MENU
klinika

Ylli Pata

Arsyet e përroit psiqik të njerëzve të Berishës ndaj ambasadores së SHBA

05.04.2022 - 21:40

Sali Berisha, nuk ka gjasa të ketë pasur ndonjë iluzion se SHBA do të kishte një qëndrim të ndryshëm pas largimit të Lulzim Bashës.

Megjithatë, ai dhe mbështetësit e tij mediatikë, e kanë përdorur heshtjen e ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim, apo edhe të zyrtarëve të tjerë pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, si një armë politike për të penetruar sa më thellë në strukturat e tulatura të PD-së, si pasojë e tërmetit që sollën zgjedhjet e pjesshme vendore.
Një ditë pas 6 marsit, mbështetësit e Berishës, natyrisht me inspirim nga Doktori, bënë të ditur se më shumë se një fitore ndaj Lulzim Bashës, zgjedhjet e pjesshme ishin një triumf ndaj SHBA e ambasadores Yuri Kim, ndaj arritën deri aty sa i kërkuan publikisht DASH ta shkarkonte diplomaten në Tiranë.

Natyrisht që e gjithë kjo taktikë totalisht e çthurur është një bllof banal, që as politikat e nivelit provincial nuk e përdorin më. Por, kjo mënyrë e të bërit politikë është marka par exellance e doktorit, që është klonuar nga enturazhi i tij në mënyrë ngjitëse, e nuk ka të dytë jo vetëm në Shqipëri.

Nuk është e vetmja ambasadorja Yuri Kim që është përballur me këtë mënyrë shantazhi provincial, pasi atë e kanë përjetuar edhe parardhësi i saj Donald Lu, paraardhësi i tij, Alexandër Arvizu, ambasadori John Withers, ambasadorët e BE-së: Romana Vlahutin e Luigi Soreca, ambasadori i OSBE-së, Bernd Botchart e shumë e shumë të tjerë.

E si për ironi të fatit, të gjithë këta diplomatë që janë agresuar nga Sali Berisha, Ilir Meta dhe njerëzit përreth tyre, kanë arritur promovime të rëndësishme në karrierën e tyre pas mbylljes së mandatit në Shqipëri.

Donald Lu-ja është sot numri dy i Departamentit të Shtetit me delegim për Azinë, po ashtu edhe Arvizu përpara se të dilte në pension u emërua zyrtar i lartë i DASH, madje edhe erdhi në Shqipëri me detyrën e re, si për t’i bërë karshillëk Berishës. Vlahutin e Soreca gjithashtu kanë poste të larta në shërbimin e jashtë të BE, kurse Botschard është këshilltar i qeverisë gjermane për Ballkanin etj.

Me një fjalë, Sali Berisha dhe njerëzit përreth, jo thjesht e kanë të qartë, por edhe e kanë provuar se ky lloj shantazhi nuk ka pirë ujë asnjëherë, e natyrisht ashtu do të ndodhë gjithmonë.

Po atëherë, përse pas takimit të ambasadores Yuri Kim me Enkelejd Alibeajn pati një përrua psiqik të një patologjie të rëndë cerebrale?

Takimi i Yuri Kim me Alibeajn është një zhvillim krejtësisht normal. Alibeaj sot është njeriu që ka institucionalisht të gjitha atributet zyrtare. Është kryetar i komanduar nga kryesia e PD-së pas dorëheqjes së Lulzim Bashës dhe kryetar i grupit parlamentar të opozitës në Kuvend.

Takimi është kryer në kohë dhe vend me një korrektesë protokollare, në zyrën që PD zotëron në ndërtesën e Parlamentit shqiptar. E Alibeaj, ka pasur e do të ketë edhe takime të tjera të këtij lloji, me diplomatë e zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë. Takimi i sotëm nuk ishte gjë tjetër, veçse vijimi i qëndrimit zyrtar të SHBA, qëndrim të cilin Berisha dhe të tijtë e dijnë dhe e kuptojnë fare mirë.

Por sulmi kaq i dhunshëm ndaj ambasadores Yuri Kim nuk është bërë për ta shantazhuar atë, apo politikën e lartë amerikanë siç e quan avokat Ngjela, por për të mbajtur me gajret “paramilitarët” që u aktivizuan në aksionin e “rikthimit të Berishës”, e po shikojnë se gjithë mundi i tyre po shkon kot.

Nga ana tjetër, ky agression është natyrisht një sinjal tipik drejtuar prokurorëve dhe hetuesve të Prokurorisë Speciale, që kanë në duar dosje që i djegin Berishës dhe grupit të tyre. Deri më sot, ky lloj shantazhi drejtuar këtyre njerëzve, të cilët janë natyrisht të brishtë e që kanë parë tmerret e xhindosjes së Berishës në vite, ka pirë ujë madje shumë.

Por në rastin e një avancimi të sanksioneve të qeverisë amerikane ndaj personave të shpallura Non Grata, shantazhi që ka funksionuar deri tani mund të fusë ujë, natyrisht edhe vrimat që janë hapur gjithandej…