MENU
klinika

Sa do të paguhen?

Mundësi punësimi për të burgosurit

16.03.2022 - 10:44

Qindra të burgosur në burgjet shqiptare do të mund të punësohen jo vetëm në institucionin e kryerjes së dënimit, por edhe në sektorë privatë, të tillë si fasoneritë. Programi, sipas Ministrisë së Drejtësisë, zbatohet për herë të parë.

PLANI

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve prezantuan dje projektin e ri për punësimin e të dënuarve në institucionet e ekzekutimeve të vendimeve penale. “Janë 380 të dënuar si fazë e parë që do të punësohen në IEVP e republikës. Sot nisim me Durrësin, ku kanë filluar punën 15 të dënuarit e parë. Është një program ambicioz, që implementohet për herë të parë me ligjin e ri për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve”, është shprehur Manja.

Ai ka shpjeguar se punësimi i personave që vuajnë dënimin në institucionet shqiptare, nuk do të jenë vetëm në administratën e burgjeve, por edhe në sektorin privat. “Në burgun e Fierit po diskutohet të punësohen 200 të dënuar në sektorin privat; po ashtu edhe 70 të dënuar në institucionin e vuajtjes së dënimit në Reç të rrethit të Shkodrës. Në total, siç e thashë, do të jenë 380 të punësuar në këtë fazë të parë që punojnë në administratën e burgjeve. Në lidhje me punësimet në bashkëpunim me sektorin privat, jemi në bisedime me shumë kompani, kryesisht në fushën e fasonerive. Në total do të jenë rreth 680 të dënuar që do të punësohen”, tha ministri i Drejtësisë.

Ai shpjegoi edhe mënyrën e pagesës që do të kryhet sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, ku të punësuarit në administratën e burgjeve dhe që paguhen me fondin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve do të kenë 25 për qind të pagës së funksionit që kryejnë, ndërkohë që të punësuarit në sektorin privat do të paguhen me pagën minimale. Në kuadrin e vjetër ligjor, puna e të dënuarve shpërblehej me zbritje të ditëve të dënimit. Në projektin e punësimit mund të përfshihen vetëm të dënuarit me vendim të formës së prerë.

“MBAJ FAMILJEN NGA BURGU”

Një prej të burgosurve në Burgun e Durrësit, i quajtur Kastriot Ramazani, punon si kuzhinier në ambientet e vuajtjes së dënimit. Ai thotë se me pagën që merr, i dërgon lekë fëmijës së tij. “Do të më ndihmojë që të t’ia çoj fëmijës tim, të ushqehet. Kam një nuse që është e papunë. I vetmi krah pune jam vetëm unë, unë jam këtu”, tha ai. Ramazani është dënuar me 8 vite burg, ndërsa aktualisht ka kryer vetëm 1 vit e gjysmë nga dënimi i tij.

Euro bie në nivelin më të ulët të dy viteve kundrejt dollarit

Çfarë po ndodh me monedhën europiane?

“Do ketë barazim të moshës për secilën gjini“

Daljet në pension 67 vjeç, Qeveria: Përpara vitit 2056!

REL: Zilja e alarmit është ndezur!

Ekonomia ruse drejt rënies së pashmangshme!