MENU
klinika

Mbledhja e Byrosë në '82-in

“Pse u var një këshilltar sovjetik këtu?”

18.03.2022 - 11:35

           Publikohen dokumente nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), një dosje voluminoze me materiale arkivore  mer siglën ‘Tepër sekret’, të viteve 1981-1982, me raporte, relacione, dëshmi, informacione, proçes-verbale të mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, etj., duke filluar nga ajo që u mbajt për të shqyrtuar dhe analizuar autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981, për shkak se kishte lejuar fejesën e djalit të tij, Skënderit, “me një vajzë e cila në rrethin e saj familjar kishte disa të arratisur politikë”, mbledhja maratonë e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit të tij viti që vazhdoi deri në orët e vona të asaj nate, ku u shqyrtua ai problem me debatet dhe diskutimet e të gjithëve anëtarëve që “kryqëzuan” ish-kryeministrin Shehu, mbledhja e paradites së 18 dhjetorit, pas lajmit se kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten, mbledhja maratonë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e datës 20 shtator të vitit 1982, me temë: “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, ku Enver Hoxha nisi fillimisht akuzat ndaj Kadri Hazbiut, duke e joshur atë si “besnik i Partisë”, (në mënyrë që ai “t’ja hapte zëmrën Partisë”, duke folur kundër ish-kryeministrit Mehmet Shehu), ku që në fillim të fjalës së tij, Enveri u shpreh: “Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe Kiço Ngjelës me shokë. Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit. Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë, nuk e zbuloi Sigurimi, por ajo punë armiqësore u zbulua nga ana e Komitetit Qendror”, etj.! Të gjitha këto dhe të tjera dokumente me siglën ‘Tepër sekret’, do të publikohen në disa numra me radhë, ekskluzivisht nga Memorie.al

Nga Dashnor Kaloçi: Pjesa e trembëdhjetë

Dokumenti me proçes-verbalin e mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, me temë “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, mbajtur në datën 20 shtator 1982

Tepër sekret

MBLEDHJE E SEKRETARIATIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH E DATËS 20 SHTATOR 1982

SHOKU ENVER HOXHA: Jo, jo, pse e ka kërkuar, nuk mund ta ëndërrojmë dot, ne flasim me baza këtu.

SHOKU KADRI HAZBIU: Jo, mo shoku Enver, unë e kam fjalën këtu, përse duhet vajtur tani te marrëdhëniet që kishim ne në atë kohë me sovjetikët? Këshilltarët sovjetikë na thoshin ne, na i jepni këto gjëra. Pastaj, duke pasur brenda këshilltarët, ata mund të na i merrnin edhe fshehurazi, po na i kërkuan zyrtarisht dhe ne: urdhëroni, u thamë dhe ua dhamë.

SHOKU ENVER HOXHA: Pse u var një këshilltar sovjetik këtu?

SHOKU KADRI HAZBIU: Nuk më kujtohet shoku Enver, se ai nuk ka qenë te ne, ka qenë specialist për tekstile.

SHOKU ENVER HOXHA: Pse u var? – po të pyes. Atëhere ju, meqenëse ekzistonin marrëdhënie kaq të mira, siç ngul këmbë ti, meqenëse jeni kaq ekzigjent dhe bujar, sa u jepni gjithë këto dokumente, pse nuk u kërkonit sqarime sovjetikëve, përse u var ky njeri te ne? Jo, duhet të jemi konsekuent. Miq, ishim, disa nga ata i kishim këshilltarë, por njeri prej tyre na u var këtu. I pyetët ju, përse u var ai? E di Moska, mund të përgjigjeshin ata. Atëhere deri sa nuk më tregon, edhe unë nuk t’i jap këto që kërkon.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po kur u var këshilltari sovjetik në Tekstile, shoku Enver, ishin mbyllur këto punë.

