MENU
klinika

Qeveria merr vendimin

Projektligj për moratorium gjuetie edhe për 5 vite të tjera!

30.03.2022 - 13:26

Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro ka bërë të ditur sot se është zgjatur me 5 vite të tjera moratoriumi i gjuetisë. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të qeverisë, ku ministrja u shpreh se ky projektligj është vazhdim i dy ligjeve që i kishte mbaruar afati.

Kumbaro theksoi se vendimi për zgjatjen me 5 vite të moratoriumit u bë pasi janë parë efekte pozitive nga dy ligjet e mëparshme.

Sipas ministres, është konstatuar një rritje e ndjeshme e numrit të shpendëve të egër dhe një ndërgjegjësim shumë më i madh i popullatës.

“Projektligj i ri që është në vazhdim të dy ligjeve që i kishte mbaruar afati dhe është shpallja e moratoriumit të gjuetisë për 5 vitet në vijim. Ka pasur dy ligje më parë, një për vitin 2014-2016 dhe një tjetër në 2016-2021 që i mbaroi afati vitin e kaluar. Duke konstatuar efekte pozitive të masave të marra, në lidhej me faunën e egër, por sidomos me shpendët e egër, është konstatuar një rritje e ndjeshme e numrit të shpendëve të egër dhe një ndërgjegjësim shumë më i madh i popullatës. Në vitin 2016, në censusin e zhvilluar janë konstatuar rreth 60 mijë lloje shpendësh të egër në habitatet e ekosistemit shqiptarë, ndërsa në vitin 2021 jemi në rreth 140 mijë lloje të tilla. Shpallja e këtij moratoriumi kufizon ndjeshëm edhe kërkesën për t’u pajisur me leje armësh gjahu. Në vitet e para janë sekuestruar mbi 800 armë gjahu.”, tha Kumbaro.

Kjo është hera e tretë që Qeveria kërkon një moratorium gjuetie në vend. Moratoriumi i parë 2-vjeçar i gjuetisë ishte për periudhën mars 2014-mars 2016. Për shkak se nga moratoriumi erdhën rezultate pozitive sa i përket shtimit të popullatave të faunës, të cilat për disa specie ishin në minimumin jetik, sipas specialistëve, ishte e domosdoshme shtyrja e afateve. Ndaj shtyrja u bë për 5 vite, 2017-2021.