MENU
klinika

Fara e skaduar, dështon prodhimi i specave

Fermerët në Dimal: Na mashtruan pikat e shitjes

19.04.2022 - 11:33

Me qindra hektarë janë mbjellë me perime në serat e fshatit Çiflik të Bashkisë së Dimalit. Tashmë është koha e vjeljes së specave, por fermerët ankohen për prodhimin e dobët.

“Duke lidhur frutat duket se është e dëmtuar se nuk ka fara speci. Unë me këtë punë merrem 7 milionë lek më ka shkuar për ta mbjellë. Nuk nxjerr fitime fare, madje del me humbje.”- u shpreh një fermer.

Ata shprehen se fara e specave është e skaduar dhe se këtë e kuptuan menjëherë pas çeljes së luleve dhe daljes së perimeve të para. Kjo farë ka dëmtuar tashmë më shumë se gjysmën e prodhimit.

“Shteti nuk duhet t’i kontrollojë pikat e tregtimit të farave dhe plehrave kimikë. Ne porosisim fidanë por s’dimë çfarë marrim. Kur i mbjellim këtu na del pa farë, fruti nuk rritet mbetet i vogël”, thanë ata.

Fermerët shprehen se Ministria e Bujqësisë duhet të ushtrojë kontrolle në pikat e tregtimit të farërave dhe fidanëve.

Cilësia e farërave dhe fidanëve është një shqetësim i vazhdueshëm i fermerëve. Edhe vitin e kaluar u dëmtua prodhimi i domateve në serat e Beratit e Fierit.