MENU
klinika

Nga New York Times

Pse ukrainasit besojnë se mund të fitojnë?

01.03.2022 - 16:11

Kam takuar Volodymyr Yermolenko, një filozof ukrainas dhe kryeredaktor i UkraineWorld, një faqe lajmesh në gjuhën angleze, në Kiev në vitin 2019. Kisha shkuar atje për të raportuar se si ndiheshin ukrainasit për përpjekjet e Donald Trump për të zhvatur presidentin e tyre, Volodymyr Zelensky, dhe mbi demonizimin nga e djathta amerikane të ukrainasve që kishin punuar kundër korrupsionit.

Yermolenko foli, atëherë, për Ukrainën si vijën e parë në betejën globale midis demokracisë dhe autoritarizmit, me Evropën në njërën anë dhe Rusinë e Vladimir Putinit nga ana tjetër – dhe rolin e Shteteve të Bashkuara nën Trumpin konfuz dhe të paqartë.

“Ka të bëjë me atë nëse demokracia, sundimi i ligjit, po përhapen më larg në lindje,” tha ai për konfliktin mbi të ardhmen e Ukrainës. “Është një histori e gjatë se si u përhap në Evropën Lindore – fillimisht ishte Evropa Lindore, Evropa Qendrore, pastaj Ukraina, Gjeorgjia, Moldavia. Shpresojmë që një ditë të arrijë në Rusi”.

Por ishte e mundur që vala ideologjike të shkonte në anën tjetër. “Ka një autoritarizëm të ri që po shkon drejt perëndimit,” tha Yermolenko.

Unë fola përsëri me Yermolenkon të dielën, teksa trupat ruse rrethuan vendin e tij.. “Nuk ka fatalizëm, asnjë vullnet për të negociuar me kushtet e Rusisë. Ka vendosmëri.” Vetëmbrojtja e Ukrainës, tha ai, ishte kryesisht një çështje patriotizmi, e njerëzve që mbronin shtëpinë dhe mënyrën e tyre të jetesës kundër një fuqie të huaj mizore.

Por ai gjithashtu e pa atë si pjesë të garës së madhe ideologjike që kishim diskutuar dy vjet e gjysmë më parë.

“Ekziston një ndjenjë e fortë se nëse Ukraina fiton – dhe jam i sigurt se fiton – kjo mund të sjellë fundin e regjimit të Putinit dhe të Lukashenkos,” tha ai, duke iu referuar Alexander Lukashenkos, presidentit të Bjellorusisë, i cili dërgoi trupa në Ukrainë për të luftuar përkrah Rusisë.

Besimi i tij më mahniti, por duket se është i përhapur gjerësisht në të gjithë vendin: Sipas një sondazhi të fundit, 70 për qind e ukrainasve jashtë territoreve të pushtuara nga Rusia mendojnë se do të fitojë kundër Rusisë.

Oleksandra Ustinova, një anëtare e parlamentit ukrainas, e cila është në Uashington, tha se Putin mendonte se mund të merrte lehtësisht kontrollin e vendit të saj. “Ukrainasit kanë dëshmuar se ne nuk dorëzohen dhe ne besojmë se do ta fitojmë këtë luftë”, tha ajo.

Nuk e kam idenë nëse ajo ka të drejtë, megjithëse padyshim që shpresoj që të ketë.

Rusia duket se ka ngecur në ditët e para të pushtimit, por ushtria e Ukrainës është ende jashtëzakonisht e pergatitur.

Megjithatë, besimi i patundur i ukrainasve në aftësinë e tyre për t’i rezistuar Rusisë është një fakt i rëndësishëm politik, të cilin njerëzit që parashikuan një fitore të shpejtë ruse nuk e morën plotësisht parasysh.

Është një besim që ka nxitur pjesën më të madhe të botës të bashkohet kundër Rusisë, duke ringjallur një internacionalizëm liberal.

Sado frymëzuese të jetë vendosmëria e Ukrainës, ndoshta nuk është aq e habitshme.

Kushdo që e ka vizituar Kievin në vitet e fundit mund të shohë se sa krenarë ishin njerëzit me revolucionin e vitit 2014 që detyroi Viktor Yanukovych, presidentin kleptokratik të mbështetur nga Kremlini, të ikte në Rusi.

Jo të gjithë ukrainasit e mirëpritën revolucionin – Yanukovych kishte një bazë të vërtetë mbështetjeje në jug dhe lindje të vendit. Por ekzistonte një kulturë nderimi për qytetarët që i ishin kundërvënë dominimit rus.

Ukraina ka pasur dy revolucione në më pak se dy dekada; ishte gjithashtu Revolucioni Portokalli, i cili shpërtheu pasi Yanukovych u akuzua se u përpoq të vidhte zgjedhjet në vitin 2004.

Nataliya Gumenyuk, një gazetare ukrainase dhe autore e “Ishulli i humbur: Përralla nga Krimea e pushtuar”, më tha se këto revolucione kanë rrënjosur tek ukrainasit një ndjenjë e fortë te lirisë së tyre. “Ukraina ka një rast pozitiv për të rrëzuar një diktator, duke bërë diçka që dikur ishte e paimagjinueshme”, tha ajo, duke folur nga Kievi në mes të natës.

Ajo vuri në dukje se Zelensky i ka bërë thirrje drejtpërdrejt publikut në Rusi dhe Bjellorusi. “Ne besojmë seriozisht se nëse njerëzit, njerëzit e pavarur, ngrihen në këmbë”, ata mund t’i detyrojnë udhëheqësit e tyre të rrezohen

Kjo do të thotë se edhe nëse një Ukrainë demokratike nuk ishte një kërcënim ekzistencial për Putinin më parë, është tani, pasi mbijetesa e saj do të nënkuptonte poshtërimin e tij.

Në vitin 2019, më intrigoi se sa me zell ukrainasit që takova flisnin për demokracinë liberale. Ndoshta e kishin fituar aq kohët e fundit sa nuk kishin pasur kohë të bëheshin cinikë. Idealizmi i tyre ka rezultuar të jetë një armë e fuqishme.

Ata u kanë treguar demokracive të vjetra se çfarë do të thotë të luftosh për vlerat e tyre të supozuara.

Shanset janë kundër ukrainasve. Por bindja e tyre u ka dhënë atyre një shans.

Burimi: New York Times

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


SHBA apel qytetarëve amerikanë

“Duhet të lini menjëherë Ukrainën!”

Alarmi i shërbimeve amerikane të zbulimit për orët e ardhshme

“Lukashenko do ‘hedhë’ ushtrinë e tij me 48 mijë trupa në Ukrainë”