MENU
klinika

SPAK “shkrin” pikën doganore të Morinit

Si ranë në rrjetën e përgjimit policët e kufirit

09.04.2022 - 09:57

Pak javë më parë, Policia e Shtetit e Kosovës ndërmori një operacion ku goditi policë dhe doganierë në të dyja anët e kufirit.

Ata thanë se kishin fakte dhe prova të mjaftueshme për të mbajtur në qeli personat-zyrtarë që ishin përfshirë në ryshfet dhe në lejimin e mallrave kontrabandë, deri edhe në lejimin e kalimit të një sasie prej rreth gjysmë toni kanabis.

Alarmi i ardhur prej tyre për të gjitha pikat kufitare që lidhnin dy vendet tonë vunë në lëvizje edhe ekspertët e përgjimit dhe të vëzhgimit në SPAK dhe në SHÇBA, të cilët morën aksione serioze për të bërë të mundur kapjen “mat” të efektivëve kufitarë.

Dhe në fakt ndodhi! Janë me qindra foto dhe video, ku Polica dhe SPAK pretendojnë se kanë mundur të filmojnë momente që i implikon thuajse të gjithë skuadrën kufitare mes dy vendeve, duke marrë ryshfet për kalim mallrash dhe për kalim të personave që në vendin tonë ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale.

SPAK e njoftoi operacionin me anë të një njoftimi zyrtar, ku bëri me dije se janë 15 efektivë të vënë në pranga me masën e sigurisë arrest me burg dhe një tjetër i shpallur në kërkim me këtë masë.

Nga urdhër arrestet e lëshuara prej Prokurorisë së Posaçme, 12 efektivë janë lënë në arrest shtëpie, ndërsa janë pezulluar 4 të tjerë. SPAK thekson se janë edhe dy qytetarë të përfshirë në këtë listë, të cilët kanë marrë masën e arrestit shtëpiak.

NJOFTIMI I SPAK

Sipas të dhënave zyrtare, 15 punonjës Policie janë të arrestuar dhe 4 të tjerë të pezulluar. Ky është bilanci i operacionit të ndërmarrë nga SPAK dhe Policia e Kosovës në pikën kufitare. Ndër të tjera, për 14 të tjerë, qytetarë të thjeshtë, apo punonjës policie, është kërkuar masa e arrestit në shtëpi.

Në përfundim të hetimeve disaditore, SPAK njoftoi se janë dokumentuar 312 episode të veprimeve korruptive të punonjësve të Policisë.

Mësohet se procedimi penal nisi pas kallëzimit nga SHÇBA mbi dyshime për përfshirjen e disa prej punonjësve të Policisë në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë në veprimtari të paligjshme për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Kontrabandës me mallra, për të cilat paguhet akcizë”, si dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” etj.

“Gjatë hetimeve është dokumentuar veprimtaria e kundërligjshme e punonjësve të Policisë së Shtetit, në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës, gjatë kohës së kryerjes së shërbimit në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë, Kukës.

Veprimet e kundërligjshme konsistonin në rastet të shumta korruptive të kryera në vijimësi gjatë ushtrimit të detyrës nga e këtyre punonjësve, duke detyruar shtetas shqiptar dhe të huaj që të paguanin shuma të ndryshme parash për kalimin nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas”, thekson SPAK.

Prokuroria bën me dije se janë siguruar prova se në pikat tona kufitare janë përfituar deri në 8 mijë euro në ditë në sajë të lejimit të kalimit të mallrave dhe të personave me mungesë dokumentacioni e deri persona me rekorde kriminale.