Panorama.al ka mësuar të tjera detaje që fshihen pas arrestimit të Nuredin Dumanit. Korrespondenti i Panorama raporton se Dumani ka qenë i kontaktuar nga një grup kriminal që operon në qytetin e Elbasanit, për të ekzekutuar Sokol Sanxhaktarin, dhëndrin e Qazim Sejdrinit.
Vrasja në fjalë ishte porositur të ndodhte rreth dy vite më parë dhe Nuredin Dumani për të realizuar misionin e marrë për sipër, ishte vendosur dy muaj në një zonë të Elbasanit, ku do të studionte të gjithë lëvizjet e Sokol Sanxhaktarit për të gjetur momentin e duhur për ta eliminuar.
Aktualisht Sanxhaktari është i dënuar për një ngjarje kriminale të ndodhur në qytetin e Elbasanit.
Prokuroria e Elbasanit është duke hetuar me qëllim hedhjen dritë dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes, që më pas çoi në arrestimin e Nuredin Dumanit.
Po ashtu mësohet se Nuredin Dumani është marrë në pyetje nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Gjatë hetimeve, oficerët e BKH kanë pyetur Dumanin lidhur me objektivin që ai kishte për të eliminuar dhe për porositësit, si dhe për ngjarje të tjera që janë të lidhura pas emrit të Nuredin Dumanit.