MENU
klinika

Nga Ben Andoni

Paradoksi: “Krimi i luftës” nuk e prek Rusinë dhe qesëndia ndaj Kosovës

09.03.2022 - 20:33

Edhe pse gjuha e zyrtarëve të palës ruse po arrin cinizmin skajor, ka një element që e tremb vëzhguesin e thjeshtë: Paktet që bëjnë gjithnjë të Mëdhenjtë në kurriz të vendeve të vegjël. A do të ndodhë sërish kështu?!Për Kosovën, pak kohë më parë, kur ishte Trump në presidencën amerikane u fol vetëm pak minuta me presidentin Putin, referuar medias së Kosovës, ndërkohë që të dy palët po parashtronin problematika të tjera. Koha e mëpasshme, nëse do të vijojë të qetësohet lufta Rusi-Ukrainë, do të nxjerrë më shumë elementë, por një gjë është realisht shqetësuese dhe ajo lidhet me perceptimin e llogaridhënies së të Mëdhenjve të planetit tonë. Lufta e Ukrainës po na mëson shumë se “Ligji ndërkombëtar” është i papërfillshëm nga Rusia, ashtu si vite më parë ishte me SHBA-në për atë që ndodhi në Irak. Së fundi, nëse e gjithë bota po i kërkon arsye Putinit, ai e ka perçinosur veten dhe vendin e tij në teori të vjetra të së Drejtës, në një kohë krejt tjetër, ku prevalon jo thjesht Siguria e Rusisë por edhe sferat e munguara të influencës së tyre. E Keqja është aty, duke mbytur gjithçka dhe mungon realisht mendimi i drejtë dhe racional për të mirën e njerëzimit.

Ka një arsyetim, i cili shkon pas në vite dhe lidhet me atë që e shkruan Hannah Arendt në librin e saj të njohur “Banaliteti i të keqes”. Filozofja e njohur e gjen fajtorin qysh në fillimet e interpretimit të së Drejtës pak pas Luftës së Dytë Botërore në dënimet e dhëna prej Gjyqit ndaj kriminelëve nazistë në Nuremberg. Po ashtu, krimet e Rusisë ndaj Finlandës, vrasja e mijëra ushtarakëve polakë prej tyre dhe sulmet ndaj Polonisë e Finlandës mbetën pa u dënuar. Bombardimi i amerikanëve ndaj qyteteve të Hiroshimës dhe Nagasakit ishin krime të qarta lufte sipas Konventës së Hagës, shkroi ajo në të njëjtin libër. ”Është e sigurt që nëse shkeljet e Konventës së Hagës të kryera nga Aleatët nuk u diskutuan kurrë në terma juridikë, kjo ndodhi sidomos sepse Gjykata Ushtarake Ndërkombëtare ishte e tillë vetëm nga emri, në të vërtetë ishte gjykata e fitimtarëve, dhe autoriteti i vendimeve të saj sigurisht që nuk u rrit kur koalicioni që kishte fituar luftën dhe organizuar proceset u shpërbë…pa u tharë mirë boja e vendimeve”. Dhe gjykimi i Arendt është edhe më i thartë dhe duket se vjen sot njësoj, si atëherë kur u hodh për herë të parë. Duket se të Mëdhenjtë ose dy superfuqitë kryesore, megjithë kërcënimet, nuk e prekin njëra-tjetrën. ”Nuk është gënjeshtër të thuash se Gjykata e Nurembergut u tregua të paktën shumë e matur për të mos hedhur mbi kriminelët gjermanë akuza që mund t’i ktheheshin kundër. E vërteta është se në fund të Luftës së Dytë Botërore të gjithë e dinin se përparimet teknike të kryera në prodhimin e armëve e bënin tashmë çdo luftë ‘kriminale”, shkroi asokohe ajo. Arendt pasi bënte një ndarje të konceptit të vjetër të Konventës së Hagës, pikërisht ai dallim mes shkeljeve ndaj akteve që lidhen me ushtarët dhe pasojat mbi civilët, midis ushtrisë dhe popullsisë, midis objektivave ushtarake dhe qyteteve të hapur, ku bazoheshin përcaktimet e Hagës për kriminelët, e konsideronte Konventën tashmë si të vjetëruar. Veçse, kujdes, jemi dekada të shkuara, teksa bota në 2022 duket se ka ecur por sërish po shihet në udhën e gabuar. Është e vërtetë se kontrollohet me më shumë konventa, marrëveshje dhe marrëdhënie ndërkombëtare, por e keqja nuk është zhbërë. Rusia po godet në ditët e fundit me një ashpërsi të paparë objektiva të pretenduara ushtarake ukrainase, por që janë në fakt mirëfilli qendra të banuara. Rezultati, që nuk mund të identifikohet realisht në formën sasiore është para syve: qindra civilë viktima, mes tyre shumë gra e fëmijë.

