asaj nate, ku u shqyrtua ai problem me debatet dhe diskutimet e të gjithëve anëtarëve që “kryqëzuan” ish-kryeministrin Shehu, mbledhja e paradites së 18 dhjetorit.

Nga: Dashnor Kaloçi

Pas lajmit se kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten, mbledhja maratonë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e datës 20 shtator të vitit 1982, me temë: “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, ku Enver Hoxha nisi fillimisht akuzat ndaj Kadri Hazbiut, duke e joshur atë si “besnik i Partisë”, (në mënyrë që ai “t’ja hapte zëmrën Partisë”, duke folur kundër ish-kryeministrit Mehmet Shehu), ku që në fillim të fjalës së tij, Enveri u shpreh: “Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe Kiço Ngjelës me shokë. Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit.

Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë, nuk e zbuloi Sigurimi, por ajo punë armiqësore u zbulua nga ana e Komitetit Qendror”, etj.! Të gjitha këto dhe të tjera dokumente me siglën ‘Tepër sekret’, do të publikohen në disa numra me radhë.

Dokumenti ‘Tepër sekret’ me korrespodencën ndërmjet Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut në datat 19 dhe 28 tetor të vitit 1981, pas autokritikës së ish-kryeministrit Mehmet Shehu, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me fejesën e djalit të tij, Skënderit, me “një vajzë me përbërje shumë të keqe politike”!

Tepër sekret

“Projekt-autokritikë” (“Autokritika e parë”) që Mehmet Shehu i ka dërguar shokut Enver Hoxha dhe “Autokritika” (Variant i dytë) drejtuar shokut Enver Hoxha dhe shokëve të Byrosë Politike të Komitetit Qendror si dhe proces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, datë 17 – 18 dhjetor 1981: Për analizën e gabimit të rëndë të kryer nga ish-anëtari i Byrosë Politike, Mehmet Shehu, lidhur me fejesën e djalit me një vajzë me përbërje shumë të keqe politike.

Dokumenti arkivor me letrën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu, dërguar sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Simon Stefani, ku e vë në dijeni se po i dërgon autokritikën që ka bërë në lidhje me gabimin për fejesën e djalit të tij, Skënderit, me vajzën e prof. Qazim Turdiut

Shoku Simon,

Siç bisedova dje edhe me shokun Enver, po të dërgoj autokritikën time (në dy kopje) për gabimin e rëndë që kam bërë këto muajt e fundit, në kuadrin e mësimeve të Partisë mbi luftën e klasave.

Më fal që nuk erdha dot vetë për të ta dorëzuar autokritikën, sepse sot po qëndroj në regjim shtrati (marrje mendsh e dhembje koke). Por do të kalojë.

Përshëndetje shoqërore

Tiranë, më 12 Nëntor 1981 Mehmet Shehu

Dokumenti arkivor me letrën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, ku ndodhet autokritika e tij në lidhje me gabimin që kishte bërë për fejesën e djalit të dytë, Skënderit, me vajzën e prof. Qazim Turdiut

I dashur shoku Enver,

Të dashur shokë të Byrosë Politike

Si anëtar partie dhe si anëtar i Byrosë Politike, e ndjej për detyre që, megjithëse tashmë shumë nga ju jeni në dijeni për një gabim të rëndë që unë kam bërë këto muajt e fundit, të them diçka qysh në fillim rreth thelbit të tij e mbi rrethanat se si rashë unë në atë gabim dhe pastaj të analizojë shkaqet e të bëj autokritikë para jush për gabimin që bëra.

Gjatë gjithë jetës sime si komunist, unë jam përpjekur që t’a zbatoj gjithmonë drejt vijën e Partisë, në të gjitha fushat e saj, që ta zhvilloj edhe luftën e klasave sipas mësimeve të Partisë sonë, të marksizëm-leninizmit dhe jam munduar për të qenë kurdoherë konsekuent në zhvillimi drejt të luftës së klasave, kundër të gjithë armiqve, të brendshëm e të jashtëm.

Por këto kohët e fundit unë bëra një gabim të rëndë pikërisht në kuadrin e luftës së klasave. Është fjala për dhënien e aprovimit, nga unë, djalit tim të mesëm, Skënderit, për fejesën me vajzën e profesor Qazim Turdiut, i cili ka një rreth familjar të gjerë me përbërje politiko-shoqërore armiqësore, krejtësisht të papërshtatshme për t’u bërë fejesa e djalit tim me vajzën e tij.

Në verën e këtij viti, kur djali më parashtroi për herë të parë propozimin për njohjen e tij të afërt me vajzën e Qazim Turdiut, me qëllim të mëtejshëm për fejesë, ai më informoi drejt edhe mbi rrethin familjar armiqësor të Qazim Turdiut, për aq sa ai dinte në atë kohë. Pastaj unë mora edhe informata nga organet e Sigurimit (nga shoku Feçor Shehu), informata të cilat puqeshin me ato që më kishte dhënë edhe djali.

