MENU
klinika

Nga Roland Qafoku

Nevoja për United Colours of Partia Demokratike

14.03.2022 - 17:15

Nga Roland Qafoku

Pas gjashtë orësh diskutime të shtunën grupi parlamentar i Partisë Demokratike nxori konkluzonin se si Lulzim Basha dhe Sali Berisha duhet të bëjnë hapa pas për të realizuar atë që quhet bashkimi madh i kësaj partie. Madje, pati propozime se për të arritur këtë, duhet një bashkëpunim dhe ngritja e një komisioni të përbashkët me grupimin e “Foltores”. Kjo është hera e parë që PD-ja zyrtare kërkon bashkëpunim me “Foltoren” dhe ky mund të quhet zhvillimi më i rëndësishëm në këtë parti që nga koha kur Sali Berisha u shpall non grata nga SHBA. Ndërkohë në një deklaratë të saj, përfaqësues të “Foltores” deklaruan se vetëm vota e lirë është ajo që sjell bashkimin e madh dhe jo deklaratat e bëra në një situatë kur ata kanë humbur përballë votës.

Tashmë fjala krizë për Partinë Demokratike tashmë është e tejkaluar. Ajo është në kufijtë e ekzistencës dhe këtë e kuptojnë shumica, përveç kryetarit zyrtar të kësaj partie Lulzim Basha dhe atyre pak deputetëve dhe kryetarëve të degëve të emëruar që e mbështesin verbërisht për hallin e tyre. Protesta e këtyre ditëve për rritjen e çmimeve, pa Partinë Demokratike zyrtare, tregoi se kjo parti është jo vetëm jashtë loje në skenën e politikës por është koha të diskutohet për atë që deklaroi Bamir Topi mos vallë PD e përfundoi misionin e vet? Më 6 mars u pa qartë se Partia Demokratike ishte ndarë në dy pjesë të mëdha. Por duket se pas zgjedhjeve kjo parti është edhe më keq se përpara garës së 6 marsit dhe e ndarë në shumë pjesëza. Ajo është e shpërndarë në disa grupime që askush nuk e di se si mund të mblidhen një ditë. Në fillim kemi Partinë Demokratike zyrtare që ka vulën dhe kryetarin Lulzim Basha, por që ndaj tij po bëhet shumë presion që të largohet nga drejtimi.

Ai ka rreth shtatë deputetë që e mbështesin nga 51 deputetë që ka grupi parlamentar i PD dhe ky është kulmi i mungesës së mbështetjes që ka patur dhe ka jo vetëm Lulzim Basha po edhe mes katër kryetarëve të tjerë që Partia Demokratike ka patur në histori Azen Hajdari, Sali Berisha, Eduard Selami, Tritan Shehu. Më pas kemi grupimin Komisioni i Rithemelimit që vijon të ketë partinë e vetë brenda PD, me vulë, firmë dhe statut dhe madje edhe struktura. Ata drejtohen nga Sali Berisha që deklaron se jo vetëm do jetë në garë për kreun e partisë, por do ta fitojë këtë garë dhe se do bëhet edhe kryeministër. Kjo deklaratë lë me gisht në gojë shumë figura të “Foltores” që edhe nëse e aspironin të ishin kandidatë tashmë përballë Berishës duhet ta mendojnë mirë edhe nëse duhet të futen në garë. Më pas akoma kemi grupin më të ri, atë të Grida Dumës dhe Ervin Salianjit të cilët nuk janë as me Sali Berishën e as me Lulzim Bashën. Grida Duma pas dorëheqjes nga detyra e nënkryetares është shumë më kritike ndaj Lulzim Bashës edhe se kundërshtarët e vjetër të tij.