“Ne qëndrojmë së bashku për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për shkeljet e saj të ligjit ndërkombëtar”, u shpreh pak ditë më parë Linda Thomas-Greenfield, ambasadorja e SHBA-së në OKB. E konfirmon edhe Zyra e Komisionarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, por njerëzit e statistikave janë të bindur se numri real duhet të jetë shumë më i lartë. Edhe pala ruse bëri një bilanc pak ditë më parë dhe ai, ashtu si u referua, ishte i hidhur sa i përket viktimave të saj.

Ironia e të gjithë kësaj që po ndodh është se: ndërsa Putin pretendon se bashkë me shtabin e tij kanë dhënë urdhra për goditje precize të zonave ushtarake, imazhet e Ukrainës po na shfaqin një realitet të hidhur. Pra, edhe pse “objekte civile” nuk duhet të goditen, sipas Putin, term ku përmblidhen si koncept azilet, shtëpitë e fëmijëve, shkollat, spitalet, shtëpitë dhe vendet e adhurimit ose vendet që civilët bëjnë jetën e tyre të përditshme, numri i viktimave po rritet shumë. Pa përmendur të larguarit që e kanë kaluar me kohë milionshin. “Lufta e Vladimir Putinit ka hyrë në fazën tjetër, atë të shkatërrimit dhe masakrimit të civilëve. Ajo është gjithashtu pjesë e Luftës Botërore të Putinit, një luftë që zhvillohet kundër botës së qytetëruar të së drejtës ndërkombëtare, kundër demokracisë, dhe çdo gjëje tjetër që e kërcënon pushtetin e tij, një luftë të cilën në fakt ai e ka shpallur prej kohësh”, u shpreh Gary Kasparov, ish kampioni botëror i shahut, që prej vitesh paralajmëron Putinizmin.

Në këtë situatë, ku cinizmi nuk njeh fre nga diktatori i Moskës, plot 39 vende, po i kërkojnë Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) të hetojë veprimet e Rusisë, kurse senatori amerikan Lindsey Graham dhe rep. Victoria Spartz, lindur në Ukrainë, planifikojnë të nxjerrin një rezolutë që i kërkon GJNP-së dhe një gjykatë tjetër ndërkombëtare të nisë hetimin nëse forcat ruse po kryejnë “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”!! Dhe, vërtetë ka lëvizje nga ana e prokurorëve të ICC-së se “do të vazhdojnë me hapjen e një hetimi” për këtë çështje. Aman, kur dëgjon nga specialistët e vërtetë në mediat e huaja prestigjioze sesa procedura ka, kur nuk mjaftojnë vetëm xhirimet nga filmimet e zakonshme të medias apo të qytetarëve dhe që duhet nga ana tjetër të zbulohet dhe zinxhiri i urdhrave ushtarakë si dhe të ketë më shumë video nga terreni, tregojnë se ICC do humbasë në procedura ndaj Rusisë, teksa vdekjet shtohen me ritme të frikshme. Mu para syve të medias, që gati e jep në kohë reale në të gjithë botën.

