MENU
klinika

Rama kujton Teatrin Kombëtar

Kryeministri: Janë rritur çmimet… (rrini pa teatër!)

25.04.2022 - 14:23

         Objekti që, prej 82 vitesh, ishte pjesë e memories kolektive, do të rrafshohej 17 majin e dy viteve më parë. Godina, porosi e mbretit Zog, më pas e Teatrit Kombëtar, do të ishte skena e historisë së kryeqytetit, ku kanë hyrë e kanë dalë fashistë, nazistë, komunistë, me të fundit… protestuesit.

Ndërkohë, Kryeministri Rama, vlerëson se lufta në Ukrainë ka rritur çmimet në tërësi, situatë që ka ndikuar edhe për rritjen e kostove në sektorin e ndërtimit.

Nga Kryeministria, gjatë një konference për mediet, Rama u shpreh se, ky është një nga faktorët, pse ka mbetur pezull ndërtimi i teatrit të ri.

Sipas tij, problemi qëndron te zbatimi i projektit, pasi kompanitë nuk mund të marrin pjesë në garë me manualin ekzistues teksa çmimet janë rritur.

“Lufta në Ukrainë, që, ka ndikuar rritjen e çmimeve në tërësi dhe rritjen së çmimit të ndërtimit, në veçanti.

Jemi duke diskutuar për faktin, se, ka pasur një ndikim jo të vogël në industrinë e ndërtimit. Nuk ka asnjë problem, sa i përket projektit të teatrit, i gjithë problemi qëndron te ky moment i vështirë, nga letrat në realitetin e zbatimit, për shkak të rritjes së çmimeve.

Jemi duke rishikuar manualin që kemi për këtë qëllim, sepse është e kotë që me manualin ekzistues, t’u kërkosh kompanive që të marrin pjesë në gara, që janë de fakto, shumë më të shtrenjta nga sa figurojnë në manualin ekzistues”, – tha Rama.

Ndër faktorët e tjerë që kanë penguar ndërtimin e teatrit, Rama përmendi edhe tërmetin e nëntorit 2019 dhe pandeminë.

Kreu i qeverisë, nënvizoi se po punohet për të gjetur një zgjidhje dhe teatri i ri, do të ndërtohet sipas projektir.

Teatri Kombëtar nisi të ndërtohej më 6 janar të vitit 1939 dhe u shkatërrua më 17 maj të vitit 2020. Kjo godinë pjesë e kompleksit Skënderbej, u ndërtua në një truall prej 13 mijë metrash katrorë, ku u vendosën 7 godina.

Respektimi mes hapësirave të gjelbërta dhe godinave u realizua mjeshtërisht, nga arkitektët italianë, që, përmes projekteve dhe planeve urbanistike, i dhanë Tiranës, një stil dhe identitet krejt të veçantë. Dhe kryeqytetit të shqiptarëve, një identitet, një histori, një trashëgimi.