MENU
klinika

Zgjedhjet e pjesshme/ Reagimi i Kryeministrit

Rama: Arritëm rezultatin që prisnim, 5 nga 6 bashkitë!

07.03.2022 - 14:33

Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur zgjedhjet e pjesshme vendore duke deklaruar se Partia Socialiste arriti rezultatin që priste, fitimin e 5 nga 6 bashkitë në garë.

Me anë të një postimi në Facebook, Rama shkruan se rezultatet në këto bashki, ishin përtej pritshmërive edhe më optimiste.

Sipas kreut të qeverisë, ai thotë se përtej kësaj sfide, mirëqeverisja e këtyre bashkive do të jetë sfida e vërtetë.

“Ndërkohë ne kemi fituar Dibrën, Durrësin, Lushnjën, Vorën e Rrogozhinën, me rezultate përtej parashikimeve më optimiste! Por sot lartësia e sfidës është ku e ku më shumë marramendëse, se sa mirëqeverisja e këtyre bashkive dhe se sa të gjitha sfidat qeverisëse deri fare pak ditë më parë. Ia dolëm me tërmetin dhe me pandeminë, e gabimisht menduam se më e keqja kaloi. Kjo që sapo na ka dalë përpara është më e keqja fare. Duhet me se s’bën t’ia dalim edhe kësaj. Të bashkuar, jo të ndarë” – shkruan Rama.

Por për kryeministrin, kjo nuk është koha për të festuar duke sjellë në vëmendjen luftën që po zhvillohet në Ukrainë.

Rama shkruan se lufta po vret e po shkatërron në Ukrainë, duke futur “kthetrat” e ndikimit të saj kudo në tregjet e mëdha e të vogla në botë.

Postimi i Edi Ramës:

Zgjedhjet e djeshme i dhanë Partisë Socialiste as më shumë e as më pak se sa prisnim. 5 nga 6 bashkitë në garë – me një fushatë pa i ndezur motorët e qendrës dhe me një hendek votash nga rivalët edhe më të madh se sa tregonin projeksionet tona. Urime fituesve dhe faleminderit të gjithë atyre që u angazhuan për këtë rezultat, po mbi të gjitha faleminderit zgjedhësve, të cilët dje ushtruan pushtetin e tyre vendimmarrës në interes të komunitetit.

Thënë kjo, nuk rri dot pa shtuar sot se ajo që po ndodh në më pak se dy orë vijë ajrore nga Shqipëria, e bën të pamundur shijen legjitime të kësaj fitoreje. Sa hap e mbyll sytë bota ku jetonim ka rindryshuar përsëri. Por ndryshe nga ndryshimi i përkohshëm që na ka imponuar pandemia, ky rindryshim duket se nuk do të jetë aq i përkohshëm. Lufta po vret e po shkatërron në Ukrainë, por po i fut kthetrat e ndikimit të saj kudo, në tregjet e mëdha e të vogla, ku jeta e përditshme po shtrenjtohet orë e minutë nën bombat e pasigurisë që lufta mbjell kudo.

Sa hap e mbyll sytë filmat me Luftën e Tretë Botërore, armët atomike, shkretimin e vendbanimeve, ia kanë lënë vendin realitetit të jetës sonë, ku duket sikur s’ka më asnjë çmenduri të pamundur dhe sikur as vetë fundi i botës, nuk mund të përjashtohet si një nga skenarët e mundshëm. Ndërkohë ne kemi fituar Dibrën, Durrësin, Lushnjën, Vorën e Rrogozhinën, me rezultate përtej parashikimeve më optimiste! Por sot lartësia e sfidës është ku e ku më shumë marramendëse, se sa mirëqeverisja e këtyre bashkive dhe se sa të gjitha sfidat qeverisëse deri fare pak ditë më parë.

Ia dolëm me tërmetin dhe me pandeminë, e gabimisht menduam se më e keqja kaloi. Kjo që sapo na ka dalë përpara është më e keqja fare. Duhet me se s’bën t’ia dalim edhe kësaj. Të bashkuar, jo të ndarë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Ndenja në shtëpi e 70% të votuesve është mesazh shumë i fortë “

Basha: Kërkon një reflektim të thellë brenda PD. Ja si do reformohemi