14 pikë në raport me vendin e dytë, i japin Tiranës një qetësi absolute për të administruar me kujdes këtë fund sezonit. Ekipi i Shehit e kishte luksin të bëjë “llogari”, në sfida si kjo me Kukësin, e vlefshme për javën e 27-të, një ndeshje ku mjaftonte të mos humbasin.
Kryeqytetasit dalin sërish të pamposhtur, nuk i thyen as Kukësi, me dy ekipet që ndajnë nga një pikë pas barazimit pa gola në aktin e tretë sezonal. Bardheblutë janë thjesht perfekt këtë sezon, teksa mbyllin dhe fazën e tretë po me 20 pikë, 60 pikë në total duke iu afruar gjithnjë e më shumë titullit kampion.
Në Rrogozhinë, dy ekipet zbritën të “ndrojtur” në fushë, më shumë u kujdesën për të mos lënë hapësira, për të mos gabuar, se sa për të sulmuar, duke bërë që fraksioni i parë të dhuronte pak emocione, pak raste për shënim.
Në fraksionin e dytë, dy ekipet shtynë më shumë drejt sulmit, fillimisht ishte Tirana që reklamojë një 11-metërsh për prekje të topit me dorë në zonë. Në të 65-tën, ishte Kukësi që iu afruar golit të avantazhit, me Gjelbrim Taipin që goditi traversën.
Ekipi i Shehit iu përgjigj në të njëjtën formë në minutën e 76-të me sferën që u ndal në shtyllën pingule. Të shtyrë nga frika për të mos humbur, dy ekipet ulën ndjeshëm ritmin e lojës në minuat e mbetura duke bërë që sfida më e rëndësishme e javës së 27-të të mbyllej në barazim pa gola.