MENU
klinika

Olga, nëna heroinë!

Mjeke dhe nënë e 12 fëmijëve, jep jetën në front: “Na ktheni trupin”

17.03.2022 - 19:19

         Historia e Olga Semidyanova, mjeke dhe nënë e 12 fëmijëve, 6 prej të cilëve janë birësuar: ajo vdiq në moshën 48 vjeçare në frontin e Ukrainës midis rajoneve Donetsk dhe Zaporizhzhya, ku po luftonte kundër rusëve. Apeli i familjes: “Na ktheni trupin”.

“Ukraina do të falë, por nuk do të harrojë, ukrainasit do të kujtojnë të gjithë ata që  kanë rënë në luftë.” Kështu përfundon mesazhi i publikuar në ‘Facebook’ nga Oleksandra, me të cilin njoftoi vdekjen e nënës së saj, Olga Semidyanova, historia e së cilës ka bërë xhiron e botës.

Olga ishte 48 vjeç dhe kishte 12 fëmijë, 6 fëmijët biologjikë dhe 6 të birësuar nga një jetimore. Ajo ishte mjeke dhe u bë pjesë e mbrojtjes kundër rusëve, midis rajoneve Donetsk dhe Zaporizhzhya, ku qëndroi për të ndihmuar të plagosurit. Për këtë gjest, ajo u quajt  “nëna heroinë”.

Olga do të kishte vdekur më 3 mars, por vetëm dje lajmi u dha nga shtypi vendas, nga “Ukraisnka Pravda” te “The Kyiv Indipendent”, dhe u raportua nga mediat ndërkombëtare, përfshirë agjencinë e lajmeve ANSA.

Por, familja ende nuk ka mundur ta varrosë trupin. “Ne e dimë se ku është vrarë nëna ime, në cilat fshatra, por nuk dimë kujt t’i drejtohemi për ta marrë trupin, nuk e dimë as në çfarë gjendje është, nëse është varrosur atje, apo është dërguar në ndonjë fshat”, – tha një nga vajzat, Anna, duke bërë thirrje për këdo që mund të japë informacion.

Nuk ishte hera e parë që Olga, e cila jetonte në Marhanets, shkonte në front për të luftuar. Në vitin 2014, kur filloi konflikti në Donbass, ajo u shpëtoi jetën dhjetëra njerëzve.

Në mesazhin që lajmëron vdekjen, vajza e Olgës, Oleksandra e kujton kështu:

“Çdo vit, është bërë më e bukur dhe më e fortë. Është bërë aq e fortë sa pas lindjes së 6 fëmijëve, ka mundur të rrisë më shumë fëmijë se të tjerët dhe kur vendi kishte nevojë, ajo nuk mund të hiqte dorë dhe mbronte Ukrainën.

Pas 8 vitesh shërbim të përkushtuar në momentet më të vështira, nëna ime Olga Semidyanova, e lindur më 10 korrik 1973, duke u përballur me vdekjen, pa braktisur familjen, duke u përballur me armikun, duke luftuar deri në fund, sakrifikoi jetën”.