SHOKU ENVER HOXHA: Jo, jo, nuk është çështja kur u var këshilltari, por e kam te parimi, sipas të cilit, ti thua se ishim në marrëdhënie të mira me sovjetikët. Në kushtet e këtyre marrëdhënieve, ngjet një incident, që mund të mos kish asnjë rëndësi për ta, po ju pse nuk i kërkuat llogari këshilltarit sovjetik, ta pyesnit përse u vra specialisti sovjetik në Tekstile, kur ishit kaq dorëlëshuar sa t’u jepnit sovjetikëve dokumente sekrete për Liri Gegën, për Dhora Lekën, e për shumë të tjerë? Ne nuk dimë se çfarë kemi dhënë të tjera, për këto që të thamë kemi dijeni tani për tani.

SHOKU RAMIZ ALIA: Jo, jo, nuk dihet akoma çka gjë tjetër.

SHOKU KADRI HAZBIU: Jo, s’ka mundësi shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Nuk dihet se çfarë janë dhënë të tjera nga ana juaj.

SHOKU KADRI HAZBIU: Ka mundësi, shoku Enver, por këto janë dhënë në bazë të asaj që thashë, mbi marrëdhëniet që kishim ndërtuar. Të jesh i sigurt se ky këshilltar edhe në Kartotekë mund të ketë vajtur, se ka qenë specialist por Kartotekën. Prandaj ai mund të vinte atje dhe ta merrte vetë listën e bashkëpunëtorëve. Ne kemi pasur këshilltarë për çdo degë të Zbulimit jashtë, tërë ditën ata me këtë punë merreshin.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, mirë mo shoku Kadri, ta lëmë atë se çfarë është bërë deri më kohën që kishim marrëdhënie me sovjetikët, po unë nuk kuptoj qëndrimin tuaj, pas vitit 1960, kur filluam një luftë të egër kundër sovjetikëve, që edhe ata luftonin kundër nesh për të na shkatërruar, ditën dhe natën. Ju si organ i Sigurimit të Shtetit, pyes për këtë se ti në atë kohë ishe ministër i Punëve të Brendshme, çfarë bërë për t’ju kundërvënë kësaj lufte të egër që na bënin këta armiq, duke parë e reflektuar ashtu siç po bëjmë sot për Mehmet Shehun.

Ai na ka luftuar, prandaj tani themi: Pa dale të shikojmë një çikë se çfarë na ka bërë ky armik! Po ti e bërë këtë punë? – the gjë, more, ç’kemi bërë ne me sovjetikët deri në vitin 1960? Ne u kemi dhënë gjithë këto lista dhe atëhere këto çështje i kishim edhe më të freskëta se tani në kujtesën tonë, prandaj më lehtë do të gjenim se çfarë u kishim dhënë.

SHOKU KADRI HAZBIU: Një minutë mo shoku Ramiz.

SHOKU RAMIZ ALIA: Jo një minut, po e kam çështjen edhe një çikë tek ty, Kadri, këtu nuk është vetëm fjala që u bënë këto veprime të palejueshme, por duam të dimë edhe si e shikon ti tani këto, janë bërë në rregull, apo janë bërë gabim! Në rast se mendon se janë bërë gabim, duhet të na sqarosh, pse ta bënit gabim, sidomos pasi nuk ju bënë problem këto, pas 1960-ës, Komitetit Qendror të Partisë.

SHOKU KADRI HAZBIU: Jo, pas 1960-ës, për shembull, dokumente mbase nuk kemi bërë, por revizionuam tërë agjenturën që kishim jashtë, që rusët na e dinin. Për ata që dinin, muarrëm masa, ca nga të cilat janë të shkruara dhe ca të pashkruara, u ndërruam me këtë rast agjentëve tanë monedhën e lidhjes, u ndërruam pseudonimet për të shpëtuar ata që kishim jashtë, që rusët gjithashtu i njihnin.

SHOKU ENVER HOXHA: Dhe të gjithë këta njerëz, prapë mbetën në vend.

SHOKU KADRI HAZBIU: Drejt shoku Enver, po e kisha fjalën te, jo që thotë shoku Ramiz, që çfarë bëmë ne pas vitit 1960. Bashkëpunëtorët tanë, në bazë të marrëdhënieve që kishim, ua kanë dhënë këto materiale rusëve, e kemi nxjerrë ne listën për ta.

