MENU
klinika

Nga Roland Qafoku

Beteja e fortë Berisha-Alibeaj, kush do fitojë?

25.04.2022 - 09:54

Dikur pjestar në kabinetin e vet si ministër i Drejtësisë, Sali Berisha po has në një pengesë të madhe nga ana e Enkelejd Alebeajt në të gjitha drejtimet. Si nisi përplasja me të me një dialog simbolik në zyrë dhe tashmë që Alibeaj ka mbështetjen e shumicës së grupit parlamentar por edhe të SHBA-së. Çfarë ka ndodhur dhe çfarë pritet të ndodhë në një përplasje që në pak më shumë se një muaj, por tregon shumë, madje duke e larguar edhe më tepër Lulzim Bashën.

Nga Roland Qafoku

Sali Berisha me stofin e ujkut të vjetër të politikës dhe Enkelejd Alibeaj me stofin e një brezi tjetër që rrjedh nga derë bejlerësh, kanë nisur betejën më të fortë dhe më të ashpër në Partinë Demokratike. Skena e të enjtes së 21 prillit në foltoren e parlamentit kur Berisha e shtyu te Alibeajn duke e larguar prej andej tregoi simbolikisht se çfarë po ndodh realisht në PD. Tregoi Sali Berishën e nervozuar dhe Enkelejd Alibeajn të faktorizuar jo thjesht në një përplasje personale mes tyre, porse ata tashmë janë në një betejë se cili prej tyre do drejtojë në të ardhmen Partinë Demokratike. Tregoi se tashmë betejën Sali Berisha nuk e ka më me Lulzim Bashën pothuajse të mënjanuar plotësisht por me një personazh tjetër të brezit tij, Enkelejd Alibeaj. Një pesonazh që papritur është kthyer në një digë të fortë dhe mbi të gjitha që ka mbështetjen e SHBA. Juristi që më 11 shtator mbush 49 vjeç, deputet në tre legjislatura, ministër i Drejtësisë nga vitit 2007 deri në 2009 dhe drejtor i Kontrollit të Brendshëm dhe i Antikorrupsionit në qeverinë e Berishës po kthehet në kockën e fortë që as vetë Berisha nuk e kishte parashikuar. Madje, me atë që po bën dhe me atë që po thotë në mënyrë të drejtëpërdejtë, ai po tejkalon edhe Lulzim Bashën i cili vërtetë ishte ai që e përjashtoi Sali Berishën më 9 shtator nga grupi parlamentar, por nuk guxoi asnjëherë direkt në sy ti thoshte fjalë që Alibeaj i ka nxjerrë nga goja. Gjithçka u prodhua që më 25 mars kur Sali Berisha shkoi si triumfator në selinë e PD-së me vendimin e Gjykatës së Tiranës në dorë që i kishte dhënë të drejtë Komisionit të Rithemelmit. Përballë tij qendronte në zyrë Enkeled Alibeaj, i cili i quajti pushtim këtë inkursion të tij. Por mes shumë debatesh dhe replika politike dhe juridike mes tyre, u replikua edhe për diçka tjetër që kamerat nuk arritën ta kapin dhe që tregon akoma më shumë. Në konfidencë, dëshmitarët e atij takimi treguan fjalët që Berisha dhe Alibeaj shkëmbyen:

“Sali Berisha: Enkelejd, ti e di që unë e kam problem cigaren.

Enkelejd Alibeaj: Doktor, e di, por nuk e fik”.

Çfarë kishte ndodhur? Përse Enkelejd Alibeaj, politikani i një brezi tjetër që dikur punonte në kabinetin e Berishës dhe ishte një produkt ekskluziv i tij, papritur u kthye në pengesën më të madhe në tij në atë që ai e quan rikthim të madh? A duhet ta “lidhte gjuhën ai ushtari i tij që dikur rrinte në radhë” siç i tha dhe e “këshilloi” Flamur Noka? Përse Aliebaj kishte marrë zemër? A fshihen në këtë digë që ai ka ngritur ndaj Berishës inate dhe pakënaqësi të vjetra? Apo Albeaj të gjithë këtë e bën vetëm se ka marrë garanci nga diplomatët amerikanë që do jetë ai i mbështeturi i madh? Që nga 21 marsi Enkelejd Alibeaj u caktua si kryetari i komanduar i PD pas dorëhejqjes së Lulzim Bashës, vëmendja është zhvendosur nga ky i fundit që duket si i tretur në ujë nga ky largim. Madje Basha është fashitur edhe nga memoria mediatike dhe një rikthim i tij në krye të PD është pothuajse i pamundur edhe pse ai entuziasmohet se ka mbështetjen e demokratëve të Ndroqit. Ky spostim u duk edhe më qartë kur ditën e incidentit në Parlament mes Berishës dhe Alibeajt, ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, shkroi në faqen e saj në tëitter:

“Ditët e sulmit ndaj ndërtesave, rrahjes ose largimit të të tjerëve nga podiumet, kërcënimit të atyre që thonë me të drejtë “jo!”, akuzimit të të tjerëve për veprat e këqija që ka bërë, shtrembërimit të shtetit të së drejtës, llogaritjes së mosndëshkimit, ato ditë i përkasin një të shkuare që duhet të mos përsëritet”.

