MENU
klinika

Elva Margariti mban “sekret” marrëveshjen

Butrinti i jepet me koncesion një fondacioni për 10 vjet!

27.04.2022 - 09:43

Komisioni i Edukimit nisi dje shqyrtimin e projektligjit për dhënien me koncesion për një afat 10- vjeçar të parkut kombëtar të për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit.

Në projektligj parashikohet dhënia përmes një marrëveshjeje nën administrim e Parkut Kombëtar të Butrintit një fondacioni të posaçëm, cili do krijohet mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan për i Zhvillim, AADF.

Mbledhja u shoqëruar me debate dhe largim të opozitës, që kërkoi shtyrjen e mbledhjes dhe vendosjen në dispozicion të marrëveshjes, e cila akuzoi qeverinë se po mbahet e fshehtë.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, foli me superlativa për atë që ajo e cilësoi si risi në menaxhimin e parkut kombëtar, ndërsa hodhi poshtë dhënien me koncesion pasi pronar do vazhdojë të jetë shteti. Sipas saj, marrëveshja është mbështetur nga UNESCO do krijojë një model menaxhimi hibrid ku shteti ka një rol primar, ndërsa Butrinti do përfitojë.

“Ministria e Kulturës do të vendosë 2 milionë dollarë kontribut që aktualisht ndodhen në arkën e Butrintit, ndërsa AADF-ja vendos 5 milionë dollarë si grant”.

Margariti theksoi se: “Investimet kryesore do shtrihen në 5 vitet e para të operimit, me ndërtimin e qendrës së vizitorëve, punimet e konservimit me hyrjen e re në sit dhe ‘baypass’-in që duam të krijojmë për aksesimin e të gjithë komunitetit. Çdo e ardhur që vjen nga Butrinti ngel në Butrint. Kjo është një qasje dhe mendësi të re. Është parashikuar qartë në planin e biznesit që të gjitha rrënoja dhe monumentet e Butrintit të restaurohen deri në vitin e 7 të zbatimit të kësaj marrëveshje dhe implementimit të modelit të ri të administrimit. Modeli financiar parashikon rreth 3 milionë dollarë për konservim dhe 600 mijë dollarë shtesë për mirëmbajtjen e vazhdueshme të rrënojave arkeologjike. Në këtë plan menaxhimi dhe model administrimi komuniteti shikohet si faktor kyç për të pasur të gjithë ndërveprimin e tyre për të çuar më tepër paratë e këtij plani drejt komunitetit. Modeli i ri synon të punësoje deri në vitin e shtatë deri në 104 banorë lokalë”.

Ministrja e Kulturës nuk dha detaje në lidhje me marrëveshjen me Fondacionin Shqiptaro Amerikan, por tha se ky sekret qëndron vetëm në aspektin ekonomik.

“Kofidencialiteti qëndron vetëm për të gjitha aspektet ekonomike, të cilat janë të qartësuara në planin e biznesit. Kjo është një marrëveshje, e cila ka kaluar një sërë negocimesh dhe institucionet shtetërore. Plani i biznesit për ne është një element kyç, i cili ka mundësinë e kofidencialitetit për sa kohë kemi një marrëveshje në formën e grantit dhe operacionalitetit. Është një produkt voluminoz tabelar, i cili parashtrohet dhe ne e kemi zbërthyer në narrativë ekonomike-ligjore. Nuk do të doja të keqinterpretoheshin të gjithë elementët e parashikuar në planin e biznesit në këto komisioni për sa kohë Ministria ka të gjithë tagerin, të drejtën dhe detyrimin që në çdo moment të rishohë ecurinë e planit të biznesit, të marrë masa për mirëmenaxhimin e sajtit dhe planit të biznesit”.

Sipas projektligjit, fondacioni është ai që parashikon edhe çmimiet e biletave për vizitorët në Parkun e Butrintit, por fillimisht është përcaktuar një çmim mesatar në shumën prej 7 deri në 11 dollarë për të gjithë kohëzgjatjen e marrëveshjes. Aktualisht, për të hyrë në Butrint ka shifra të ndryshme pagesash për biletë, që variojnë nga 300 lekë për fëmijët 12-18 vjeç dhe studentët, 800 lekë për grupet mbi 12 persona dhe 1 mijë lekë për turistët vendas dhe të huaj.

