MENU
klinika

Sabri Hamiti

Poezia Biblike e Ali Podrimjes

26.04.2022 - 09:24

         Libri i fundit i Ali Podrimjes, “Pikë e zezë në blu”1 thur dramën e kalimit të Qenies së Njeriut dhe të Poetit nga një qindvjetësh në tjetrin, madje nga një mijëvjetësh në tjetrin. Ndjenjën e këtij kalimi më fort e shohin poetët, duke paraparë shenjat e një mbarimi. Prej këndej, punon edhe ndërdija për një trajtë të përmbledhësimit të fakteve e të elementeve vetanake poetike. Dramën e jashtme, si kronikë ndodhish, me nyjëtimin e subjektit në shumës (Ne), që nënkupton edhe tendencën vepruese; dramën e brendshme, si ndjesi e mendim, me nyjëtim të subjektit në njëjës (Unë), në trajtë të pësimit./Konica.al

Atëherë shfaqen në trajtë të reminishencës temat e dilemat dhe faret e diskurseve poetike të librave të mëparshme të poetit. Këto gërshetohen në një strukturë libri poetik me pesë cikle, me një poezi introduktive Biblike, titull figurë e domethënie njëherësh për Librin e librave.

Poezia Biblike shfaqet si një magna karta ku shënjohen ndodhi e gjendje, me porosi të dëshmuara jete, të mjerimit që bën përmbysjen njerëzore, të pësimit të zhvendosjes (ndjekjes), të blasfemisë së dhunës e të engjëllimit si shpëtim. Këto nyja kuptimore të poezisë shqiptohen me fraza të këputura, që dalin në trajtë të tercinave, për të nënvizuar vargun final në trajtën: “A jetoj”, si pikëpyetje e si lutje. Poezia gjatësitë e gjerësitë hapësinore e elipsat kohore të kolektives i kthen në një vertikale të Unit.

Po, për këtë shkak, rimerr formën e këndimit baladik, baladën, për Nënën (origjinën), për Gruan (dashurinë) dhe Vetveten (identitetin) me një motivim të skajshëm, për të provuar tri mënyra të shqiptimit poetik. Në poezinë “Nëna zbret në zemër të dheut”, duke u mbështetur në topikun e figurës së vendlindjes (Erenik e Çabrat), poeti rigjen dashurinë dhe adhurimin për nënën, në pikën e ndarjes prej saj, duke rijetuar zjarrin e identifikimit me veten e me Dheun. Me modelin e frazës poetike, që përthyhet në trevargësh, për të krijuar strofat, Podrimja kthjellohet:2

Nga betimi i nënës nuk çohet dorë

Mbi çdo pushtet ajo

Madhështisë së saj i përulem

Kjo është balada për nënën e për dheun.

Në poezinë “Në xhamin e errët imazh i së nesërmes”, poeti i përulet me jetë gruas Fitore dhe dashurisë së saj. Tekstin e poezisë e përbën një frazë e poezisë rrëfyese, që nuk duhet të mbarojë asnjëherë, përveçse kur e pren fryma e fundit. Një ligjërim balador për dashurinë me përmasa të mrekullitares, për bukurinë me këmishë të qëndisur nga gjuhët e flakës; me duart plot dhé e rrënjë; që përsërit lutje; kalon bjeshkë, zjarre e ujëra; me buzë të thara nga tymi; andej kah frymon Kosova… Por, vezullima e verbër “në xhamin e errët imazh i së nesërmes” vijëzohet. Drama e jetës dhe dashurisë artikulohet si lutje e domosdo, si një kurorë poetike me vargun e fundit:

na duhen lotët edhe për gëzim grua e dashur

Kjo është balada për gruan, dashurinë e jetën. Poezia “Do vijë koha ime po s’do jem unë”, bën autoportretin e poetit me tri lëvizje të shpejta, në tri pamje. Vargu i parë “Çdo ditë çdo mot pikon një çati”, përsëritet në mënyrë inverse, si varg i fundit, për të dhënë kronikën e kërcënimit të ekzistencës.

Në tri tercinat e poezisë dalin pamjet e vetvetes: nëpër hënë, në horizontin gri një njeri lahet në qiell të hapur; kreh kaçurrelet në pasqyrat e shtojzovalleve të Drinisë; palon planetin e keq në kontejner të shekullit XX.

