Policia Kufitare e Qafë Thanës ka goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.
Në kuadër të operacionit të koduar “Perimetri” në pranga u vu një shtetas turk, i cili në në kamionin e tij po transportonte 4 emigrantë të paligjshëm, kundrejt shpërblimit prej 4 mijë euro secili.
“Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, në bazë të analizës së riskut, kanë kaluar për kontroll më të imtësishëm në vijën e dytë dhe në skaner, mjetin tip kamion të markës “Daf”, me drejtues shtetasin M. T., 49 vjeç, banues në Stamboll, Turqi. Në pjesën e brendshme të trailerit të kamionit, u gjetën 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit 4000 euro personi, 49-vjeçari iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së”, thotë policia.
Veprimet e mëtejshme u kryhen nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, të cilët bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M. T., për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për hetime të mëtejshme.