Zhupa i heq mikrofonin Margaritit: Nuk ta japim Butrintin, është marrëveshje turpi

Deputetja e PD-së, Ina Zhupa, është përplasur dje me ministren e Kulturës Elva Margariti në lidhje me projektligjin për marrëveshjen për dhënien me koncesion të Parkut Kombëtar të Butrintit. Teksa mori fjalën për procedurë, Zhupa kërkoi që ky komision të ishte përgjegjës për këtë projektligj, duke i kërkuar kryetrarit Petro Koçi ta ndërpresë mbledhjen. Por, nisja e fjalës nga ministrja e Kulturës shkaktoi edhe reagimin e deputetes, e cila fillimisht u ngrit dhe i kërkoi të ndalonte së foluri duke i thënë se ajo nuk mund të vazhdonte dhe rënë me duar tavolinës në shenjë proteste. Pasi Margariti vazhdoi, Zhupa u ngrit dhe i hoqi mikrofonin, ndërsa u desh edhe ndërhyrja e gardës. “Nuk ta japim ne Butrintin ty si Teatrin Kombëtar. Ne jemi komision përgjegjës. Zoti Petro po shkel rregulloren. Zonja ministre, nuk kalohet kështu. Të lutem, do të japë ajo si mall Butrintin, siç dha Teatrin(i heq mikrofonin). Nuk të vjen zor, je njeri që ke dhënë teatrin tani kërkon të japësh Butrintin. Kjo është marrëveshja jote e turpit. Të të vijë zor nga vetja. Turp! Edhe ju të gjithëve t’ju vije turp. Njerëz të papërgjegjshëm. Pse është marrëveshja sekrete? Të të vijë zor. Njerëz të papërgjegjshëm”, tha Zhupa. Nga ana e saj, Margariti u përgjigj duke thënë se: “Butrinti nuk është imi personal dhe as i juaji personal. Të pëlqen nuk të pëlqen do ta dëgjosh, nëse nuk të pëlqen bëj kritika në fund. Turpin ti e vesh përditë. Ti je fytyra e turpit në këtë komision, je anti-njeriu dhe anti-femra”

Katër vite më parë nisi të ndërtohej një lokal brenda zonës arkeologjike

Një skandal ndodhi në qytetin antik të Butrintit 4 vite më parë. Edhe pse ishte e ndaluar çdo lloj ndërhyrje në ketë park arkeologjik i mbrojtur nga UNESCO punëtorë ndërtimi po kryejnë punime, madje duke shtruar edhe beton. Teksa në atë kohë gazetarët u ndaluan për të hyrë në Butrint me urdhër nga drejtori i Parkut, në media qarkulluan disa fotot nga punimet të cilat po behën në akropolin e qytetit pranë Kullës veneciane, ndërtesa me e lartë në Butrint. Punëtorët u kapën duke bërë beton me disa pajisje të vjetra dhe dukej si një kantier ndërtimi. Në fotot e publikuara dukej një ndërtesë ka qenë godinë e vjetër që përdorej nga ekspeditat si vend për të grumbulluar materialet e gërmimeve të ndryshme dhe është e mbështetur te një trakt muri prehistorik që daton në shekullin 7-8 para Krishtit. Në atë kantier nuk kishte tabelë në lidhje me punimet, madje edhe punëtorët nuk dinin se për kë punonin. Në atë kohë pati informacione se aty do të bëhet një lokal me pronar nga Tirana. Madje u përfol edhe se po planifikohej edhe një lokal mbi shkallet e amfiteatrit antik të Butrintit duke e çuar ne 2 numrin e lokaleve që do të ndërtohen në qytetin antik të Butrintit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çfarë thotë AADF për këtë ndryshim?

Qyteti antik i Butrintit jepet 10 vite me koncesion

Qyteti antik do të menaxhohet nga...

Butrinti jepet me koncesion për 10 vjet!