MENU
klinika

Absurdi i çiftit dhe mes çiftit

Ata janë bashkëshortë, jo pronë e assecilit…

26.04.2022 - 16:30

          Ata të dy, janë martuar edhe në jetën reale. Por bashkëjetesa në skenë, do të nxjerrë në sipërfaqe të gjitha të pathënat mes një burri dhe një gruaje. Mes një çifti imagjinar, që para nesh shfaqet i zhveshur, për të çliruar nga komplekset që njerëzit parapëlqejnë t’i veshin martesës. Dy botë të kundërta, pazgjidhshmërisht të lidhura./Konica.al

Subjekti, me origjinë temën nga shoqëria britanike e viteve ’50-’60… gjen një terren të përsosur në shoqërinë shqiptare të kohëve moderne…

Dhe kështu… “Dhimbje e lehtë”, janë ëndrrat dhe dëshirat e një çifti të martuar.

Nën regjinë e Valdrin Hasanit, premiera ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Në role Eni Jani dhe Genci Fuga, si dhe Brendi Bega. Premierë për publikun, sikur shprehet aktori i njohur Genci Fuga, regjisori Valdrin Hasani ka vendosur, që, së bashku me Enin, atë dhe Brendi Begën (studentin në Master), të sjellë në vëmendjen e publikut të gjerë “Dhimbje e lehtë”, nga autori britanik, Harold Pinter.

“Vepra është shfaqur për herë të parë rreth vitit 1958, dhe ka në qendër raportet burrë -grua”, tregon Fuga. Aktori tregon se autori Harold Pinter, është shquar që të evidentojë, nisur nga histori dhe dialogje, në dukje të përditshme, probleme shumë të mëdha të komunikimit të këtyre dy botëve, burrit dhe gruas. Një nga temat e preferuara të Pinterit, është edhe kuptimi si “pronë” i bashkëshortes, jo siç e ka vërtet emrin bashkë-shorte! Probleme këto të shfaqura në shoqërinë britanike, përpara lëvizjeve të mëdha emancipuese.

Ky problem social, mund të themi që është një nga problemet më të mprehta sociale, sot e kësaj dite në shoqërinë tonë shqiptare”, shprehet aktori Genci Fuga, që vjen me rol në këtë shfaqje.

“Dhimbje e lehtë” vjen për publikun artdashës, në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, të enjten e 28 prillit, në orën 19.00.

Skenografia mban emrin e Beqo Nanajt, Rudi Erebara është përkthyesi.

Genci Fuga, shton ndërkqa, se, aktorët do të ndajnë përvojën e  tyre, para publikut.

“Ju kujtoj që të gjithë janë të ftuar rreth një orë e gjysmë, për të ndarë eksperiencën tonë të mrekullueshme” – vijon ai. Kjo vepër është vënë për herë të parë në skenë, në Londër, në vitin 1961. Pjesa bën fjalë për ëndrrat dhe dëshirat e një çifti të martuar. Ndaj rreket të tregojë më shumë mbi frikën e burrit, Eduardit, nga e panjohura, plakja dhe nga kërcënimet e tjera të identitetit të tij “gjysmak”.

Nisur nga kjo valencë negative e karakterit të tij, vijnë të gjitha pasiguritë dhe kërcënimet e nxitura nga shitësi i shkrepëseve, prej të cilit, Eduardi është terrorizuar. Sipas Eduardit, shitësi i shkrepëseve është plak, pothuajse tërësisht shurdh dhe me një sy prej xhami. Eduardi dhe Flora vazhdimisht, gjatë pjesës, zhyten në kujtimet e së kaluarës dhe përpiqen të rikujtojnë vitet e rinisë së hershme.

Harold Pinter (1930 – 2008), ishte një dramaturg, skenarist, regjisor dhe aktor britanik. Fitues i çmimit “Nobel”, Pinter ishte një nga dramaturgët britanikë më me ndikim modern, me një karrierë prej më shumë se 50 vjetësh.

Bashkë me autorë, si Samuel Beckett dhe Eugene Ionesco, Harold Pinter renditet ndër dramaturgët më të rëndësishëm bashkohorë të teatrit absurd. I shquar veçanërisht për stilin e mprehtë dhe imagjinatën, Pinter trajtoti tema kyçe, si: pushteti, komunikimi, identiteti, paqëndrueshmëria e kujtesës dhe dijes, duke u luhatur mes absurdes dhe reales, kjo me një larmi të jashtëzakonshme personazhesh./Konica.al

 

 

Hera Lera

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


I pari teatër shqiptar

‘Dasma e Lunxhërisë’ më 1874