MENU
klinika

Abazovic-antimodeli

Nazarko: Politikani që Perëndimi do donte të kishte në Ballkan, posaçërisht në botën shqiptare

24.04.2022 - 23:21

Në emisionin e përjavshëm Ballkan, në Abc, u trajtua dhe tema e zhvillimeve në Mal të Zi, ku pritet të votohet këtë javë, qeveria e re e drejtuar nga Dritan Abazovic.

Drejtuesja Linda Karadaku, diskutoi me të ftuarin e saj në studio, Mentor Nazarko.

Pjesë nga diskutimi:

Karadaku: Unë dua të të sjell në vëmendje një detaj që mu duk shumë interesant. Ka patur në Mal të Zi, një dorëheqje të Strahinja Bulajiç, nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi. Dhe dorëheqja e tij lidhet në fakt me njoftimin për kërkesën që qeveria e re të votohet në Parlamentin e Malit të Zi. Pati një përpjekje të opozitës për ta shtyrë pafundësisht votimin në Parlament, sepse nëse nuk do të votohej deri në Qershor, vendi do të duhej të shkonte në zgjedhje të Parakohshme, sipas ligjit, Kushtetutës atje. Kjo dorëheqje hapi rrugë që në Parlament të pranohet kërkesa.

Nazarko: Detaji që ju përmendët është detaj pozitiv, domethënë që ky njeri i cili  ishte pjesë e frontit pro-serb dha dorëheqjen për të mos u bërë pjesë ai e thirrjes së Kuvendit dhe për tja lënë të drejtën e kësaj  thirrjeje të seancës-, nënkryetarit tjetër që është nga partitë e pakicave. Në pikëpamje institucionale janë të tërë rrethanat që në datën 28 prill të votohet, sepse si e dini malazezët pushojnë posaçerisht ditët festive. Përtej humorit, mendoj se gjithçka ka ndodhur ka qenë brenda zakoneve të jetës demokratike, negociatave të një treni të gjatë me shumë vagona partiakë të udhëhequr nga një Dritan Abazovic, kryetari i një partie e cila nuk ka shumë numra në Kuvend, dhe që përfaqëson pakicën shqiptare, e cila edhe për shkak të politikave shkombetarizuese të Jugosllavisë se dikurshme, të Malit të Zi të mëpasëm, apo paaftësisë së Shqipërisë, për të ringjallur, për të forcuar ndjenjën kombëtare të diasporës, është në shifrat minimale., Shifrat zyrtare te shqiptarëve janë nën 5%.

Karadaku: Partitë që mbështesin qeverinë e re, URA…. janë të ndryshme, shumëngjyrëshe..

Nazarko: Është një nga ato kryeveprat e aksionit politik në Ballkan. Sepse parimi bazë i efektivitetit është ai që ndërlidh madhësinë e suksesit me sasinë e burimeve që ke në dispozicion. Në qoftë se ti me një sasi shumë të vogël burimesh arrin një sukses shumë të madh, atëherë ti je super i suksesshëm. Z.Abazoviç ka arritur me këto të dhëna, me 4 deputetë, duke përfaqësuar një shumicë të vogël, etnike, siç është ajo e shqiptarëve,  ti japë tonin zhvillimeve kryesore në Mal të Zi, të cilat përmbledhtas do të ishin: Dhënia fund e qeverisjes në ekzekutiv të DPS-së, të z. Gjukanoviç, me gjithë meritat historike, ka problemet e veta në lidhje me korrupsionin; qarkullimin e elitave; imponimin të shumicës proserbe të asaj kohe, të një viti më parë që të pranohej Serbrenica, Kosova, NATO-n, BE-ja dhe ta largonte nga pushteti kur u bë pengesë për perëndimin dhe shtetin në përgjithësi.  Krejt me ne fund ai arriti  te imponojë qarkullimin e elitave brenda DPS-së, dhe t’u japë zë pakicave, duke ruajtur orientimin pro-Perëndimor, me gjithë ndikimin eventual serb, apo rus.

Këto janë arritje epokale për një individ, i cili është antimodeli dominant i politikanit shqiptar, sepse nuk e ka arritur këtë sukses duke bërtitur për vjetërsinë e kombit shqiptar në Ballkan që në kohën e pellazgëve dhe, as duke kërcënuar me gogoli e Shqipërisë së Madhe. Por e ka arritur me gjuhën me të pranueshme në Perëndim, që është gjuha e multikulturalitetit, gjuha e bashkëjetesës multietnike.

Dhe për koincidencë pse jo, Dritani vjen nga Ulqini, i cili rezulton që është tokë pjellore mitesh. Një pjesë e  banorëve të kalasë besojnë se aty ka kaluar dhe Servantesi që ka gjetur aty të dashurën e vet- Dulqinjën. . Është tokë pjellore dhe kryeministrash, sepse edhe Albin Kurti vjen prej andej.  Si origjinë.

Karadaku: A ka ardhur koha për një Dritan në Shqipëri? Apo në viset tona?

Nazarko: Mendoj se në Kosovë është i domosdoshëm. Ai është shquar per guximin, dijen, sensin taktik, orientimin e duhur properendimor, dhe  frymën e pajtimit..

Dhe më në fund, ne si komb na duhet të ruajmë raportin me perëndimin. Nuk mund ta fitojmë konkurencën me serbët, nëse e humbim mbështetjen e perëndimit. Modelet e tjera janë të shteruar. Natyrisht do duhet ta shohim si do qeverisë, sepse do ketë shumë vështirësi.

Dritani është anti-modeli. Gjuha e Dritanit është gjuha që Perëndimi do të donte të flitej në Ballkan.