Rritja e Enkelejd Alibeajt si politikan nisi që më 25 mars menjëherë pas vizitës së Berishës në selinë e PD-së kur në një konferencë për shtyp e përjashtoi mundësinë e përfshirjes së tij në grupin parlamentar. Tha Alibeaj:

“Zoti Berisha nuk ka qenë ndonjëherë anëtar i grupit parlamentar të PD. Konstituimi i grupit parlamentar të PD ka ndodhur seancën e parë të PD. Ai grup parlamentar që njohu konstituimin e vet në 10 shtator”.

Në të njëjtën konferencë Alibeaj u duk i sigurtë në mbështetjen që i kanë dhënë diplomatët amerikanë teksa kujtoi vemdimin non grata të Berishës nga sekretari i Shtetit Antony Blinken teksa tha:

“Nuk rrëzohet Edi Rama duke patur në gjirin tonë jo vetëm një etiketim por duke patur edhe sanksione në gjirin tonë. Unë besoj se edhe sot siç edhe ndodhi, qëndrimet janë këto. Thirrja ime është për të gjithë anëtarët, ndjesë nëse kam tejkaluar ndonjë gjë nga ajo që ata mendojnë. E vetmja gjë që vendos shpirtrat tanë në qetësi është vlerat dhe e mira e PD”.

Nga ky moment, kaluan disa ditë të qeta. U duk sikur fuqia e Alibeajt do zbutej dhe ai vetë do tërhiqej. U mendua se zgjedhjet e degëve në qytete do ishin të tilla që dalëngadalë do ktheheshin në një faktor që as Alibeaj e as ndonjë deputet tjetër pranë tij nuk do kishte fuqinë minimale për ta kundërshtuar dhe për tiu kundërvënë Komisionit të Rithemelimit dhe procesit që ky komision po ndërmerrte në bazë. Por në një konferencë për shtyp, më 15 prill Sali Berisha për herë të parë la të kuptohej publikisht se pengesa e tij e madhe quhej Enkelejd Alibeaj teksa tha:

“Të besosh se Enkelejd Alibeaj është kryetar i PD mohon në mënyrë më absurde kuvendin e 11 dhjetorit që e ka shkarkuar Alibeajn nga detyra e nënkryetarit dhe anëtarit të kryesisë dhe mohon në mënyrë jo logjike 6 marsin dhe verdiktin ne qytetarëve”.

Po përse Sali Berisha i tha këto fjalë? Çfarë kishte ndodhur kur vetëm disa ditë më parë po vetë Berisha kishte bërë një thirrje tjetër për bashkimin e të gjithë demokratëve duke mos përjashtuar askënd? Vetë Berisha tregoi një detaj jo të vogël për përpjekjet e tij për ta afruar Alibeajn në aksionin e tij politik. Por kjo ishte refuzuar. Tha Berisha në konferencë për shtyp:

“Pas vendimit të gjykatës së Tiranës njeriun e parë që kam takuar që kam shtrirë dorën ka qenë Alibeaj dhe Gaz Bardhi. U ula më së pari me ta për të dhënë mesazhet e shkëputjes nga një periudhë jo normale të partisë dhe përçarje të PD. Njeriu që e krijoi u largua duke marrë të gjitha përgjegjësitë. Por kjo ofertë gjeti refuzimin e zotit Alibeaj. Alibeaj jo vetëm refuzoi ofertën por i urdhëruar nga Ram nëpërmjet Bashës siç e tha vetë Basha në Shkodër, paditi PD në gjykatë”.