Ky institucion, themeluar në vitin 1998 me firmën e 60 vendeve, pa përfshirë SHBA-në, lindi pasi pjesëtarët ratifikuan traktatin e njohur si Traktati i Romës. Me anë të këtij institucioni, ICC ka juridiksion për të ngritur akuza kundër individëve për akte gjenocidi, krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe “krim agresioni” – i cili përfshin “përdorimin e forcës së armatosur nga një shtet kundër sovranitetit, integritetit ose pavarësisë së një shteti tjetër”, pikërisht mu sipas situatës që po ndodh në Ukrainë. Falë këtij tagri, kjo gjykatë prej vitit 2002 ka gjykuar plot 30 çështje. Veçse fatkeqësisht veç SHBA-së që nuk e pranon edhe Rusia që i pëlqeu të nënshkruante, por nuk e ratifikoi kurrë Statutin e Romës, kurse prej vitit 2016 u tërhoq fare, pasi ICC e klasifikoi aneksimin e Krimesë nga Moska si një okupim mirëfilli, kjo gjykatë duket e kufizuar.

Dhe, ndërsa bota ka mbajtur frymën duke u munduar të gjejë pak shpresë në këtë luftë të tmerrshme në territorin ukrainas, falë diplomacisë, rusët po merren seriozisht edhe me Kosovën. Putin e ka përmendur shpesh në fjalimet e fundit, kurse presidenti serb Vuçiç premtoi se realiteti i ri pas rezolutës së OKB-së që e dënonte Rusinë, si edhe kërkesa e Prishtinës për bazën e NATO-s, tregon se mund t’u bëhet presion vendeve që se kanë njohur Kosovën, ta njohin tashmë, ndaj, parashikonte ai: hapi i Kosovës për t’u futur në NATO, është pothuajse gati. Nga ana tjetër, për shqiptarët më shqetësues është fakti i presionit të madh që po i bëhet Kosovës nga SHBA dhe BE-ja për të pranuar (kuptohet pa fuqi ekzekutive?!) Asosacionin duke krijuar një konflikt me vetë Ligjin e saj Kushtetues. Kur mendon se projekti i parë u hodh poshtë për shumë nga nenet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe nga ana tjetër presioni i vazhdueshëm për ta pranuar, duket se edhe për Kosovën nuk ka ditë të qeta përpara. Veçse qesëndia e Putinit me realitetin e Kosovës dhe përmendja e stisur e mercenarëve të pretenduar shqiptarë nuk e justifikon më diktatorin rus, as me të drejtën morale të akteve të ditëve të fundit. Sikur të mos ketë probleme pa fund, me atë batak, ku është futur vendi, shteti rus vazhdon dhe është kundër realitetit të Kosovës kurse përmes zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova është shprehur se: “projekti i Perëndimit për Kosovën ka dështuar pavarësisht shumave të mëdha të parave të derdhura në të dhe mbështetjes mediatike-politike”. Për fat të keq Kosova është e kërcënuar por më shumë se kaq ndoshta përballë sfidave të lëshimeve, që mund të bëhen në kurriz të saj. Pas zhvillimeve të reja. Edhe pse Serbia me anë të Vuçiç po bëjnë të përkëdhelurin e madh, sikur e gjithë bota është kundër tij. A do të ndodhë ndonjë lëshim në kurriz të Kosovës? A do t’i përballë Kosova të gjitha? Logjikisht, si projekt perëndimor jo thjesht duhet t’i kalojë dilemat, por duhet të jetë një vend, që të garantojë siguri dhe paqe dhe Kosova me angazhimin e vet e ka bërë deri më sot, paçka trazirave jo të pakta politike. Mbase Putin do ta provojë dhe njëherë NATO-n në Kosovë me turbulli, por sjellja monolite e Aleancës në rastin e Ukrainës duket se ia ka ngatërruar planet për të krijuar një vatër, që mund të prekë gjithsesi dhe Bosnjën. Sido që të ndodhë, qesëndia e Rusisë është më shumë një realitet paralel në kushtet e vështira ku është futur Moska, sesa e vërteta e realitetit të Kosovës dhe rruga e saj e vështirë por normale drejt ulëses në OKB. Kjo e bën qesëndinë ruse deri tani një cinizëm të kotë, vetëm nëse mbi Kosovën…nuk do bëhen lojëra. Dhe, koha jonë ka dhënë prova se ndaj të vegjëlve s’pyetet…aq shumë. (Homo Albanicus)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Ben Andoni

E keqja, na mundi!