Këto janë kohët kalimtare. Porse përjetësia synohet thotë vargu i titullit “Do vijë koha ime po s’do jem unë”, duke mbyllur tragjiken e kohës. Ja, pra, balada e Vetvetes dhe e përjetësisë së poetit. Ali Podrimja, në librin e tij të fundit poetik, thur vjersha të shkurta, shkurtime, për të shtruar çështje, për të paraqitur gjendje. Kur e percepton zgjimin, pa gjumë e pa ëndrra; kur e sheh litarin e ankthit rreth qafës së Kosovës së pavarur, midis qytetërimesh, që thuhet si një përrallë në konferenca ndërkombëtare sidomos kur e ndien mallin për librin e pakryer, i frikësuar se do ta harrojë kujtesa. Mirëpo, shkurtimet poetike, si dëshmi të gdhendura në gur, qoftë në trajtën e tmerrshme të epitafit duhet e mund të mbahen në mend:

U vranë e u shanë pse u vranë

ditën për hënë…

(Fëmijët e vdekjes)

Ku të lëshoj rrënjë

e të bëj pakëz hije

se varre e varre e varre

(Fusha e zezë)

Është një engjëll që na mbron

Se kujt Maratoni nga Iliria

Do ia kumtojë lajmin

se në Ulpianë u gjet tërfili me katër fletë

(Maratoni nga Iliria)

Shqipet fluturojnë nganjëherë

dhe ulët

Nuk ka kush ua hap qiejt

Mbi krahë u rëndon mërzia e dheut

(Mërzia e dheut)

Këto forma poetike të Podrimjes tashmë duken si relikte të epikës së përparme, që ngrehin zërin në trajtë të lirikës, madje të lirikës intime. Mirëpo, Aliu nuk do të mbetej Ali, nëse nga heroika e rebelimi i dikurshëm nuk do ta kthente te zhgënjimi e stigmatizimi i mëvonshëm, si ai të cilit ia ka ëndja gjuhën në veprim, edhe një vjershë. Tani në këtë libër të fundit, pikërisht në ciklin “Pikë e zezë në blu”, i strukturuar si poemë e lidhur lirike, shohim paradën e karaktereve negative, të renditura si në përrallëza, karaktere që mohohen, rrëzohen me një gjuhë të rëndë, edhe skatologjike. Ironia këtu për një çast kalon në sarkazëm. Fshikullohen karaktere, situata, dukuri, të cilat gëlojnë në mendësinë e kasabës vendëse.

Aty gjëllin Palaçoja, gëlltitës i zjarreve, me magji të mashtrimit, që step publikun. I azdisuri;

Lëreni në hallin e vet

Muti s’është ari as ngritet gjë prej tij

Ruajeni se përlyheni.

Aty hingëllon qeshja

Të qeshet është koha

Dhe pse të mos qeshemi

Dhihemi e hamë sa do zoti

Aty lindet Bastardi

Plehu e pa veten lule

në një kopsht përrallor me basen

plot kërmij

Në gjumin e rëndë të kasabasë tregohet saga e të Marrit, poet i ardhur nga askund, i stolisur me kravatë të verdhë, që përbetohet se do të ketë vdekje më të bukur se një hero. Po aty gjëllin edhe Çakalli i mjerë në cirkun nacional ku lartësia është pikë e zezë në blu. Qeni që sheh ëndërr:

kish parë ëndërr qeni

se ishte më i madh

se hija e vet dhe i ziu

veten kafshuar kish

Tirret sarkazmi poetik për përmendoren e viçit, dhe një copë tokë për të në sheshin qendror të qytetit. Dhe përfundimisht Zerot, zerot në zero zezohen, shumohen e përplasen si kometa të shuara, në boshësinë e vendit:

Turr majeve ku është Zoti

Planet i mistershëm atDheu

mbi kokë hënë e zezë

I dhënë mbas alternimesh tematike e ligjërimore, Podrimja befasisht ndien si mali e bregu i afrohet detit e bashkë me të edhe pasionit. Misterit të trupit, për të gjetur ku e ka djepi shpirtin në jetë. Kjo tematikë e kërkuar në reminishenca historike e në aktualitete, sado e thurur me një hermetizëm figuror, ngjallet me shkëndija e grimca të një kënge të Erosit. Eva, hyria e detit; Lundra që bën cunam, ndezin një dritë të mbrendshme, kur dreni i Bjeshkëve kërkon e krijon hyrinë e humbur, Evën mitike. Dhe cunami nën çarçaf mbështjell një hyrie deti. Ligjërimi i figuruar i sojit “Zoti nuk është mace” dhe “As dashuria nuk plaket” merr formë më të shtjelluar në vjershën.