SHOKU SIMON STEFANI: Jo, shoku Kadri, pse nuk na përgjigjesh se çfarë keni bërë ju pas vitit 1960? Pse nuk e keni informuar Komitetin Qendror, duke thënë: more shokë të dashur, gjatë kësaj periudhe, ne u kemi dhënë sovjetikëve këto, këto e këto materiale, po këtë s’e keni bërë as më 1975-ën, as deri tani.

Ju e dini mirë se u janë lëvizur tërë këta kuadro, shumë prej të cilëve janë ngritur në përgjegjësi dhe ju e dini këtë, se janë kuadro të Ushtrisë. Atëhere, pse nuk keni ardhur të thonit në Komitetin Qendror, që ne ua kemi dhënë këto materiale sovjetikëve, që udhëheqja e Partisë të dinte se si ta ndërtonte punën, të merrte masa për ta ndrequr sa më parë gjendjen e rëndë të krijuar aty nga ana juaj?

SHOKU KADRI HAZBIU: Një minutë tani, unë e kisha fjalën se çfarë kemi bërë ne, pastaj do të përgjigjem.

SHOKU SIMON STEFANI: Po ja, dakord, kjo është kërkesa jonë.

SHOKU KADRI HAZBIU: Për ato ç’kishim me rusët, unë di që e kemi nxjerrë evidencën se cilët kanë qenë bashkëpunëtorët tanë dhe e kemi sjellë këtu, megjithëse ekzakt nuk e di kohën kur e kemi bërë këtë në vitin 1975, apo më përpara, por kam mendimin që është më përpara atij viti.

SHOKU ENVER HOXHA: Mehmet Shehu i ka vënë këtë njerëz në vendet ku ka dashur. Atë që bëre ti, që ia ke thënë Hysniut, Mehmet Shehu ka marrë këtej dhe ka çuar andej dhe në fund ka dhënë konkluzionin se “mund të mos jenë agjent të sovjetikëve”, këta njerëz, si jua ka zbutur juve këtë çështje dhe këta element i ka vënë shefa Shtabi, drejtorë shkollash etj. Dhe ç’u bë në këtë mes? S’u bë asgjë.

SHOKU KADRI HAZBIU: S’u bë gjë, po, me sa më kujtohet, ne e kemi bërë prezent këtë çështje, që kjo është gjendja, këto kanë qenë bashkëpunëtorët tanë, për të cilët ishin në dijeni rusët.

SHOKU ENVER HOXHA: Po kjo nuk ekziston, përveçse në vitin 1975.

SHOKU KADRI HAZBIU: Mirë, le të përgjigjem unë, shoku Enver, po jam i bindur se ka shokë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe mund të pyeten për këtë çështje. Ne kemi bërë disa herë verifikimet, duke thirrur herë njërin dhe herë tjetrin nga këta, për të nxjerrë evidencën, se cilët ishin pikërisht këta element që ishin vënë nga ne për të bashkëpunuar me sovjetikët dhe i kemi identifikuar cilët janë, pa se si ka rrjedhur informacioni i vitit 1975, nuk jam në gjendje të flas.

SHOKU HEKURAN ISAI: Po edhe studimi i vitit 1975, është bërë nga Mehmet Kondoja.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po mirë, kështu ka qenë çështja me sa më kujtohet mua për këtë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po ashtu, në vitin 1975 materiali është bërë nga Mehmet Kondoja, Mehmet Çaka dhe një farë Koli Shuke.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, në 1975-ën, ja ku e kam unë këtu këtë material, që është përgatitur nga Koli Shukja dhe Mehmet Kondoja.

SHOKU KADRI HAZBIU: Mirë, mirë, po ua kemi kërkuar ne atyre këtë material ta bënim. Mua më kujtohet që ne i kemi mbledhur të gjithë këta shokë në Ministri dhe u kemi kërkuar të kujtojnë ç’mbajnë mënd dhe t’i shkruajnë të gjitha. Jemi përpjekur kështu që të bëjmë listën. Para kësaj kohe shoku Ramiz, janë bërë disa veprime për të arritur në konkluzionet që u bënë në vitin 1975, nuk është se ne u kujtuam vetëm atë vit për këtë çështje, me sa di unë.

