Ende mbeten mister autorët dhe arsyet që çuan në sulmin me sende të forta ndaj Kancelarit të Gjykatës së Elbasanit.
Ledio Sulkuqi u sulmua me leva hekuri mbrëmjen e së dielës në lagjen muze të qytetit.
Ndonëse Policia e Elbasanit ka dyshime se sulmi ndaj zyrtarit ka ndodhur për shkak të detyrës, ai nuk ka bashkëpunuar me hetuesit, duke deklaruar se nuk i njeh autorët dhe nuk i di arsyet.
Refuzimi i 51-vjeçarit për të folur mbi ngjarjen bën që policia e Elbasanit të mendojë se ai ka njohur dy personat që e kanë qëlluar, ose e di mjaft mirë nga i ka ardhur goditja.
Gjithsesi, Policia e Elbasanit nuk përjashton pistën që Kancelari të jetë qëlluar edhe për arsye personale ndaj është duke vijuar hetimet edhe në këtë drejtim. Fillimisht, grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë, ndonëse ndriçimi me led në lagjen muzeore e bën të vështirë identifikimin e dy agresorëve.
Disa persona janë shoqëruar për ngjarjen gjatë ditës së djeshme dhe pasi janë marrë në pyetje janë lënë të lirë.
SI NDODHI SULMI
Një burim, i cili ka parë nga afër ngjarjen mbrëmë, sqaron për gazetën “Panorama” se dy personat kane parkuar mjetin në hyrje të rrugës “Egnatia”.
Me hap të shpejtë kanë arritur 51- vjeçarin dhe kanë nisur ta godasin menjëherë me mjete të rënda në kokë dhe trup, duke i lënë plagë të rënda.
Më pas, me shpejtësi i janë drejtuar mjetit, duke u larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Në këto momente, Sulkuqi është dëgjuar të rënkojë “Oh, moj nëna ime”.
Duke dashur t’i shpëtojë kalimtarëve, pasi është banues në lagjen “Kala” i gjakosur është ngritur në këmbë dhe është fshehur në rrugicën më të afërt ku gjatë ditës së djeshme kishte ende gjurmë gjaku.
Gjendja e rëndë shëndetësore ka bërë që ai t’i drejtohet spitalit të Elbasanit për mjekim, ku raportohet se pas marrjes së ndihmës mjekësore është jashtë rrezikut për jetën. Ka qenë Spitali i Elbasanit, i cili ka njoftuar Policinë.
NGJARJA
Kancelari i Gjykatës së Elbasanit ka rënë pre e dhunës barbare gjatë mbrëmjes së të dielës. Sulkuqi u qëllua me leva sapo doli nga një bar-kafe rreth orës 20:30 minuta të darkës.
Sulkuqi është goditur disa herë me levë në trup, duke marrë plagë të rënda. Për ironi të fatit, ngjarja u regjistrua rreth 150 metra larg Drejtorisë së Policisë dhe pavarësisht këtij fakti, sulmuesit nuk janë trembur se mund të arrestohen.
Në momentin e ngjarjes, zyrtari i lartë i Gjykatës ishte drejtuar për në lagjen muzeore, kur të paktën dy persona i kanë zënë pritë dhe e kanë sulmuar me sende të forta.
Në momentin e sulmit, Sulkuqi ka qenë i vetëm në rrugë. Pasi është goditur disa herë me levë, zyrtari i lartë i Gjykatës është transportuar me urgjencë në drejtim të Spitalit Kirurgjik të Elbasanit, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë dhe po punon për identifikimin e autorëve.
Sulkuqi është dërguar në spital për marrjen e mjekimit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Kanë qenë kalimtarët e rastësishëm në rrugë ata që kanë njoftuar forcat e rendit, të cilat kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ku kanë nisur hetimet.
“Më datë 10.04.2022, rreth orës 22:30, në lagjen ‘Aqif Pasha’, Elbasan, në rrethana ende të paqarta, është goditur me sende të forta në kokë shtetasi L. S., 51 vjeç, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Elbasan, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, tha shkurtimisht Policia.
Ende nuk dihen arsyet e sulmit me sende të forta ndaj Sulkuqit dhe nëse kjo lidhet me detyrën e tij si Kancelar i Gjykatës së Elbasanit. Policia tha se ka nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen dhe për identifikimin e arrestimin e autorëve.