MENU
klinika

Të pandarë, shërbëtori dhe i zoti!

Nuk dimë për Don Kishotin se…

27.04.2022 - 13:09

        Servantesi, me aventurat e tij idealiste, ato të parat, në shqip ka ardhur nga Fan Noli. Një kryevepër e letërsisë botërore, romani që vërtitet rreth dy personazheve simbol, më karizmatikët ndoshta, është gdhendur në imagjinatën kolektive për bëmat në emër të humanizmit./Konica.al

“Don Kishoti i Mançës” nga Miguel de Servantes Saavedra, pa dritën e botimit si roman në dy vëllime, midis viteve 1605 – 1615. Nëse aventurat e kalorësit spanjoll dhe Sanços trashaluq, kundër mullinjve të erës, janë kaq të famshme,  ende ka vend për të shuar kureshtjen rreth librit dhe autorit…

Shitjet

Edicioni i parë i “Don Kishotit” u shpërnda në vetëm, 1200-1500 kopje. Sidoqoftë, pas një fillimi të qetë, ai që tani konsiderohet romani i parë i botës moderne u bë një prej më të shiturve: në më shumë se katërqind vjet, janë shitur  400 – 500 milionë kopje. Kopja e parë e romanit, e përkthyer në anglisht, doli në ankand në “Sotheby’s” më 1980, për t’u shitur nëntë vjet më vonë dhe me shumën modeste, prej milion e gjysmë dollarësh.

Portrait of Miguel de Cervantes Saavedra (1547-1615) Detail. Found in the Collection of Real Academia de la Historia, Madrid. (Photo by Fine Art Images/Heritage Images/Getty Images)

Sanço Panço dhe barku i tij karakteristik

Sipas studiuesve, Servantesi nuk e përshkroi kurrë Sanço Pançon, shokun besnik të Don Kishotit, si topolak. Siç e shpjegon José Manuel Lucía Megías, nga “Shqoqëria Servantes” (Asociación de Cervantistas), në dorëshkrimin origjinal arab të “Don Kishotit”, që Servantesi pretendon në mënyrë të gabuar, (për të krijuar një trillim letrar) që e kishte gjetur dhe përkthyer, Sancho Zancas (emri origjinal i Sancho Panços) u dallua më shumë nga këmbët e gjata (zancas) sesa barku i rrumbullakët.

Pothuajse si Bibla

“Don Kishoti” është libri më i përkthyer në historinë e letërsisë spanjolle dhe i dyti, më i përkthyeri në botë. Para romanit, ishte vetëm Bibla. Midis mbi 140 gjuhëve në të cilat është përkthyer, shfaqen esperantoja dhe spanglishja, një gjuhë e lindur nga shkrirja e anglishtes dhe spanjishtes, e folur nga emigrantët e Amerikës së Jugut në Shtetet e Bashkuara.

Burgu

“A shikoni atje lart miku im Sanço, 30 apo 40 gjigantë të përbindshëm? Kam ndërmend të bëj luftë me ta dhe t’i vras” – Servantesi filloi ta shkruajë ‘Don Kishotin”, ndërsa ishte i burgosur në burgun e Seviljes. Duke punuar si tagrambledhës (për të paguar aktivitetin si shkrimtar) ai u akuzua dy herë, në vitet 1597 dhe 1602, për përvetësim në dëm të autoriteteve publike, që më vonë nuk rezultoi si faji i shkrimtarit, por si rezultat i një gabimi i ndihmësve të tij.

Romani i dytë apokrif

Pas suksesit të librit të parë, Servantesi nuk u preokupua që të shkruante vazhdimin, sikurse e kishte premtuar vetë. Dikush më i zgjuar (dhe i pandershëm) se ai e shfrytëzoi atë: Alonso Fernandez de Avellaneda, një shkrimtar, identiteti i vërtetë i të cilit, ende nuk dihet, nënshkroi dhe botoi në vitin 1614, të ashtuquajturin “apokrifi Don Kishot”. Autori deklaroi se ishte i rremë. Por, ky botim kishte “meritën” e zgjimit të Servantesit, i cili punoi për të nxjerrë dritë romanin e dytë, që e botoi një vit më pas.

Frymëzimi për Don Kishotin

Figura e Don Kishotit ka lindur, sipas studiuesve – jo vetëm fizikisht, por edhe nga karakteri – nga xhaxhai i gruas së Servantesit, Alonso de Quesada y Salazar. Servantesi luan me “konfuzionin” e emrave të protagonistit, duke e quajtur atë të alternuar: Quijada, Quesada dhe në pjesën e dytë të romanit, Alonso Quijano.

Admirues të famshëm

Fjodor Dostojevski ka vlerësuar disa herë punën e shkrimtarit spanjoll. Në një letër të përmbledhur në përmbledhjen e tij “Ditari i një shkrimtari”, Dostojevski thotë: “Në të gjithë botën, nuk ka ndonjë punë të trilluar më thellë dhe më të fortë se ajo. Deri më tani përfaqëson shprehjen supreme dhe maksimale të mendimit njerëzor, më të hidhurën ironi që mund të formulojë njeriu ”.

Doraci i Lepantos

Në rrjedhën e jetës së tij aventureske, Servantesi fitoi gjithashtu pseudonimin e papëlqyeshëm: “doraci i Lepantos”. Ky epitet rrjedh nga një histori (pjesërisht e rreme), sipas së cilës, shkrimtari humbi dorën e majtë duke luftuar në betejën e Lepantos, në 1571. Nëse është e vërtetë që ai u plagos rëndë, dora humbi përgjithmonë funksioni, për shkak të dëmtitmit të nervit.

Skllavëria e Servantesit

Jo vetëm taksambledhës, ushtar e shkrimtar. Gjatë viteve 1575 – 1580, Servantesi ka qenë skllav në Algjer, ku u burgos së bashku me vëllain e tij, Rodrigo, nga piratët. Kjo përvojë la gjurmë në shkrimet e tij. Në një pasazh të Don Kishotit, kalorësi dhe ushtari i tij, vendosin të lirojnë një grup skllevërish.

Nga letërsia tek astronomia

Në vitin 2015, Servantesi u bë yll në hapësirë. Në fakt, Shoqëria Spanjolle e Astronomisë e emërtoi yllin μ Arae, si “Servantes”, ndërsa: Dulcinea, Rocinante, Sanço dhe Quijote, planetët që rrotulloheshin rreth tij.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Faik Konica, një shkrimtar i klasit të parë"

Fan Noli: Si dhe pse fillova të shkruaj

"Gjithmonë fliste shqip me vëllain e saj…"

Ernesto Sabato: Nëna ime ka jetuar me nostalgjinë e të parëve