MENU
klinika

Editoriali i The Guardian

Marrëdhënia me Rusinë, Scholz nuk po mban dot ekuilibrin!

25.04.2022 - 14:40

Disa ditë pasi filloi pushtimi rus i Ukrainës, Olaf Scholz deklaroi se qeveria e tij do të rriste shpenzimet e mbrojtjes me 100 miliardë euro (84 miliardë £), do të pezullonte gazsjellësin Nord Stream 2 nga Rusia dhe do të dërgonte armë në zonat e konfliktit për të ndihmuar Ukrainën.

Njoftimet tronditëse, të quajtura një “revolucion”, u panë si dëshmi se Gjermania, dhe veçanërisht Partia Social Demokrate e qendrës së majtë (SPD) e Scholz-it, po largohej përfundimisht nga tradita e saj pacifiste e pasluftës.

Fakti që Scholz u zotua gjithashtu të përmbushë detyrimin e NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes prej 2% të PBB-së, u citua si provë e mëtejshme e një ndryshimi historik në të menduarit e Berlinit për rolin e tij në botë.

Kënaqësia që rezultoi, u përkeqësua nga debati gjerman që pasoi rreth mënyrës sesi të sillej me Rusinë. Figura kryesore në të majtë dhe në të djathtë pranuan se politika post-sovjetike, e rrënjosur në epokën e famshme Ostpolitik të Luftës së Ftohtë të SPD-së, ishte keqkuptuar thelbësisht.

Teksa miliona njerëz në Ukrainë ikin nga bombardimet e pamëshirshme dhe provat e shumta dalin në dritë për krimet e luftës nga trupat e Vladimir Putinit, ky besim se Rusia nuk mund të trajtohet si një vend normal me të cilin është e mundur të bësh biznes si zakonisht, tani pranohet kudo.

Megjithatë, në të njëjtën kohë, entuziazmi revolucionar i Scholz-it duket se po pakësohet.

Refuzimi i Gjermanisë për të sanksionuar eksportet e naftës dhe gazit rus, nga të cilat industritë dhe familjet e saj mbeten shumë të varura, ka provokuar kritika të ashpra nga partnerët perëndimorë, jo më pak nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy.

Komentatori Paul Krugman akuzoi ashpër Gjermaninë se ishte “bashkëpunëtor në vrasjet masive”.

Pretendimet e Scholz-i se një embargo e energjisë do të dëmtonte Evropën më shumë se Rusinë dhe do ta çonte Gjermaninë në recesion janë të diskutueshme.

Kritikët citojnë studime që sugjerojnë se ndikimi negativ do të ishte i menaxhueshëm dhe afatshkurtër. Megjithatë, në një raport javën e kaluar, Bundesbank paralajmëroi se një embargo mund të tkurrte ekonominë e Gjermanisë me 2% dhe të shkaktonte një rënie prej 5% të prodhimit.

Scholz ka marrë gjithashtu kritika nga jashtë vendit, dhe brenda koalicionit të tij, për kthimin pas lidhur me furnizimet me armë të rënda në Ukrainë. Gazeta Bild raportoi javën e kaluar se një listë me 15 lloje armatimesh të prodhuara nga Gjermania që do t’i ofroheshin Kievit, duke përfshirë tanket e betejës Leopard, u reduktua në tre përpara se të dorëzohej në Ukrainë. Lutjet e mëvonshme të Zelenskiy u injoruan, tha Bild.

I nxitur nga disa media në Mbretërinë e Bashkuar, Boris Johnson është ndër ata që i bëjnë presion Gjermanisë të bëjë më shumë.

Sulmet e fundit gjithashtu pasqyrojnë pjesërisht ndjenjën e brendshme anti-gjermane, anti-BE në të djathtë, të mbartur nga pakënaqësitë dhe rivaliteti i vjetër.

Donald Trump, tejet armiqësor ndaj paraardhësit të Scholz, Angela Merkel, shpesh kënaqej me një sulm të tillë të Berlinit.

Nuk ka dyshim se periudha 30-vjeçare, e pas 1991-shit, kur Gjermania dhe diplomatët e saj ia dilnin mirë me Putinin, ka mbaruar.

Është gjithashtu e sigurt se Gjermania ka pësuar një zgjim të vrazhdë gjeopolitik. Berlini nuk mund të heqë më dorë nga përgjegjësitë e tij drejtuese, veçanërisht për sigurinë evropiane.

I nxitur këto çështje javën e kaluar, Scholz tha se shqetësimi i tij më i madh ishte lufta bërthamore me Rusinë. “Unë po bëj gjithçka që mundem për të parandaluar një përshkallëzim që do të çonte në një luftë të tretë botërore,” tha ai.

Kjo është e arsyeshme. Por është e mundur të jesh shumë i kujdesshëm dhe me interesa personale – dhe Scholz është larg nga arritja e ekuilibrit të duhur.

Burimi: The Guardian

RuKonica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Analiza e Project Syndicate

Dërgoni Merkelin në Moskë!