Duket se kreut të UEFA-s, Alexander Ceferin, nuk i del inati me organizatorët e Superligës Europianë. Ai është rikthyer të flas lidhur me këtë çështje, një projekt i iniciuar nga klubet e mëdha europiane, të cilat kishin planifikuar krijimin e një kompeticioni të vetin.
Në një prononcim për “Calcio & Finanza”, Ceferin ka hedhur akuza kundrejt klubeve si Real, Juventus dhe Barcelona, duke theksuar se ato u përpoqën të përdornin situatën e luftës për të risjellë në jetë projektin.
“Mbështetësit e Superligës Europiane sfidojnë realitetin. Tre klube iniciatore të projektit u përpoqën të përdornin situatën e shkaktuar nga lufta për të rifilluar projektin. E provuan një herë gjatë pandemisë dhe tani po e provojnë përsëri.
Toleranca ndaj këtyre klubeve nuk duhet të ekzistojë, ata nuk mund të injorojnë autoritetet e futbollit dhe mbi të gjitha tifozët”, – u shpreh Ceferin. Për ironi të fatit, Real Madrid ka shkuar deri në gjysmëfinale të Champions, që e organizon UEFA.