Sipas atyre informative rezultonte se vetë Qazim Turdiu është profesor matematike në Universitet, ka qenë dërguar për specializim nga ne në Bashkimin Sovjetik, ka qenë dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri”, e shoqja e tij punon se nëpunëse llogarie në Kombinatin e Autotraktorëve, një djalë që ka, vazhdon studimet në Universitet, po ashtu vazhdon studimet në Universitet edhe vajza, e cila është edhe pjesëtare e skuadrës së volejbollit për femra të klubit “Dinamo” dhe si e tillë, ka dalë shpesh edhe jashtë shtetit.

Qazim Turdiu, më tha djali, ka disa vëllezër këtu, si arsimtar, pensionist etj., por ka edhe dy vëllezër të arratisur, njërin që është arratisur qysh gjatë Luftës në SHBA-ës, ku vazhdon të zhvillojë veprimtari armiqësore kundër vendit tonë socialist dhe një tjetër e ka në Jugosllavi, kur qe dërguar për studime nga ne, menjëherë pas çlirimit dhe ndeji atje në vitin 1948, kur u prishën marrëdhëniet midis vendit tonë dhe Jugosllavisë.

Djali më tha, gjithashtu, se e ëma e vajzës është nga Pipajt e Shkodrës dhe pastaj më vonë, doli që nga këta Pipajt, ishte kushëriri i parës i së ëmës së vajzës, Arshi Pipa, që është arratisur në SHBA-ës bashkë me të motrën, ku zhvillon veprimtari armiqësore kundër nesh dhe ajo (e ëma e vajzës), paska pasur edhe një kushëri tjetër të arratisur prej nesh, për veprimtari armiqësore që është vrarë duke tentuar që të arratisej, etj.

Mbi bazën e informatave që disponoja në atë kohë, e shqyrtova çështjen me Fiqretin. Fiqrteti lëkundej, hezitonte, por më në fund, unë thashë që ta pranonim propozimin e djalit duke u nisur nga disa konsideracione të cilat do të mundohem që t’i shpjegoj më poshtë, konsideracione që atëhere në ato momente m’u dukën të drejta, por që në fakt, siç m’u bë e qartë më vonë, ishin krejtësisht të gabuara dhe të atilla që më çuan në gabimin e rëndë, për të cilin po bëj këtë autokritikë.

Pra, megjithëse edhe djali ka faj për propozimin që bëri, edhe Fiqreti ka pjesën e vet të fajit, përgjegjësinë kryesore për këtë vendim të gabuar që u morr në këtë rast, e kam unë. Sepse kuptohet, po të mos e kisha dhënë unë aprovimin për kontakte njohjeje të afërt të djalit me vajzën e Qazim Turdiut, fejesa nuk do të qe bërë.

Dhe tashti, kur e shoh çështjen thellë, më bëhet e qartë të them, pavarësisht nga informata që morra për familjen e Qazim Turdiut dhe pavarësisht nga ajo që m’u tha se familja e ngushtë e tij nuk mban lidhje me farefisin e arratisur, pavarësisht të gjitha këtyreve, dhe aq informacion që kisha në fillim, nga vetë djali, ato të dhëna ishin të mjaftueshme për t’u refuzuar fejesa nga ana ime menjëherë dhe në mënyrë kategorike.

Kështu do të kisha vepruar sikur propozimi të më qe bërë qoftë nga njëri nga dy djemtë e tjerë (po të ishin të pamartuar), qoftë nga vëllezërit për djemtë e tyre, ose dhe nga kushdo tjetër qoftë. Por, në rastin e djalit tim të dytë, Skënderit, e dhashë pëlqimin për fejesë, duke u nisur nga mendime e konsideracione të gabuara, siç do mundohem ta shpjegoj më poshtë, kur të flas për arsyet dhe shkaqet që më çuan në atë gabim të rëndë, duke parë tash çështjen në dritën e kritikës së drejtë dhe të ndihmës shoqërore që më ka dhënë disa herë me radhë, në këtë rast, shoku Enver.

Sapo e morri vesh shoku Enver, se fejesa e Skënderit ishte bërë me vajzën e një familje të tillë, me një rreth armiqësor të gjerë, më thirri dhe më vuri në dukje gabimin, duke argumentuar çështjen nga ana politike dhe ideologjike, shtruar dhe shoqërisht, e më tha se gabimi duhej ndrequr, se ndryshe dëmtohet vija e Partisë. Në atë rast, unë e mblodha veten menjëherë, e kuptova se kisha gabuar rëndë, dhe i thashë shokut Enver se gabimi do të ndreqej dhe fejesa do të prishej patjetër.

