MENU
klinika

Analiza për konfliktin në PD

Pëllumb Kulla: Lëreni bashkimin, se ka për të plasur gjaku

23.03.2022 - 11:22

Nga Pëllumb Kulla

Mbrëmë kam bërë një marrëzi, që them se më ishte e nevojshme për t’u bindur përfundimisht:
Kam parë në youtube, që nga e para e deri në mbarim, një bisedë televizive dyorëshe, ku një drejtues emisioni pat ftuar gjashtë veta që rrihnin mendimet për mënyrën më të përshtatshme për të bashkuar demokratët e përçarë në PD.

Dhe u tmerrova nga bindja se përpjekjet për bashkimin e partisë, rrezikojnë të përfundojnë në gjakderdhje! Po, po, në gjakderdhje. Dhe këtë bindje kam frikë se shqiptarët do ta shohin edhe ata, edhe për shumë mbrëmje që vijnë.

Mbrëmjen e shkuar ishte kjo temë e nxehtë që e sillte më kollaj në sy standartin e këtij lloj shou televiziv

 

 

Gjysmën e kohës flisnin njëkohësisht jo më pak se katër të ftuar. Në një të katërtën e kohës flisnin paralelisht dy prej tyre dhe në një të katërtën tjetër të saj flisnin që të gjashtë!

E këtu pa llogaritur drejtuesin e emisionit që, si gjithmonë, mori pjesë bashkë me ta në të gjithë hapësirën kohore.
Tema në dukje ishte e udhëhequr nga një motiv i madhërishëm, nga një ideal frymëzues, historik, kombëtar e planetar- po të doni!, – aq i njohur gjatë shekujve, i ngjeshur në mijëra këngë me “eja, mblidhuni këtu-këtu!” dhe “bashkohuni, o shokë, me ne në çetë!” Është motiv që thërret thellësitë e ndjenjave njerëzore dhe prodhon lotë, poezi, patriotizëm dhe sidomos demagogji të cilësisë më të lartë.

Këtë mbresë nuk ma jepnin ata gjashtë zotërinjtë në fjalë, – u kërkoj ndjesë që zë në gojë ata, – se sa përfituesit kryesorë që i janë përveshur kësaj ndërmarrje dhe ata që nuk duan të përjashtohen prej saj. Nuk është e mundur kurrsesi që të arrihet kurrfarë bashkimi, teksa kujtohen reciprokisht mëkatet, e citohen të ndërsjellta shprehje që meritojnë ndëshkim penal, si ajo thënia e njërit: “Unë kam vjedhur vota për të dhënë fitoren ty, mor maskara!” (Dhe këtë e thotë ai njëri, që po mbush një vit që mban në gojë fjalën “masakër”!)

Ja, vota… Vota që thirret si ndihmësja më e thjeshtë për të zgjidhur e për të sqaruar vendin që zemë në shoqëri. Përmendet shenjtëria e votës, teksa në atë vend të rraskapitur gjatë 30 vjetëve, lutet Zoti për vota të ndershme dhe të ndershme nuk gjenden dot.

Në atë vend, ku gjatë 30 vjetëve votat “kurva” na prodhokan gjithmonë dy palë fitimtarësh, nga të cilët, njëra palë gëzon pushtetin dhe pala tjetër qahet katër vjet rresht që është palë e vjedhur!

Nuk mund të ketë kurrë bashkim, kur atij që ke përballë nuk i gjen dhe nuk i lëvdon asnjë gjest fisnik, por i kujton vetëm çfarë ka thënë para 25 prillit dhe ato që ka thënë pas 25 prillit, si është shprehur para dhe pastaj, të nesërmen e 9 shtatorit!

Flitet për ura bashkimi dhe nuk shihet asnjë këmbëz ure! Flitet për dashuri dhe prodhohet urrejtje! Është e dukshme pamundësia e një bashkimi, kur në mes të udhës së përparimit do të gjendet gjithmonë ajo figura emblematike e atij njeriu, që në historinë e atij vendi ka sjellë aq përçarje, aq gjak, aq sëmundje dhe aq vdekje.

Në ditët që vijnë e teksa do thirret bashkimi, hija e atij njeriu do të jetë në çdo shesh diskutimesh, në çdo tv shou dhe në çdo faqe gazete. Fati i tij, hej dreq, befas na u bë halli i të gjithëve!

Vetëm përfytyroni sikur për të bashkuar njerëzit në këtë parti historike aq të brohoritur kur na erdhi, të ishte sot i përjashtuar, apo i vetëpërjashtuar ai!

Është ai, që në viset shqiptare solli mosndëshkimin dhe korrupsionin. Është menduar se e keqja e shoqërisë është korrupsioni, në një kohë që mosndëshkimi ështa babai dhe nëna e korrupsionit.

Nuk ishte nevoja e Blinkenit dhe e amerikanëve për të ditur se ku duhet drejtuar gishti. Ai në konfliktin me ta kërkon provat e dëmeve, që i ka sjellë Shqipërisë! Milionat e shqiptarëve, duke përfshirë edhe ata që e duan, po t’i tundësh, t’i zgjosh e t’ua kërkosh kur janë duke fjetur, t’i rreshtojnë provat e tij, deri sa të vijë mëngjesi!

Prania e tij nuk premton bashkimin që kërkohet. Uroj që përpjekjet të mos sjellin gjak, atë gjak që ka skuqur tërë rrugëtimin e kësaj kuçedre.