MENU
klinika

Dosja për dhëndrin e ish-kryebashkiakut

Si u takuan Sanxhaktari dhe viktima?

17.03.2022 - 13:31

Sokol Sanxhaktari, dhëndri i ish-kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, është dënuar me 18 vite burg e po kaq vite gjykata ka dhënë për të akuzuarin e dytë për vrasjen e Florian Lamçe, shtetasin Adriano Hajdari.

Ndaj të dyve, gjykata ka përcaktuar, midis të tjerash, të mos ketë lirime me kusht. Ndërkohë, Amadeus Lamçja është dënuar me 5 vite burg, duke u shpallur fajtor për “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Ai ka furnizuar me drogë dy të dënuarit. Me 5 vite burg është dënuar gjithashtu shtetasi Mehmet Muça, i cili akuzohet për fshehjen e armëve të zjarrit. Në pretencën e Prokurorisë së Elbasanit më 26 janar të këtij viti, u kërkua dënimi me 20 vite burg për Sanxhaktarin e po kaq vite edhe për të akuzuarin tjetër për vrasje, Adriano Hajdarin.

DËSHMIA

Ngjarja e rëndë u regjistrua më 30 korrik të vitit 2020 në afërsi të Muzeut Etnografik të qytetit pranë lokal “Piazza”, ku Florian Lamçe, 40 vjeç, i dënuar me 3 vite burg për akuzën e “Pengimit të zbardhjes së të vërtetës”, humbi jetën pasi u godit me sende të forta. Sipas Prokurorisë, komunikimet mes të dyshuarit dhe viktimës ishin ndërprerë prej kohësh, por ditën e ngjarjes, Sanxhaktari e ftoi viktimën në takim me ndihmën e një gruaje, e cila siguroi numrin e Florian Lamçes.

Një nga miqtë e viktimës ka deklaruar se Lamçja pa që në telefonin e tij kishte disa thirrje nga Sanxhaktari, ndonëse ata nuk flisnin prej kohësh. Një nga dëshmitarët e marrë në pyetje nga Prokuroria, ka treguar se çfarë ka ndodhur atë natë.

“Unë shkova bashkë me Florin në lokal, ku gjetëm Sokolin, Ardiano Hajdarin dhe disa persona të tjerë, të cilët po konsumonin alkool. Arsyen përse Sokoli e thirri Florin, nuk e mësova, pasi ata biseduan në një ambient të veçuar të lokalit, ku konsuamuan edhe drogë”, ka thënë dëshmitari.

Dëshmitari tregon se gjatë ndjekjes aty, Sanxhaktari dhe Florian Lamçja konsuamuan disa herë lëndë narkotike në tualetin e lokalit dhe, kur ktheheshin biseda mes tyre, acarohej pa asnjë shkak. Pasi qëndruan disa orë aty duke pirë, Sanxhaktari i ka kërkuar të njohurve të tij, sipas prokurorisë, që të largohen në një ambient tjetër pranë, duke marrë edhe pijet me vete.

“Sipas deklaruesit, për shkak edhe të pijeve alkoolike, biseda midis viktimës dhe Sokol Sanxhaktarit acarohej pa ndonjë shkak dhe rreth orës 22:30 me 23:00 shtetasi Florian Lamçe ka nxjerrë nga çanta e tij një armë zjarri pistoletë e llojit ‘TT’ dhe ka qëlluar në tavan 2 herë duke hapur dhe dy vrima. Menjëherë, pas tij ka qëlluar dhe shtetasi Sokol Sanxhaktari një herë dhe ai në tavan mbi tavolinën ku qëndronin.

Sokoli, deklaron shtetasi Endri Baku, ka qëlluar me një armë ‘Glock’, e kalibrit të madh, me një fishek që iu dëgjuan dy plasje. Rreth 30 minuta më vonë, shtetasi Endri Baku sqaron se viktima, Flori, ka qëlluar përsëri me armën e tij ‘TT’, por këtë radhë pa e nxjerrë nga çanta dhe me drejtim për nga xhami i vetratës, që përkon nga bulevardi i qytetit. Nga kjo goditje është shpuar vetëm xhami, pa u thyer. Të pranishëm në atë kohë kanë qenë vetëm këta persona, pasi lokali ishte bosh, pa asnjë njeri, përveç rojës së lokalit, i cili nuk bëri asnjë reagim”, ka thënë ai. Miku i viktimës thotë më tej se rreth orës 04:00 të mëngjesit, Lamçja u kërkoi të pranishmëve që të njoftonin vëllain e tij.

Miku i Lamçes ka tentuar të lidhet në telefon me vëllain e tij, por ai ishte në gjumë.

“Dëgjova një zhurme të madhe kur po kthehesha sërish në lokal. Pashë Florin që ishte përtokë dhe Sanxhaktarin që e godiste si i tërbuar, por nuk e shihte dot me çfarë. Ika me vrap dhe thirra vëllain e Florit dhe i tregova çfarë kishte ndodhur dhe i dorëzova telefonin”, tregon ai.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Dhëndrin e ish-kryebashkiakut Qazim Sejdini

Gjykata dënon me 18 vite burg Sokol Sanxhaktari