MENU
klinika

Mero Baze

Kur është shkarkuar Belind Këlliçi?

06.04.2022 - 21:18

Sot pashë për të disatën herë radhazi Sali Berishën që drejtonte mbledhjen e atij që quhet Komisioni i Rithemelimit të PD. E dimë që është thjesht një frazë dhe jo një institucion, por kemi së paku që nga muaji dhjetor, që dëgjojmë Sali Berishën se tani do t’ia rinisë nga e para dhe do bëjë një parti me rregulla dhe institucione.

Dhe për këtë e nisi me Komisionin e Rithemelimit. Mblodhi 27 vetë dhe në krye të tyre vendosi Belind Këllëçin. Caktoi disa hapa që do hidheshin deri tek Kuvendi që do rizgjedhë kryetarin e partisë së “rithemeluar”.

Por ka së paku një muaj që ka harruar fare që ka zgjedhur në krye të këtij Komisioni, Belind Këlliçin, dhe i drejton vetë mbledhjet. Edhe sot e drejtoi vetë dhe bëri përjashtime, sugjerime dhe linçime të armiqve të vet, në emër të Komisionit që do ribashkojë opozitën.

Nuk kemi ndonjë kuriozitet se si di të sillet Sali Berisha në krye të një partie, qoftë dhe një partie që ka kthyer copën e kostumit nga faqja tjetër, që të duket e re.

Ajo që e bën qesharake gjithë këtë përpjekjen e tij për të “shkruar një histori të re”, është pikërisht zhdukja e Belind Këlliçit pa njoftim.

Nuk është se ndodh për herë të parë me ata që emëron kryetar. Por së paku Eduard Selamin nuk e zboi dot pa zhurmë. Ju desh t’i nxirrte një badigard tek dera ta qëllonte.

Me Tritan Shehun më 1997 e pati më të lehtë. I dërgoi pastruesen në zyrë dhe ajo e njoftoi “të ikë pak shpejt se do vijë Doktori”. Dhe Tritani s’u duk më për 8 vjet, deri më 2005.

Tani me rikthimin përmes Grupit Rithemelues ka harruar fare të njoftojë së paku që Belind Këlliçin e ka shkarkuar, ose ka dhënë dorëheqje, që njerëzit së paku të mos mendojnë se Kuvendi është bërë më 22 mars dhe është rizgjedhur Berisha.

Sjellja e tij prej “prijësi” është një leksion për të gjithë ata “entuziastët” që deshën të na mbushnin mendjen se këtë radhë Berisha do respektojë demokracinë e brendshme dhe rregullat e vendosura bashkërisht. Në fakt të vetmin rregull që po respekton, është që të mos lëshojë karrigen e kryetarit dhe ta përdorë atë për hallin e vet.

Me të njëjtën lehtësi sot u përpoq të shpallte dhe shkarkimin e Enkelejd Alibeaj nga kryetar i grupit parlamentar.

Ndoshta ka harruar por e ka shkarkuar një herë më 18 dhjetor. Por problemi që ai ka me Parlamentin, është se së paku deri në shtator ai është deputet i përjashtuar nga Partia Demokratike. Kur të nisë sesioni i ri i legjislaturës, PD duhet të shprehet përsëri për të, nëse do ta pranojë anëtar apo jo.

PD natyrisht që nuk do ta pranojë, por nëse partia e re e “Foltores” do ta ketë kryetar grupi Berishën, mund ta deklarojnë. Deri atëherë mund të jetë bërë dhe kryetar partie i “Foltores” dhe mund ta ketë shpëtuar Këlliçin nga sikleti që ka harruar që e ka zgjedhur kryetar. Se dhe mosha bën të vetën.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN