MENU
klinika

Akuzat për pengmarrje dhe prostitucion

Në kërkim në Itali, arrestohet 52-vjeçari në Durrës

18.04.2022 - 12:23

Një 52-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”.

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasin Ermal Gjoka.

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Verona”. Operacioni policor, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Njësinë Operacionale të Drejtorisë së Policisë Rrugore dhe Interpol Tirana.

Vihet në pranga, me qëllim ekstradimi, 1 shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”. Në pranga edhe 1 shtetas në kërkim kombëtar për kultivim të bimëve narkotike.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e personave në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Njësinë Operacionale të Drejtorisë së Policisë Rrugore dhe Interpol Tirana, në kuadër të operacionit policor të koduar “Verona”, bënë kapjen dhe arrestimin provizor, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, të shtetasit:

-E. Gj., 52 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet gjyqësore në Verona/Itali, kanë lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar në ngarkim të tij, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”, të parashikuara nga Kodi Penal i Italisë.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese italiane vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.”, njofton policia.

Po ashtu në pranga ka përfunduar edhe një 53-vjeçar nga Kruja, i cili ishte në kërkim për kultivim droge.

“Besim Vathi, 53 vjeç, banues në Arrameras, Krujë. Ndaj këtij shtetasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” në mungesë, për veprën penale ”Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim. Kapja e këtij shtetasi u bë në afërsi të banesës së tij në fshatin Arrameras, Fushë-Krujë, pasi dyshohet se B. V. është autor i kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Arrameras, në vitin 2021, bimë të cilat u asgjesuan nga Policia gjatë një aksioni policor.

Materialet shtesë i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.”, thuhet në njoftimin e policisë.