MENU
klinika

Mero Baze

Precedenti i “presidentit” Meta

18.04.2022 - 15:32

Pas zgjedhjeve të vitit 2001, kur Ilir Meta e kishte të pasigurt rizgjedhjen si kryeministër, nga Partia Socialiste, ai nisi në përpjekje për ta degraduar garën, duke nxjerrë një njeri qesharak nga Skrapari i cili protestonte para selisë së Partisë Socialiste me thirrjen “Dua formularin”.

Ishte fjala për formularin që të aplikonte dhe ai për kryeministër. Shkëlqim Meta, i cili kishte marrë përsipër këtë “barrë të rëndë” ishte një i panjohur nga Skrapari, i cili kishte vendosur t’i shërbente Ilir Metës për të denigruar pasardhësin e tij.

Pak a shumë, të njëjtën skemë, Sali Berisha me Ilir Metën po përpiqen të aplikojnë në prag të nisjes së negociatave për Presidentin. Duke qenë të qartë të dy, se askush nuk do të negociojë me ta dhe aq më tepër, askush prej tyte nuk ka shans të ketë një njeri të rrethit të tyre për kandidat, ata po përpiqen të nxisin çdo budalla, çdo delirant, çdo mediokër apo njeri qesharak që sillen në rrethin e tyre për tu vetëshpallur si kandidat për president. E vetmja gjë që i bashkon të gjithë njerëzit që po bëjnë për të qeshur shqiptarët këto ditë, është fakti që janë njerëz të rrethit të Berishës dhe Metës. Janë veprimtarë të tyre, protestues të tyre dhe natyrisht budallenjtë e tyre.

Kjo nuk i bën keq humorit të shoqërisë se të paktën argëtohen me diçka. Por Berisha e Meta nuk e bëjnë për këtë. Para kësaj ata tentuan të kompleksojnë pjesën e mbetur të PD jashtë kontrollit të tyre të mos negocionte me Edi Ramën për President, duke shpikur se kandidat ishte Lulzim Basha dhe se ata që do votonin presidentin, ishin të shitur.

Nervozizmi i tyre u rrit kur socialistët vendosën që procedurën e detyrueshme kushtetuese për konsultime me Presidentin ta bënin përmes grupeve parlamentare në Kuvend, ku Berisha është jashtë çdo grupi dhe LSI nuk ka grup parlamentar.

Frika e tyre se negociatat me pjesën e PD kundër Berishës mund ti japin vendit një president që vjen nga e djathta, i ka nxitur ata në këtë fushatë denigrimi të negociatave për president dhe kompleksimi të asaj opozite që nuk kanë nën kontroll për të mos u bërë pjesë e procesit.

Kësaj fushate i ka ndihmuar pak dhe Edi Rama, që po e shijon shumë këtë periudhë duke nxitur çdo asamblist të Partisë Socialiste t’i japë nga tre emra për president, a thua ti Shqipëria i ka gati nja 1200 kandidatë dhe këta duhet t’i identifikojnë asamblistët e PS.

E gjithë kjo klimë, pa ua hequr meritat dhe vetë delirantëve tanë që vetë i kemi bërë figura publike në përpjekje për të bërë humor me ta, ka bërë sot që Shqipëria të ketë nga një kandidat për president për çdo pallat apo fshat të Shqipërisë.

Kjo javë që vjen është afati ligjor kur nisin konsultimet për president, dhe është momenti që ky humor i zi të marrë fund.

Opozita jo “non grata duhet të dëshmojë seriozitet duke ofruar dy ose tri kandidatë seriozë dhe të denjë për Shqipërinë si president, të cilët kanë detyrë politike të sillen politikisht neutral në zyrën e presidentit dhe të mbajnë larg Presidencës çdo element “non grata” në Shqipëri.

Shumica ka për detyrë të përpiqet maksimalisht të gjejë një president konsesual me atë pjesë të opozitës normale të Shqipërisë, jo vetëm se kjo i bën mirë Shqipërisë, por dhe për faktin se pozitës nuk ka çfarë i duhet një institucion më shumë ndërkohë që ka gjithë pushtetet. Është në dorë të seriozitetit të opozitës ta fitojë këtë betejë dhe të mos shfaqet dhe ajo si këta që ka lëshuar rrugëve Ilir Meta me Sali Berishën dhe “kërkojnë formularin”. Ata duhet të dëshmojnë se nuk kompleksohen nga diversionet e Sali Berishës, i cili është pazarxhiu më i madh politik i 30 viteve për punët e veta, dhe aq më pak të humbasin shansin për t’i dhënë Shqipërisë një figurë serioze që identifikohet me opozitën, por që ka integritetin e duhur për të qenë një figurë përfaqësuese në presidencë.

Të lehtë e ka, se më keq se Ilir Meta nuk bëhet dot askush. Por dhe të vështirë e ka, pasi në fillim të gjithë mund ta identifikojnë me Ilir Metën derisa ti harrohet emri!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN