Cristiano Ronaldo është rikthyer fuqishëm për Manchester United, duke shënuar të tre golat në fitoren 3-2 kundër Norëich. Sulmuesi portugez u është përgjigjur të gjithë skeptikëve, për më tepër, skuadra afrohet për në zonën Champions.
Pesë herë fituesi i Topit të Artë e nisi spektaklin e tij në minutën e shtatë të ndeshjes kur shënoi pas asistimit nga Elanga. Në minutën e 32-të portugezi e shënoi edhe golin e dytë. Kësaj here ai u asistua nga Alex Telles.
Krejt në fund të pjesës së parë, Dowell e ngushtoi epërsinë e vendasve, pas asistit nga Pukki. E ky i fundit e shënoi golin e barazimit në minutën e 52-të të ndeshjes, ndërsa Dowell ia ktheu nderin, duke i asistuar.
Në minutën e 76-të, Cristiano Ronaldo shënoi nga gjuajtja e lirë duke e kompletuar hat-trikun dhe duke i dhënë fitore të rëndësishme “Djajve të Kuq”. Me këtë triumf, tani Manchester United shkon në vendin e pestë me 54 pikë, tri më pak se Tottenham në vendin e katërt.
Southampton mori një fitore të madhe në sfidën në shtëpi përballë Arsenalit, ku triumfuan me rezultatin minimal 1-0. Titullar në këtë sfidë ishte dhe sulmuesi shqiptar, Armando Broja, që ishte një problem më shumë për mbrojtjen e ