Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot se do të krijohet bord për të vendosur çmimet e produkteve të shportës ndërsa paralajmëroi se ata që shkelin rregullat do u konfiskohet prodhimi.
Rama u shpreh se sot kemi detyrimin e përbashkët që të bëjmë diçka për të kaluar këtë krizë ndërsa shtoi se kjo nuk duhet t’u lihet barrë pensionistëve apo kategorive të tjera.
“Sot për sot këtu kemi faktikisht detyrimin e përbashkët të gjithë ne si shqiptarë që të bëjmë secili të veten. Nuk mund të kërkojmë të bëjë të veten një pensionist që ka nevojë për ushqimet bazë apo që nuk ka kursime që të përballojë çmimet që vendosim ne. Atë do e mbështesë qeveria por do e mbështesni edhe ju. Me çmimet që do vendosni atje. Ajo që më ka shqetësuar është që shumica ia hedh fajin pakicës dhe e anasjellta. Për të mos pasur hedhje faji do futemi në këtë mes dhe do krijojmë një bord të përbashkët për çmimet e shportës. Ky bord do të përbëhet nga përfaqësues të qeverisë dhe tuajit. Dhe çmimet e ushqimeve bazë do vendosen aty dhe kush vendos çmime të ndryshme do i konfiskojmë prodhimin”, tha Rama.
“Vij që të diktohet nga domosdoshmëria për të pasur një qasje ndryshe nga ajo e kohëve normale. Ju e dini që unë nuk hyj ta që besojnë te ndërhyrjet në treg por kjo vlen për një kohë normale. Kjo vlen për krizat organike në një kohë normale. Si ishte kriza e inflacionit në të gjithë botën që u reflektua edhe këtu me një rritje të lehtë të çmimeve hap pas hapi. Sot jemi në kushte të tjera. Kriza është e imponuar nga një agression ushtarak i një fuqie të madhe ekonomike në furnizimin e shumë lëndëve te para dhe një sërë zhvillimesh të kësaj lufte që mund të krijojë një destabilizim të tregut për të cilin ju jeni dëshmitar në të përditshmen tuaj.
Tani dua të jeni të bindur që ne i dimë vështirësitë tuaja në këtë situatë. Ku vështirësia kryesore dhe ajo që mund të rëndohet më tutje është gjetja e tregjeve, zëvendësimi i tyre. Por tani është momenti për të harruar fitimin. Për të vendosur kapacitetet tuaja në funksion të kësaj sfide të madhe që na ka zgjedhur. Produkti më domethënës është vaji që ka kërcyer në çmim jo pa arsye por ku ne besojmë se ka hapësirë të vazhdueshme për të manovruar me një ulje të çmimit për to. E di edhe çështjen e furnizimit. Është problem kudo jo vetëm në Shqipëri.
Vend për të ndërhyrë ka dhe jo pak. Unë besoj që kanë të drejtët ekspertët tanë të mendojmë. Është shumë domthënëse për ne. Konsumi nuk ka rënë. Kjo nuk do të thotë se situata është e tillë kur ju mund të vazhdoni me këto çmime. Çmimet mund të rriten përsëri në vijim. Dje kam qenë në diskutim në zoom me disa të tjerë jashtë vendit dhe ndër të tjera një parashikim i mbështetur në shumë argumente është se bota mund të përballet me shokun më të madh të furnizimit të karburantit në tremujorin e dytë dhe të tretë të vitit si rezultat i daljes jashtë të një shifre marramendëse barrelash që furnizohet nga Rusia. Kështu që çdo gjë është e hapur si mundësi. Të tjerë thonë që bota mund të përballet me krizën e vitit 1974″, tha Rama.