Këtë kështu e kemi gjykuar. Por këto sot, të them të drejtën, sikur të më thuash që këtu është interesuar Komiteti Qendror për këtë, do të thosha se ne ua kemi hapur defterët sovjetikëve. E drejta kështu është vepruar me ta deri në vitin 1959. Për këtë le të bjerë çfarëdo përgjegjësie mbi mua, por ama rusëve nuk u kemi mbajtur asgjë të fshehtë, sa kohë që ishin këtu, me përjashtim të vitit 1959, pse në këtë kohë filluam të përmbahemi.

SHOKU ENVER HOXHA: Megjithatë, edhe atë here prapë u janë dhënë.

SHOKU HEKURAN ISAI: Më 24 dhjetor bile të vitit 1959.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, ashtu është, këto u janë dhënë deri më 24 dhjetor 1959.

SHOKU KADRI HAZBIU: Në qoftë se kjo rëndon në shpinën time, shoku Enver, mirë, unë këtë nuk e di, po deri atëhere ne ua kemi dhënë të gjitha ç’kemi pasur dhe këtu bie përgjegjësia ime.

SHOKU ENVER HOXHA: S’besoj, deri sa ti thua që ua kemi dhënë, sepse kështu e kemi gjetur, kështu ka qenë, kështu duhesh t’u jepnim çdo gjë, do të thotë se është bërë me pëlqimin tënd.

SHOKU KADRI HAZBIU: Ka mundësi të jetë bërë kështu, shoku Enver, për këtë nuk jam në gjendje të flas ekzakt, por ama e di që atyre se u jepeshin materiale për shkollën. Ata na kërkonin përgjithësime, kërkonin njërën dhe tjetrën çështje, për të mësuar kuadrot tona që dërgonim të mësonin në shkollat e tyre dhe, në bazë të këtyre kërkimeve, ua kemi dhënë, kurse Platformën e Sigurimit të Shtetit, ata e kishin për ditë në dorë, ne ndoshta u’a dhamë dhe zyrtarisht, po kështu kemi pas menduar për atë.

SHOKU ENVER HOXHA: Jo, jo, ata vetë mundet edhe ta kenë fotografuar atë, po neve ju akuzojmë juve pse ua keni dhënë zyrtarisht?!

SHOKU KADRI HAZBIU: Dakord, dakord, se ashtu i kemi gjykuar atë, si materiale që u dhamë për shkollën.

SHOKU ENVER HOXHA: Jo, nuk kishte arsye pse t’u duheshin dokumente për shkollën.

SHOKU KADRI HAZBIU: Kështu kemi gjykuar, shoku Enver.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Po vetë ata, mund të kenë fotografuar shumë materiale.

SHOKU KADRI HAZBIU: Çfarë kanë dashur, kanë barë ata tek ne.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ata kanë hyrë edhe në arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po, edhe në arkiv kanë hyrë.

SHOKU HEKURAN ISAI: Edhe në kartotekë.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po edhe në arkiva edhe në kartotekë, çdo gjë kanë ditur ata. Edhe për agjenturën që kemi patur ne kundër Jugosllavisë kanë ditur, se Kundërspiunazhi ka patur tre këshilltarë.

SHOKU ADRIL ÇARÇANI: Mirë, ore, po pse t’ua jepnim këto gjëra dhe zyrtarisht? Ç’i duheshin Shkollës së Sigurimit Sovjetik, proceset tona hetimore?

SHOKU SIMON STEFANI: Dhe jo shkollës sonë, po shkollës tyre atje në Bashkimin Sovjetik.

SHOKU KADRI HAZBIU: Të lutem shumë, po në atë kohë kursantët tanë vazhdonin në atë shkollë.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Pesë veta ishin ata.

SHOKU KADRI HAZBIU: Jo ore, nuk ishin pesë veta, ata ishin një katedër e tërë.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Po sa ishin, ja dhe një katedër e tërë të ishin, 10-15 veta gjithsej.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po ata donin t’ua mësonim ndryshimet që bënim ne këtu, si është kjo procedurë, si është ajo, si e kishim bërë ne, etj.

