MENU
klinika

Sekuestrohen 2000 copë

Trafikonin kapsolla, arrestohen 3 të rinj në Durrës

15.03.2022 - 15:14

Policia e Durrësit ka vënë në pranga 3 persona, pasi janë kapur duke shitur kapsolle elektrodetonatore.

Të arrestuarit janë identifikuar si Arif Qerimaj, 32 vjeç, lindur dhe banues në Përmet; Xhem Vakaj 22 vjeç, i dënuar më parë dhe një 18-vjeçare, të dy banues në Durrës.

Xhem Vakaj dhe 18-vjeçarja po qarkullonin me një automjet tip “Audi”, me të cilin kanë shkuar te Shkëmbi i Kavajës, ku i priste shtetasi Arif Qerimaj, i cili kishte ardhur nga Përmeti dhe kishte me vete një çantë krahu dhe një kuti kartoni brenda të cilave kishte pako me kapsolla elektrodetonatore, gjithsej 2000 copë. Në momentin e shkëmbimit të kapsollave, të rinjtë janë kapur nga policia.

Gjatë kontrollit fizik, Xh. V. i është gjetur edhe një thikë.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2000 kapsolla elektrodetonatore, një xhaketë  dhe një pulovër si ato të Policisë, me simbole të Policisë, një kapuç, një thikë, automjeti tip “Audi” dhe 4 aparate celulare.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen e plotë të këtij rasti.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për hetime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Trafikimi i armëve dhe i municionit”.