MENU
klinika

“Deputetët të popullit, individët të vetes”

Rama për Bllakon: Përpara ligjit të gjithë të barabartë

30.03.2022 - 19:14

Kryeministri Edi Rama ka folur pasditen e sotme për çështjen e deputetit të PS-së Alqi Bllako dhe akuzat e ngritura nga SPAK, që kërkoi arrestimin e tij.

Rama tha se përpara ligjit nuk ka deputet, nuk ka ministra, nuk ka forcë, nuk ka të privilegjuar, janë të gjithë të barabartë. Në nivelin personal ai tha se është shumë i keqardhur.

“Deputetët janë të popullit, individët janë të vetes dhe përpara ligjit nuk ka deputet, nuk ka ministra, nuk ka forcë, nuk ka të privilegjuar, janë të gjithë të barabartë dhe habitem që ka akoma nevojë për të tilla pyetje, ndërkohë që gjithçka po ndodh nuk është asgjë tjetër veçse përgjigjja për të gjithë ata që nuk besonin se në Shqipëri do të bëhej një reformë në drejtësi. Nuk besonin se në Shqipëri do të vinte dita që edhe njerëz me imunitet dhe me pushtet do të shkonin para drejtësisë. nuk besonin që këtë reformë ne ndërmorëm dhe unë personalisht me shumë vendosmëri jo vetëm, por së bashku me PS e kemi udhëhequr dhe do vazhdojmë ta mbështeism jo për të kapur drejtësinë por për të krijuar kushtet që me kohë, me durim, një proces reformimi i drejtësisë të bëjë të mundur që të ketë një Shqipëri të drejtë për gjeneratën tjetër. Kështu që në nivelin personal, njerëzor, patjetër që jam shumë i keqardhur, por në nivelin e detyrës sigurisht që i shoh këto që ndodhin si rezultat i asaj që kemi bërë”, deklaroi Rama.