Dhe Sali Berisha nisi sulmet ndaj Alibeajt siç di Sali Berisha. Ai, ose të sulmon me të gjitha bateritë dhe të gjitha format, ose nuk të sulmon fare. Për të, këtë herë Alibeaj u bë bashkëpunëtor i Edi Ramës, u bë autor i një platforme për të shkatërruar PD-në, u bë me një fjalë targeti kryesor i Sali Berishës. E gjithë kjo për faktin se Aliebaj ato ditë kishte depozituar në gjykatë si kryear i PD-së një padi që kërkonte hedhjen poshtë të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë e cila më parë i kishte dhënë të drejtë Komisionit të Rikthemelimit. Shumë kush mendoi se kaq ishte edhe jetëgjatësia e Enkelejd Alibeajt në krye të PD-së si iu komanduar. Fakti që Berisha iu drejtua me fjalët se ishte shkarkuar, kjo u mor si e mirëqënë. Por arma më e fortë e Alibeajt ishte fakti që përveçse kryetar i komanduar, ai është njëkohësisht edhe kryetar i grupit parlamentar, një detyrë që as Berisha e as kush nuk e anashkalon dot. Por, vetëm 24 orë më vonë Enkelejd Alibeaj reagoi edhe më fortë se më parë. Ai u tregua i prerë ku tha mes të tjerave se Sali Berisha nuk ishte anëtar i grupit parlmentar dhe se nuk duhet të ishte present në mbledhjet e këtij grupi. Tha Alibeaj më 16 prill:

“Në datën 11 shtator kur është konstituuar grupi parlamentar, nuk ishte Sali Berisha. Kjo është e para, nuk ka asnjë dyshim. Më e qartë është fakti se për Berishën ka një etiketim si non-grata. Më mirëkuptoni, nuk ka lidhje vetëm me individin Sali Berisha. Kjo është një çështje që përcakton marrëdhëniet që PD do duhet të ketë me SHBA-në. Për këtë arsye, do duhet të kuptojmë që disenjimi non-grata prek marrëdhëniet që PD do duhet të ketë me SHBA-në. Jo vetëm për kulturë politike, besoj që ruajtja e marrëdhënies me SHBA-të, prevalon mbi gjithçka”.

Më tej Alibeaj shpjegoi sa vlerë kishte fakti që Sali Berisha dhe mbështetësit e tij tashmë ishin kthyer në zotër të selisë së PD duke marrë edhe zyrën e kryetarit Basha. Dhe në këtë pikë Alibeaj nuk toleroi. Përsëri qëndroi prerë kur etiketoi Berishën me fjalën “pushtues”. Tha Alibeaj:

“Berisha është futur aty me anë të një vendimi që nuk është i formës së prerë. Nuk i ka dhënë të drejtë askujt të zaptojë selinë e PD-së. Kushdo demokrat, aq më tepër ish-kryetarë, në këtë situatë të vështirë, do duhet që secili të shohë se çfarë po ndodh me demokratët. Nuk është as zyra e selia, por demokratët, janë ata që kontribuojnë. Do duhet që secili nga ne që i përfaqësojmë, duhet të mendojmë se çfarë do bëjmë për ta. Përsa kohë që ka një dizenjim non-grata nga SHBA që prej të ardhmen, do të duhet të sakrifikohet, ose vetësakrifikohet”.

Enkelejd Alibeaj nuk ishte bërë thjesht një trim. Ai po shfaqte një forcë në këtë betejë me Sali Berishën që po merrte jo vetëm terren dhe mbështetje nga ata që dukej sikur ishin pak në grupin parlamentar por edhe në bazë. Po më 16 prill, në një intervistë që për hir të vërtetës nuk iu bënë pyetje të drejtëpërdrejta, Alibeaj tregoi hapur se mbështetja e tij më e madhe në këtë betejë ishte e SHBA. Dukej hapur që selia e rrugës së Elbasnait i kishte dhënë atioj shumë kredite. Tha Alibeaj:

“Me 11 shtator grupi është pa Berishën në të. Kjo është përbërja dhe s’ka dyshime. Ajo se unë besoj se është më e qartë është fakti që për të ka një etiketim non grata nga SHBA. Kjo çështje përcakton marrëdhëniet PD-SHBA. Jo vetëm për kulturë politike besoj se ruajtja në mënyrë të sinqertë këto marrëdhënie prevalon mbi këdo. Berisha ka ardhur në PD me një vendim gjykate jo i formës së prerë. Ai vendim nuk i jep të drejtë Berishës të zaptoje PD-në. Secili prej nesh duhet të lëshojë diccka nga vetja. Basha dha dorëheqjen se iu kërkua nga një pjesë e madhe me idenë për të kapërcyer këtë moment dhe Berisha do të duhet të bëjë të njëjtën gjë”.

