MENU
klinika

Nga Arjan Dyrmishi* dhe Eduard Zaloshnja

Lufta në Ukrainë/ Opinioni i shqiptarëve rreth kërcënimit të sigurisë në Shqipëri

05.04.2022 - 15:24

Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës tregoi se siguria në kontinentin evropian nuk mund të merret e mirëqënë dhe se agresioni përmes forcës ushtarake nuk është një opsion i tejkaluar, siç shumë mendonin në vendet perëndimore, përfshirë dhe në establishmentet e sigurisë. Nga ana tjetër, agresioni rus në Ukrainë tregoi rëndësinë e kombinimit të fuqisë ekonomike me atë ushtarake dhe të kohezionit politik mes NATO-s dhe BE.

Por më paparashikueshme se sa vetë sulmi i Rusisë rezultoi mobilizimi dhe qëndresa e popullit të Ukrainës. Falë këtij mobilizimi, Ukraina ia doli të përballojë një forcë ushtarake me përmasa që tejkalojnë disa herë fuqinë e saj ushtarake.

Sigurisht që nuk mund të mos lihet pa theksuar lidershipi politik i presidentit të Ukrainës dhe mbështetja e vendeve perëndimore, por pa qëndresën e popullit të Ukrainës dobia e tyre do të ishte e diskutueshmë në vendosjen e fatit të luftës.

Faktor tjetër që duhet theksuar është performanca e ushtrisë ruse e cila ishte e demotivuar, me zixhir komandimi të dobët dhe që se fundi e pa mundësinë e fitores përmes dhunës së padiskriminuar dhe masakrave ndaj civilëve.

Korrupsioni sistemik në sektorët e mbrojtjes dhe sigurisë së Rusisë, të manifestuara në korupsionin në prokurime, minoi logjistikën dhe bëri që ushtarët rusë të kishin pajisje dhe furnizime të pamjaftueshme në terren.

Barometri i Sigurisë, i cili kryehet nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes që prej vitit 2019, duke ju përgjigjur zhvillimeve të fundit të sigurisë, ka përfshirë dhe pyetje për luftën ne Ukrainë dhe implikimet e saj.

Edicioni 2022 i Barometrit të Sigurisë, rezultatet e plota të të cilit do të publikohen muajin e ardhshëm, ka reflektuar zhvillimet më të fundit të sigurisë në kontinentin europian duke përfshirë edhe pyetje që matin opinionin e qytetarëve shqiptarë mbi luftën në Ukrainë dhe ndikimin e saj për Shqipërine dhe rajonin e Ballkanit.

Të pyetur se “Deri në çfarë mase lufta e Rusisë ndaj Ukrainës përbën një kërcënim sigurie për Shqipërinë?”, 53.6% e qytetarëve e shohin si kërcënim të madh ose shumë të madh (përkatësisht, 37.8% e 15.8%), ndërsa 31.6 % shprehen se lufta përbën një kërcënim të vogël. Rreth 15% mendojnë se kjo luftë përbën një kërcënim sigurie shumë të vogël ose nuk përbën fare kërcënim.

Të pyetur se “Deri në çfarë mase, veprimi i Rusisë ndaj Ukrainës përbën një kërcënim sigurie për Ballkanin?” 72.1% e qytetarëve e shohin si kërcënim të madh ose shumë të madh (përkatësisht, 50.3% e 21.8%), ndërsa 22.8 % shprehen se lufta përbën një kërcënim të vogël dhe vetëm rreth 4.4% thonë se kjo luftë përbën një kërcënim sigurie shumë të vogël ose nuk përbën fare kërcënim për rajonin e Ballkanit.

Kjo diferencë e dukshme ndërmjet perceptimit të për kërcënimin e sigurisë së Shqipërisë dhe kërcënimin e rajonit të Ballkanit duket e justifikuar po të kihen parasysh ndikimi i Rusisë në disa vende të ish-Jugosllavisë, veçanërisht në Bosnje-Hercegovinë dhe Serbi, si kërcënimet e drejtpërdrejta të Presidentit Putin kundër zgjerimit të metejshëm të NATO-s në Ballkan.

Agresioni rus ndaj Ukrainës vërtetoi se perplasja mes autokracisë dhe demokracisë, të cilat përbëjnë vijat kryesore ndarëse të politikës aktuale globale, ishte baza ideologjike e këtij agresioni.

Barometri i Sigurisë e ka vendosur theksin pikërisht tek ndërlidhja e sigurisë me shqetësimet dhe pritshmëritë e qytetarëve dhe ka vendosur theksin tek forcimi i legjitimitetit demokratik të institucioneve të sigurisë si themel i sigurisë së një vendi. Qëndresa e Ukrainës e vërtetoi për të disatën herë këtë supozim.

*Arjan Dyrmishi eshte Drejtor te Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN