MENU
klinika

Sarandë

Tentoi të vidhte një grua, lirohet pas 10 muajsh 45-vjeçari

02.04.2022 - 11:04

Jorgo Kumaraku alias Leonard Kumaraku, 45 vjeç, një grabitës serial, ka lënë qelitë e paraburgimit të Sarandës tre ditë me parë. Gjyqtari Alban Veçani pranoi kërkesën e tij për shuarje të masës së sigurimit “Arrest në burg” pasi kishte kaluar afatet e vuajtjes së dënimit. Konkretisht në 11 janar Gjykata e Sarandës e dënoi atë në total me 1 vit e 4 muaj burg, pas aplikimit te gjykimit të shkurtuar për veprat penale “kanosje” dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta”, por duke e shpallur të pafajshëm për “vjedhje me dhunë”.

Ai u arrestua në 9 maj të një viti më parë, pas denoncimit të punonjëses së një agjencie sigurimesh në Sarandë. Ajo ishte duke tërhequr para në një bankomat mbi shëtitoren e qytetit kur pranë saj u afrua Kumaraku me një thikë në dorë duke i kërkuar para, por që më pas iku pa e realizuar planin e tij, ndoshta duke vënë re praninë e kamerave të sigurisë.

Shkak për lirimin e Kumarakut në 30 mars është bërë fakti që kohëzgjatja e paraburgimit të vuajtur është më e gjatë se dënimi i caktuar me Vendimin nr. 23-2022-10 datë 11.01.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë.

Jorgo Kumaraku, 45 vjeç është një person me precedentë të penalë, i dënuar më parë për vjedhje, por dhe për trafik droge. Në vitin 2007 ka grabitur duke kërcënuar me armë lodër punonjësen e kazino “Perla” ne Sarandë, ngjarje për të cilën është dënuar me 5 vjet burg.

Në vitin 2008 i është gjetur në qeli një celular, për të cilin ka dhënë deklaratë të rreme sikur e kishte futur në qeli një polic i paraburgimit Sarandë. Ky i fundit u arrestua, por u la i lirë pasi u zbulua gënjeshtra e Kumarakut, duke bërë që ky i fundit të dënohej me 6 muaj burg.
Në shtator 2013 me një pistoletë lodër dhunoi dhe grabiti punonjësen e kazino “Admiral” ne Sarandë. Një dite pas ngjarjes së Sarandës, dhunoi dhe grabiti me pistoletë lodër punonjësen e një kazinoje tek Ura e Lumit në Gjirokastër.