Dhe në fund të deklaratës Alibeja nxjorri nga mënga ndoshta veprimin e tij më spektakolar në të gjithë këtë histori. Shpalli platformën për bashkimin e PD-së me gjashtë pika duke lexuar emrat e 32 deputetëve që e kishin firmosur atë dhe që në një farë mënyre mbështesnin Alibeajn kundrejt 14 deputetëve që ishin kundër dhe 6 deputetëe që nuk ishin as me grupin e parë e as me grupin e dytë. Dhe kulmi i platformës ishte që Sali Berisha nuk duhet të ishte pjesë e saj. E gjithë kjo ishte vërtetë një befasi dhe goditje e fortë për Komisionin e Rithemelimit. Askush deri në ato momente nuk dinte numrin e saktë të deputetëve që e mbështesnin Alibeajn dhe numrin e atyre që mbështesin Sali Berishën. Teksa lexoheshin një e nga një emrat, në këto momente dukej sikur Enkeledj Alibeaj kishte fituar një betejë sado të vogël ndaj Berishës. Përmendja e faktit që PD lindi si një parti properëndimore dhe proamerikane e largonte fare Berishën nga skena. Togëfjalëshi i përsëritur nga Alibeaj se ai është non grata dhe PD nuk mund të shkëpusë marrëdhëniet me SHBA-në vërtetë ka ngjitur tek një pjesë e konsiderueshme në këtë parti. Ndërkohë, për Berishën kjo ishte një goditje e rëndë. Më 18 prill, në një sulm frontal, ai për herë të parë i bëri bashkë Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn duke nxjerrë nga arsenali i vet një superakuzë:

“Basha dhe Alibeaj janë angazhuar në një proces të turpshëm manipulimi të grupit parlamentar. Duke u angazhuar në këtë proces ata i lejuan vetes të mbajnë, të vazhdojnë qëndrimin e mosnjohjes së Kuvendit të 11 dhjetorit”.

Më 22 prill mbërriti edhe kulmi i kësaj beteje të fituar nga Alibeaj. Gjykata pranoi padinë që ai kishte depozituar në të cilën kishte kërkuar hedhjen poshtë të kuvendit të 11 dhjetorit nga ana e Komisionit të Rithemelimit. Vërtetë ishte thjesht një pranim padie, por në PD pati vlerën e nje vendimi sipas të cilit Alibeajt i jepej e drejta për të drejtuar PD-në. Në kampin e Komisionit të Rithemelimit ra heshtja dhe u rrit nervozimi. Berisha nuk mjaftoi me sulme vetëm ndaj Alibeajt. Këtë herë bateritë e tij u drejtuan ndaj Yuri Kim si një ambasadore që sipas tij kishte ndërhyrë në gjykaatë për të tjetërsuar një vendim. Madje Berisha shkoi edhe më tej teksa tha se do ankohej në Departamentin e Shtetit për këtë ndërhyrje të Kim. Ndodhur në këtë situatë, kriza në PD jo vetëm nuk është zgjidhur por është thelluar edhe më shumë. Bashkim dhe pajtim nuk ka. Shumica e grupit parlamentar mbështet Enkelejd Alibeajn si kryetar dhe SHBA mbështet fort po këtë grup. Ndërkohë nëpër degë po mbarojnë edhe zgjedhjet për kryetar të cilat edhe ato janë kontestuar jo pak. Pas pak ditësh Komisioni i Rithemelimit do nisë zgjedhjet për kryetrin e partisë për të cilat gjasat janë të jetë Sali Berisha. Ajo që mbetet nga e gjithë kjo histori e gjatë në një periudhë të shkurtër është beteja mes Sali Berishës dhe Enkeled Alibeajt. Një betejë që pritet të jetë e gjatë po aq sa koha që PD do endet nëpër gjykatë. Sali Berishës i doli përpara një pengesë që në rastin më e mirë e quante të lehtë dhe në rastin më të keq është ai që po e pengon fort në atë rikthim të madh që ai synonte. Lulzim Bashën e largoi, por a do arrijë të largojë Enkeled Alibeajn? Nëse gjykata do vendosë pro PD-së zyrtare, gjasat janë që Berisha të humbasë këtë betëjë, të vetmen të bër ëbrenda PD-së në ëkto 32 vjet. Nëse ndodh kjo, emri i fituesit është Enkeled Alibeaj, pikërisht ai që e mori aq lehtë në fillim, por që është kthyer në kockë të fortë dhe që pritet të vulosë fatin e Berishës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Arrestohet disa orë pas daljes nga burgu “Buzëderri”!

Sokol Simonati përfitoi nga amnistia, por…

"Të rikthehen koalicionet dhe lista të hapura"

Bylykbashi prezanton qëndrimin për reformën zgjedhore

Do t’i propozohen për votim Konventës Kombëtare

EMRAT/ Partia e Lirisë miraton listën me anëtarët e Kryesisë