MENU
klinika

36 vjet më vonë, pa asnjë mësim...

Çernobili dhe kërcënimi aktual bërthamor!

28.04.2022 - 17:25

        Kërcënimi bërthamor që sot i kanoset botës, në territoret e Ukrainës dhe Bjellorusisë u përjetua në vitin 1986. Kjo ditë shënon 36 vite pas natës kur shpërtheu reaktori nr.4 bërthamor i Çernobilit, duke shkaktuar katastrofën më të madhe bërthamore në histori.

Ndoshta sot askush mund të mos ta mbajë mend atë ngjarje, pasi jemi nën një kërcënim të ri bërthamor, që Evropa përpiqet ta shmangë. Rusia po e përdor kërcënimin, si armën më të fuqishme që ka në dorë, për të arritur qëllimet e saj. Ndërkohë, Ukraina dhe Bjellorusia kanë përvojën e tyre e hidhur, nga pasojat e shpërthimit.

Historiani Serhi Ploki, në librin e tij kushtuar Çernobilit, nxjerr në pah faktorët që çuan në atë tragjedi, duke përmendur qasjen sipërfaqësore të regjimit sovjetik në organizimin e punës, faktorin personal në zinxhirin komandues, që kishte si moto  “eprorëve, mos u jep lajme të këqija” dhe mungesën e plotë të transparencës midis institucioneve shtetërore dhe njerëzve në menaxhimin e emergjencës.

Pas dekadash kërkime mbi atë katastrofë, historia ka mundur t’i japë disa përgjigje mbi atë që ndodhi atë natë dhe në javët në vijim, në pranverën e vitit 1986. Por, ajo që mbetet në kujtimet e ukrainasve dhe bjellorusëve, janë imazhet ende të gjalla të banorëve të cilët vdiqën nga rrezatimi, pa e ditur në atë moment, si dhe pse, ndoshta të kapur për dore, deri në frymën e fundit.

Disa ditë pas shpërtjimit, radhët e gjata të autobusëve, me të shpërngulurit që nuk e panë më shtëpinë. Sëmundjet që prekën shumë shpejt pasagjerët e atyre autobusëve, banorët e mbetur në zonat ngjitur dhe ndërtuesit e sarkofagut mbi reaktorin nr.4.

Kujtimet mbeten të gjalla, pavarësisht fshatrave të tëra që i gëlltiti toka. Ato mbeten të pranishme në tabelat udhëzuese, në furrat nëpër shtëpitë që dallojnë ende dhe midis gjelbërimit të harlisur, nga disa monumente kushtuar të rënëve në Luftën e Dytë Botërore dhe që dikur përbënin qendrën e këtij vendi. Këto kujtime, janë zhvendosur së bashku me njerëzit. Por edhe me ata që janë larguar nga zonat përreth Çernobilit, të ndarë në 4 nivele sipas nivelit të infektimit. Ata e rifilluan jetën nga e para, në qytetet: Sumi, Perejasllav, Kiev dhe Polltava.

Disa prej tyre, u detyruan ta përjetojnë sërish përvojën e shpërnguljes, për shkak të pushtimit aktual rus. Për shkak të këtyre kujtimeve, ukrainasit dhe bjellorusët, nuk do të kishin shkuar kurrë për të gërmomuar në Pyllin e Kuq, apo të ngrinin kampe në fshatra të braktisura si Poliske, ku u gjetën 5 trupat e torturuar e të pajetë të të rinjve, në një bodrum.

Këto janë kujtimet që ndajnë së bashku, populli ukrainas, bjellorus dhe ai rus, dhe nëse edhe në Ukrainën e pavarur, menaxhimi i “zonës së përjashtimit” nuk mund të përkufizohet si ideali, kujtimi i të mbijetuarve, i trashëguar ndër breza, ai mbetet “dokumenti ideal”, për t’u kuptuar më mirë, se çfarë është në fakt kërcënimi bërthamor, si në nivel lokal, ashtu edhe në atë global.

Këto janë mësimet e radhës nga e kaluara, që nuk i kemi mësuar deri në fund, leksione që rishfaqen në këto ditë të errëta, me ndjenjën se, tashmë e kemi përjetuar më parë, këtë histori. Por, fakti i përjetimit sërish, konfirmon se asgjë nuk është nxënë, apo se nuk ka ekzistuar dëshira për të mësuar.

Pas tragjedisë së pafundme të Çernobilit, Rusia e kërcënon paturpësisht botën, duke konfirmuar se në tragjedinë e Çernobilit, kujtesa ruse është e ndryshme nga ajo e ukrainasve. Kujtesa ruse, është ajo e atyre që e menaxhuan nga Moska, në mënyrën më të keqe të mundshme, tragjedinë e reaktorit bërthamor. Por është edhe e atyre, që në shumë raste të tjera, përfshirë kjo e ditëve të fundit, nuk kanë dashur asnjëherë, të pranojnë përgjegjësitë e tyre.

 

Yaryna Grusha Possamai