Po këtë qëndrim mbajti dhe Fiqreti, menjëherë porsa e njoftova, po ashtu dhe të dy djemtë e tjerë dhe bashkëshortet e tyre. Çështjen ja shtrova gjerë e gjatë edhe Skënderit, i cili reagoi drejt, pranoi menjëherë që të prishte fejesën dhe ajo u prish që të nesërmen që biseduam çështjen me të.

Përse e bërë unë këtë gabim, ç’më bëri mua që të jepja pëlqimin për fejesën e djalit tim me një vajzë nga një rreth i atillë, të bija në një gabim të tillë, që është në kundërshtim me parimet e luftës së klasave të Partisë dhe në kundërshtim edhe me vetë traditat revolucionare të familjes sime?

Mendoj se shkaqet që më çuan në atë gabim të rëndë, përbëhen nga disa faktorë të ndryshëm, që lidhen edhe me disa element negativë të vetë karakterit tim, që në raste të veçanta, shfaqen edhe gjatë punës e jetës sime.

Këta element negativë në karakterin tim, të marrë në përgjithësi, nuk kanë lindur sot, nuk janë shfaqur në vitet dhe në kohët e fundit, ata si të thuash, kanë qenë prezent vazhdimisht, gjatë gjithë jetës sime, si njeri dhe si komunist, gjatë së cilës unë edhe i kam luftuar ato element negativë, por, siç duket, kjo luftë nuk ka qenë as intensive dhe as efektive, e në shkallën e duhur, sa t’i shkul e t’i zhduk ato krejtësisht.

Si rezultat i luftës që kam bërë, natyrisht përmirësime kam pasur në këtë drejtim, por jo gjer në shkallën sa që këta elementë të karakterit tim, të jenë zhdukur plotësisht. Por unë ju siguroj, se ky fakt, nuk më hedh në pesimizëm, nuk më bën që të kapitulloj para tyre dhe të heq dorë nga lufta për zhdukjen e plotë të tyre.

Përmirësimet e pjesshme që kam pasur në luftën kundër tyre gjatë jetës sime, më japin bindje dhe shpresë se kam mundësi dhe forcë për ta intensifikuar këtë luftë dhe për të fituar përfundimisht kundrejt këtyre elementëve negativë dhe kjo bëhet dhe është bërë me ndihmën e shokëve.

Unë kam bindjen e plotë se gabimi që bëra kohët e fundit në kuadrin e luftës së klasave në lidhje me fejesën e djalit, më vlejti si një “shok i fortë”, (si një shkundje e fortë mendore, psikologjike dhe praktike), për të bërë kthesën rrënjësore në jetën time, si revolucionar për zhdukjen e atyre elementëve negativë që vërehen akoma në karakterin tim.

Faktorët kryesorë dhe elementët negative në karakterin tim që ndikuan për të më çuar në gabimin për të cilin po flas, por që në raste e në rrethana të veçanta, po nuk u luftuan e po nuk u çrrënjosën, mund të më çojnë edhe në gabime të tjera, të cilat mendoj se janë:

Sentimentalizmi i theksuar, i tepruar, jashtë logjikës komuniste, për djalin tim të dytë, Skënderin. Dihet se kushdo ka sentimentalizmin e vet për fëmijët e tij, si dhe për shokët e miqtë e tij. Kjo është një ndjenjë e drejtë njerëzore, përderisa mbetet brenda caqeve të interesit të përgjithshëm të shoqërisë dhe nuk i kapërcen këto caqe, e të kalojë në dëm të interesit të përgjithshëm.Por kjo ndjenjë, siç ma ka vënë në dukje shoku Enver, duhet zbatuar dhe duhet të veprojë brenda logjikës së drejtë marksiste, brenda kufirit të interesave të Partisë, duhet zbatuar “me tru në kokë”, d.m.th., me tru revolucionari dhe jo me trurin e logjikën e mikroborgjezit, sepse siç na mëson shoku Enver, për ne marksistët, sentimentalizmi ka dy anë: atë të ndjenjave njerëzore, d.m.th., të zemrës, por, edhe atë të logjikës marksiste, të të menduarit si revolucionar që niset në radhë të parë e mbi të gjitha, nga interesi i përgjithshëm i shoqërisë. Ndërsa në rastin tim, në rastin e dhënies së aprovimit të djalit tim, për të hyrë në kontakt të afërt, me qëllim të mëtejshëm fejese, me një vajzë nga një familje me rreth armiqësor, pre-valoi, e mbisundoi, aspekti i parë i sentimentalizmit, ai i ndjenjave (i zëmrës), mbi atë të logjikës (të trurit). Memorie.al