MENU
klinika

Nga Artur Ajazi

Presidenti i Ukrainës, hero?

04.03.2022 - 14:26

Kur Hitleri nisi sulmin e tij të rradhës mbi vendet e Europës, kësaj here mbi Francën më 14 Qershor 1940, nuk e kishte menduar se francezët do të ishin aq të zgjuar, sa të arrinin pa shumë vonesë një armëpushim, për të shpëtuar Parisin dhe shkatërrimin e vendit. Megjithatë duke parandjerë luftën dhe paralajmërimet e Hitlerit, Franca kishte ndërtuar asokohe, një mbrojtje të fortifikuar, sipas idesë të ish-ministrit të Luftës Andre Maginot. Linja e fortifikuar mori emrin e tij.

Pas disa ditë lushtimesh, Parlamenti i Francës votoi “armëpushimin me gjermanët”. Kjo padyshim nuk ishte as “kapitullim dhe as mposhtje me turp”. Koha tregoi se, elita drejtuese e atij vendi asokohe, kishte të drejtë. Parisi pati shumë dëme të vogla periferike, por kurrë nuk ju prek trashëgimia dhe vlerat historike. E thashë këtë, pasi ndoshta jo në një situatë të ngjashme, është sot Ukraina, dhe kreu i shtetit Zelenski. Nuk është e thjeshtë të jesh “lideri apo hero”, dhe nuk mund të bëhesh i tillë, kur tregon kokëfortësi, kur vë alarme, kur fton gjithë dynjanë të futet në luftë për ty. Lider dhe hero, je dhe bëhesh, kur përpara rrezikut, përdor arsyen, llogjikën, kur gjen rrugëdaljet të duhura, për të ndalur katrahurën njerëzore dhe materiale.

Hero dhe “burrë shteti”, nuk bëhesh, kur futesh në bunkerin tënd, dhe prej andej shikon se si shemben qytetet, se si rrezikohen jetë njerëzore, se si rrezikohet trashëgimia dhe vlerat historike të vendit tënd, se si rrezikohen centralet bërthamore të vendit tënd, dhe thua “nuk dorëzohem”. Ky mentalitet bolshevik, i takon një kohe tjetër. Toleranca, dialogu, ftesa për të biseduar, por dhe tërheqja e përkohshme, mbeten format dhe mënyrat më të mira në raste të tilla.

“Dy hapa mbrapa, një hap përpara”, shpreh vullnetin e një lideri dhe burri shteti të sprovuar. Nga lufta askush nuk ka fitime, as Putini dhe as Zelenski, as Rusia dhe as Ukraina. Një veprim i shpejtë dhe i paramenduar sot, do të shpjerë në një fitore të re nesër, kurse një përballje “kok a kok”, nuk të shpie gjëkundi. Ai që e nis luftën, gjithmonë ka humbur më shumë, ndaj ky përfundim logjik, duhet të ishte pjesë e një “pleqësie” të gjatë të presidentit të Ukrainës, me të vetët. Shpejtimi “hajde të futemi në streha dhe bunkerë”,kur jashtë tyre shemben pallate, vriten dhe plagosen popull dhe ushtarë, është një tregues i paaftësive dhe mosnjohurive që ka një drejtues shtetit në momente të tilla.

Thirrjet e Zelenskit, alarmet e tij, nuk tregojnë maturi, dhe nuk duhet të jenë shkak për të acaruar situatën, por për të vendosur ura bashkëpunimi, edhe ma “hasmin”. Duhen gjetur rrugë të reja, (dhe gjithmonë janë gjetur historikisht) për të shpëtuar sa më shumë qytete nga shkatërrimi, për të shpëtuar sa më shumë jetë të pafajshme njerzore, për të shpëtuar urgjentisht ato centrale bërthamore aq të nevojshme për energjinë elektrike, por edhe shumë të dëmshme për njerëzit dhe mjedisin.

Ndaj,është pikërisht momenti, të jepen mesazhe shprese, të bëhen thirrje dhe përpjekje për të gjendur rrugëdaljen e madhe nga kjo që po ndodh atje, por jo përmes bunkerit dhe thirrjeve “duam avionë e raketa”, por duke shkuar tek zgjidhja e duhur. Trim është ai, që si “armë” logjikën për të fituar, jo luftën për ti humbur të gjitha.