Kampioni i botës në peshën e rëndë, boksieri britanik Tyson Fury, ka insistuar në deklaratën e tij se pas sfidës që do të zhvillojë këtë të shtunë ndaj Dillian Whyte, do të tërhiqet nga sporti.
Ai shprehet se pas kaq shumë vitesh në ring është koha të ndalet, si i pamposhtur dhe kampion bote. 33-vjeçari britanik e konfirmoi edhe më herët këtë tërheqje, por njerëzit nuk e besuan. Ndaj ai iu rikthye kësaj teme në prag të sfidës që do të zhvillojë para fansave të tij, në stadiumin “Wembley” të Londrës, ku do të mbrojë titullin e kategorisë WBC.
“Këtë javë do ta shijoj në maksimum. Ky do të jetë fundi për mua. Do të marr një fitore të mirë të shtunën dhe më pas relaks. Do të ulem në karrige dhe do të shijoj jetën time”, – tha Tyson Fury, 31 fitore e 1 barazim në karrierë.
“Ka qenë një udhëtim i gjatë, me ulje e ngritje në karrierën time. Kam gati 20 vite karrierë, jam gati 34 vjeç dhe mendoj se kjo është e mjaftueshme për këdo. Ka shumë gjëra që do të bëj me fëmijet e mi më pas dhe do të shijoj jetën”, – u shpreh Fury.