MENU
klinika

Analiza

Pse rusët e mbështesin luftën e Putinit? Nuk kanë zgjidhje tjetër…

26.04.2022 - 16:08

Në ditët e para të luftës kundër Ukrainës, dhjetëra mijëra rusë protestuan kundër një pushtimi të nisur në emër të tyre.

Kjo ishte inkurajuese. Amerikanët po kënaqeshin me iden që qytetarët rusë mund ta merrnin situatën në dorë, duke sfiduar dhe dobësuar presidentin e tyre, Vladimir Putin.

Megjithatë, javët e fundit protesta të tilla janë bërë të rralla. Kjo edhe për shkak të kriminalizimit të opozitës; kundërshtimi i propagandës së luftës së Kremlinit sjell dënime me burg deri në 15 vjet.

Por frika është vetëm një pjesë e historisë. Rusët gjithashtu duket se po mbështesin presidentin e tyre, duke ngritur pyetjen nëse qytetarët e zakonshëm janë pjesërisht fajtorë për regjimin e tyre – dhe ndoshta edhe moralisht fajtorë.

Nëse regjimi i Putinit dhe populli rus janë më të ndërthurur nga sa dukeshin fillimisht, një prezumim i pafajësisë bëhet më i vështirë.

Sipas Levada Center, vlerësimet e favorizimit të Putinit u rritën nga 69 për qind në janar në 83 për qind në fund të marsit, një muaj pas nisjes së të ashtuquajturit operacion ushtarak.

Vlerësimi prej 83 për qind pothuajse me siguri e mbivlerëson mbështetjen e vërtetë të Putinit.

Individët mund të fshehin preferencat e tyre të vërteta nga anketuesit, pasi një kulturë e paranojës përhapet në të gjithë vendin. Megjithatë, ne mund të supozojmë me të drejtë se një numër i madh rusësh, dhe ndoshta shumica, janë indiferentë ndaj mizorive të kryera në emër të tyre.

People wave Russian flags

Çfarë duhet të bëjmë për këtë?

Sigurisht, është një pyetje e vjetër, e destinuar të përsëritet. Damir Marusic, një anëtar ë i Këshillit Atlantik, shkroi kohët e fundit, “Putini është një fenomen tërësisht autentik rus dhe politika imperialiste që ai po ndjek në Ukrainë është gjithashtu.”

Kjo është e drejtë, por vetëm deri në një farë pike. Ne thjesht nuk e dimë se çfarë do të zgjidhnin, do të donin ose do të bëheshin rusët nëse do të ishin socializuar në një demokraci të lirë dhe të hapur, në vend të një diktature ku frika është ajri që thithet.

Si gjithë të tjerët, ata janë produkte të mjedisit të tyre.

Autoritarizmi korrupton shoqërinë. Mbijetesa është parësore dhe mbijetesa kërkon vënien e interesave personale mbi çdo gjë tjetër, duke përfshirë moralin. Në një kontekst të tillë, siç shprehet historiani Timothy Snyder, “jeta është e keqe, brutale dhe e shkurtër”.

Kjo është mendësia me shumën zero që e shndërron mizorinë në virtyt.

Me pak fjalë, autoritarizmi shtrembëron shpirtin dhe shtrembëron moralin. Duke vepruar kështu, ajo i bën qytetarët e saj – ose, më saktë, subjektet e saj – më pak fajtorë moralisht.

Të jesh plotësisht moralisht fajtor do të thotë të jesh i lirë të zgjedhësh mes të drejtës dhe të gabuarës. Por kjo zgjedhje bëhet shumë më e vështirë në kushtet e diktaturës.

Jo të gjithë mund të jenë të guximshëm dhe të sakrifikojnë jetën dhe jetesën për të bërë gjënë e duhur.

Pushtimi i Ukrainës ishte përpjekje e tij idiosinkratike për të ‘rikrijuar’ Rusinë. Nuk ka gjasa që diçka e ngjashme të kishte ndodhur pa të në pushtet.

Putini, në fund të fundit, e kishte mohuar vazhdimisht se ai po planifikonte të pushtonte. Kjo është arsyeja pse shumë prej trupave ruse në Ukrainë nuk dukej se fillimisht e kuptonin se po hynin në një zonë lufte.

Nëse një referendum për një pushtim të Ukrainës do të ishte mbajtur muaj më parë, rusët nuk do të kishin qenë shumë entuziastë. Lufta e Putinit gëzon mbështetje të konsiderueshme popullore tani, por kjo sepse është tepër vonë për të imagjinuar një alternativë tjetër.

Lufta është një fakt i kryer. Nëse rusët dëshirojnë të vazhdojnë të jetojnë në vendin e tyre, përshtatja me këtë realitet të ri është alternativa më e mirë.

Rusët mund të jenë unikë, ashtu si të gjithë popujt, por kjo nuk do të thotë se ata janë unike të këqij.

Ose, për ta thënë ndryshe, është e vështirë të jesh i mirë nëse jeton nën një regjim autoritar.

Teksa lufta vazhdon dhe ndjenjat anti-ruse rriten, tundimi për të parë popullin rus si autorë dhe jo si viktima rritet gjithashtu. Por edhe ata janë viktima, sepse atyre u është hequr gradualisht statusi i tyre si njerëz të lirë moral.

Udhëheqësit autoritarë synojnë të implikojnë njerëzit e tyre në krimet e tyre. Nëse përgjegjësia shpërndahet në të gjithë popullsinë, po ashtu shpërndaher edhe faji.

Të refuzosh Putinin do të thotë të mohosh vetveten.

Kjo tregon po ashtu dallimin kryesor midis autokracive dhe demokracive që Presidenti Joe Biden ka theksuar në fjalimet dhe deklaratat e tij. Diktaturat e lartësojnë kombin dhe udhëheqësin si qëllime përfundimtare, ndërsa individët e thjeshtë nuk kanë asnjë vlerë përveç shërbimit të tyre ndaj shtetit.

Të nxitur nga një logjikë e natyrshme e forcës dhe brutalitetit, regjimet autoritare – veçanërisht ato me iluzionet e madhështisë perandorake – kryejnë mizori me indiferencë.

Dhe ata marrin popullsinë e tyre me vete, me dëshirë ose pa dëshirë. Kjo i bën ata dyfish të rrezikshëm.

Është gjithashtu arsyeja pse lufta ka të ngjarë të jetë e gjatë. Si sisteme qeverisjeje dhe mënyra të organizimit të shoqërisë, demokracitë dhe diktaturat janë të papajtueshme.

Në një botë më të mirë, bashkëjetesa mund të ishte e mundur. Por kjo nuk është më bota në të cilën jetojmë.

Shadi Hamid është një shkrimtar në The Atlantic, bashkëpunëtor në Institutin Brookings dhe asistent profesor kërkimor i studimeve islame në Seminarin Fuller. Ai është gjithashtu bashkëthemelues i Wisdom of Crowds, një podcast dhe platformë debati.

Burimi: The Atlantic

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

Pse lëvizja mund të rrisë tensionet mes dy vendeve

SHBA zhvendos sistemin raketor Typhon pranë Kinës

Gratë snajperiste poshtëruan iranianët

Kush fshihet pas Kupolës së Hekurt?

Pse “dragoi” ka në dorë rrjedhën e luftës?

Rusia mund të tërhiqet nga Ukraina, falë Kinës

Teherani kërcënon me një armë të re

Hakmarrja e Izraelit ndaj Iranit nuk do të vonojë

Franca dhe Gjermania dalin jashtë loje

Veriu i Evropës merr në dorë “frenat” e NATO-s