PËRFLAKJA E TRUPAVE

Ne ishim krejtësisht të verbër kur buzë e trupa na u përflakën Me prekjet tona vizatonim ëndrrën Në mes udhës pëshpërit ajo Minuti pakëz një jetë Të mos hapej kurrë ashensori. Por lumturia tepër e shkurtër Në mbarim të udhëtimit kur drita na kishte zbuluar Ne ishim krejtësisht të huaj Buzë e trupa na kishin mbetur diku

Është si ëndërr poetike e erotizuar, që një herë tjetër merr trajtën: Heshtja ime e tmerrshme/ se zjarri yt i akullt/Në distancë më rri/të buzëqesh mortja ime. Tashmë në trajtë të grindjes së Erosit me Thanatosin, si trill i perëndive për ta humbur Itakën. Vetëm mund të imagjinohet: çfarë do t’ishte ajo vjershë e pambaruar e quajtur Fustani i verdhë, për të cilën poeti po u fliste bashkudhëtarëve, kur po fluturonte për Lodeve të Francës, në udhëtimin e fundit poetik.

Por, mund të rinjohim poetikën e Ali Podrimjes në librin e fundit “Pikë e zezë në blu”: vjershat në cikle të alternuara, nga balada te romansa, e para e realizuar, e dyta në tentativë. Alternimet në kohë e në hapësirë, me torzot poetike, ku shenjat e shpëtuara sugjerojnë pjesët e humbura: në objekte e në subjekte. Ligjërimi i tij poetik ka pothuajse tri modele të ngurtësuara. I pari modeli rrëfyes, i përbërë nga fraza e pambaruar, që shkon deri në frymën e fundit; I dyti modeli monologjik, që ndërpritet me pushime domethënëse, nëpërmjet frazës së sinkopuar, për të krijuar formën standarde të strofës së tercinave; I treti modeli torzoik, nganjëherë në trajtë të distikut, por më shpesh si varg fundor, përmbyllës, si elipsë.

Figurativisht, komunikimi i tij në mes Tokës e Qiellit bëhet i çrëndomtësuar, i habitshëm dhe shqiptohet me figurën e paradoksit. Atëherë i mbetet lexuesit ta bëjë zgjedhjen e enigmës së tij poetike. Modelet ligjërimore, me shkallët e tyre, me një grafikë mund të paraqiten si piramidë, me bazë të gjerë horizontale dhe me një pikë në kulm. Kjo vlen për librat e hershëm. Më bëhet që në librin e fundit është ruajtur grafika e piramidës, vetëm se është përmbysur, kulmi është përposh, kurse baza është përpjetë. Sikur deshëm të flitnim për Elipsën e Eklipsit, nëpërmjet sinkopës formale e domethënëse.

ALI PODRIMJA

NË XHAMIN E ERRËT IMAZH I SË NESËRMES

Fitore Podrimjes e bukura veshur kish rrobat për mejdan

këmishë qëndisur nga gjuhët e flakës

rreth qafe m’i kishte hedhur duart plot dhé e rrënjë

seç pëshpëriste lutje të moçme majë klithmave

Mali i Borërave hijonte mbi shpirtra

nën një dru mijëvjeçar thithja gishtërinjtë

tek kapërcente bjeshkë zjarre ujëra

kapsoll syri im i tretë

gjallë a dekë të takoheshim i lutesha të madhit

nuk mund të ekzistoj pa të as pa mua ajo

mes trupave lëshonte shtat e nesërmja nën një çati të Iliridës zog i qiejve

më kishte zgjuar

kur trupin e saj ia kishte mbështjellë tymi

rrobat e mejdanit a i rrinë mirë

me sa lule qëndisur këmisha nga gjuhët e flakës

të thara buzët e tej Malit të Borërave

frymon Kosova e frikshme dhe e bukur

vezullimë e verbër kish shkrepur e në xhamin

e errët imazh i së nesërmes vijëzohej

na duhen lotët edhe për gëzim grua e dashur.