Tashmë, kur kanë mbetur vetëm 28 ditë nga finalja e madhe dhe historike e UEFA Conference League, që do të zhvillohet në Tiranë, interesi për të qenë të pranishëm dhe për të ndjekur “live” në stadium këtë ndeshje shtohet dita-ditës.
Prej disa javësh, UEFA ka njoftuar të gjithë tifozët e futbollit në të gjithë botën se është hapur procesi i shitjes së biletave të finales historike të Conference League, që do të luhet më 25 maj 2022 në stadiumin “Air Albania”.
Të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të ndjekin këtë ndeshje në stadium mund të pajisen me një biletë vetëm përmes një procesi që kryhet online, duke u regjistruar në linkun https://europaconferenceleague-sales.tickets.uefa.com/.
Në një intervistë për RTSH, drejtori i Departamentit të Marketingut në FSHF, Gazmend Malo shpjegon procedurën hap pas hapi se si duhet të aplikojnë të gjithë të interesuarit.
“Linku është aktiv në faqen e UEFA-s prej disa ditësh dhe ne e kemi bërë publike që prej ditës së parë edhe në faqen tonë zyrtare fshf.org. Ndër lajmet e fundit është edhe lajmi që përmban të dhënat se si të aksesojmë në sistemin e UEFA-s.
Klikohet mbi link, duke u futur kështu në faqen e UEFA-s për këtë aplikim. Nëse jemi përdorues të regjistruar më parë, mund të aksesojmë duke përsëritur të dhënat tona, ose nëse nuk jemi të regjistruar, vetë faqja të jep opsionin që të krijosh një llogari të re.
Vendos e-mail-in, më pas password-in (që nuk është password i e-mail-it, por password për këtë llogari) dhe më pas të dhëna të tjera bazike që janë emër, mbiemër, gjini, datëlindje. Pasi bëjmë këtë, në adresën e e-mailit që ne kemi dhënë, do të na vijë një e-mail nga UEFA që kërkon konfirmimin aktiv. Procedura në parim si hap i parë quhet i plotësuar dhe pastaj na komunikohet që do të na kontaktojnë së shpejti me hapjen e procesit të biletave” – sqaron ai.
Në intervistën për RTSH, Malo flet edhe për ndarjen e biletave për këtë ndeshje si edhe thekson se biletat do të jenë nominative. “E gjithë sasia e disponueshme është e ndarë në tre kategori të përgjithshme. Kuotat e paracaktuara për ekipet finaliste, ku secili prej klubeve do të ketë në dispozicion rreth 4000 bileta secili.
Sasia e dytë është ajo e publikut të përgjithshëm (pajisen me bileta të gjithë njerëzit që kryejnë procedurën e sipërpërmendur), ku janë në dispozicion rreth 8000 bileta dhe më pas pjesa tjetër i përket UEFA-s, që e menaxhon në nivel protokollar.
Do t’i jepet prioritet aplikimeve që vijnë nga Shqipëria. Në momentin që flasim, aplikimet kanë tejkaluar biletat e disponueshme dhe janë diku te 6000 aplikime deri tani, që duke i llogaritur me x4 bileta secili, janë 24.000 bileta në momentin që flasim për 8000 vende. Çdo biletë është nominative dhe do të ketë kontroll rigoroz në hyrje të stadiumit, që mos të futen persona të tjerë” – tha Gazmend Malo.