SHOKU ENVER HOXHA: Kishin vajtur për të mësuar Axhem Abazi me Halim Zanon e me disa të tjerë në atë kohë atje.

SHOKU KADRI HAZBIU: Ç’të them unë, përgjegjësia është e imja në këtë çështje.

SHOKU ENVER HOXHA: Tani, si konkluzion, ç’thua ti?

SHOKU KADRI HAZBIU: Shoku Enver, përgjegjësia bie mbi mua për këtë çështje, siç thatë edhe ju. Përsa i përket autokritikës unë kërkova lejen tuaj që ta bëja përpara Byrosë Politike, kurse ju më thatë se nuk kish nevojë ta bëja.

SHOKU ENVER HOXHA: PO, ashtu të thashë, s’ka nevojë të bësh autokritikë.

SHOKU KADRI HAZBIU: Edhe unë në mënyrë të koncentruar kam dhënë atje mendimet e mia, si e ndjej përgjegjësinë për të gjithë këtë punë armiqësore që është zhvilluar, jo vetëm si anëtar partie dhe i Plenumit të Komitetit Qendror. Ky është konkluzion që kam nxjerrë unë dhe kam mundësi t’i them të tëra ato që kisha shkruar se shënimet i kam ruajtur. Po kjo s’ka ndonjë rëndësi.

SHOKU ENVER HOXHA: Kije atë autokritikë se, natyrisht, çështjen tënde ne do ta shtrojmë në Byronë Politike, po mund të të them se ajo nuk vlente asgjë, ishte shumë e përgjithshme.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po, po dakord, po desha të them këtë, shoku Enver, që nuk desha t’jua lija juve atë, vetëm ju thashë se si e gjykoja unë këtë çështje.

SHOKU ENVER HOXHA: Autokritika po të jepej, do t’i lihej Komitetit Qendror, se vihet në arkiva, po të thashë të mos e lije, po të thelloheshe në këto çështje, se janë shumë të mëdha, shumë delikate, prandaj duhej të reflektojë më thellë.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po nga ç’anë ta thelloj, shoku Enver?

SHOKU ENVER HOXHA: Çështja është që në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë bërë gabime të rënda. Kryesori që drejtonte atje ka qenë në fillim Mehmet Shehu, po pas atij vije ti. Tani ti ke lejuar që në këtë Ministri të veprojnë element armiq dhe bile në grup të madh dhe në kyçet e këtij organi. Megjithatë, për gjithë kohën e punës që ke bërë atje, ti nuk ke nuhatur gjë, nuk ke qenë vigjilent në veprimet e tyre, në kontaktet e tyre, nuk ke qenë i rreptë në kërkesën e llogarisë për çështjet vendimtare, për çështjet kryesore e kam fjalën.

Për gabimet kryesore që janë vërtetuar atje, siç është dërgimi i rezidentëve në Bashkimin Sovjetik, dhënia e rezidenturës dhe e bashkëpunëtorëve tanë në duart e KGB-së (pavarësisht se këta në formë i janë dërguar shkollës, KGB-së ato i kanë shkuar, janë marrë prej saj dhe jeni plotësisht të sigurt që sovjetikët i kanë përdorur për qëllimet e tyre dhe jo për të mësuar djemtë tanë, se ato që thuheshin nga këshilltarët ishin llafe), për këtë ti duhet të jesh i ndërgjegjshëm, se ke faj të madh, pavarësisht se nuk i ke bërë me ndërgjegje.

Këshilltarë ne, ashtu si në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kemi pasur edhe në ministritë e tjera. Miqësi me sovjetikët kemi pasur dhe e vërteta është që nga ana jonë kemi qenë të sinqertë me ta. Miqësi kishim vërtetë me sovjetikët, por deri në një farë shkalle duhej të flisnim me ta, se ne nuk mund të gjejmë në Komitetin Qendror asnjë dokument dhe këtë mund ta shikojmë, që t’ju kemi porositur juve t’u jepnit këshilltarëve sovjetik të gjithë dokumentet që kishit atje./Memorie.al