Ata kanë arritur madje të kërkojnë edhe largimin e Bashës nga grupi parlamentar, një kërkesë që ka shumë domethënie po të kujtosh deklarat mbështetëse ndaj tij para 6 marsit me fraza “na pri Lulzim” dhe “Kjo është hera e fundit që të mbështesim”. Më pas akoma kemi një grupim deputetësh që nuk janë as me Berishën, e as me Bashën, por nuk janë as me Grida Dumën, madje as me Agron Gjekmarkajn, edhe ky i dorëhequr si nënkryetar. Gjekmarkaj është grupim tjetër bashkë me Mark Markun që rezultoi më i nderuari nga të gjithë në këtë histori kur i vetëm jo vetëm dha dorëheqjen po denoncoi farsën e fjalimeve në atë kuvend pas zgjedhjeve duke bërë një parashikim të saktë të asaj që do ndodhte në PD dhe që në fakt po ndodh. Duhet të kujtojmë se përpara këtyre kemi patur një grupim që ndonëse secili për vete kandiduan për kryetarë të PD në zgjedhjet e 13 qershorit të vitin e kaluar, Fatbardh Kadilli, Ibsen Elezi, Edith Harxhi dhe Agron Shehaj apo edhe Edvin Kulluri që kandidon aktualisht për kryetar.

Një grup tjetër është edhe ata që janë jashtë PD por që tashmë duken se janë kthyer edhe pse krijuan parti si Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Bamir Topi. Janë personalitete të PD që jo vetëm i kanë dhënë kësaj partie por kanë energji dhe përviojë ti japin asaj përsëri. Të gjithë këta janë grup më vete bashkë me mbështetësit e tyre që nuk janë pak. Në fakt mund të vijojmë edhe më grupime të tjerë që janë edhe individë si Arben Imami, Besnik Mustafaj dhe ndonjë figurë tjetër.  Në këtë situatë që ndodhet, tashmë sfida nuk është se kush do jetë kryetari i ri i Partisë Demokratike, por cili do jetë ai politikan që do arrijë të bashkojë të gjitha këto grupime dhe copa për të bërë ringritjen e Parti Demokratike siç ka qenë dikur skena e politikës shqiptare. A mund të bëhen bashkë në një parti Sali Berisha me Lulzim Bashën, Astrit Patozin, Jozefina Topallin, Fatbardh Kadillin, Ibsen Elezin, Edith Harxhin, Grida Dumën, Ervin Salianjin, Besnik Mustafajn, Arben Imamin, Besnik Mustafajn, Gazmend Bardhin, Edvin Kullurin, etj? A mund të bëhen bashkë këtë që çfarë nuk kanë bërë dhe thënë ndaj njëri-tjetrit? A mund të bëhen bashkë këta që kanë drejtuar sulme fizike ndaj njëri-tjetrin me leva, shkallë, gaz lotsjellës, ndryshim bravash e ndryshim fasadash? A mund të bëhen bashkë këta dhe Partia Demokratike të ketë një jetë normale politike për të bërë opozitë? A mund të bëhen bashkë këta për të drejtuar këtë parti në gara elektorale, më e afërta është ajo që zgjedhjeve lokale të vitit që vjen? Lulzim Basha edhe mund të japë dorëheqjen nga drejtimi i partisë dhe dikush mund ta zëvendësojë atë.

Dhe habitshëm kjo që dikur cilësohej më e vështira, tashmë është më e lehta. Më e vështira e të vështirave është se cili do jetë ai person që do bëjë pajtimin dhe bashkimin e madh të PD, pra të bashkojë copëzat e ndara të një puzzle që tashmë jo vetëm është prishur por edhe përhapur në atë mënyrë që nuk i gjen dot këto copëza. Nëse e arrin, ai do jetë një politikani më i suksesshëm në histori që u prodhua në krizën më të rëndë të historisë së PD-së dhe që arriti një pajtim dhe objektiv madhor. Nëse jo, padyshim që PD rrezikon shumë eksistencën e vet. Nëse huazojmë markën e një firme veshjesh që ka bashkuar të gjitha rracat e globit, kjo e jona duhet të jetë United Colours of Parti Demokratike. Kjo është sfida e sfidave në këtë parti.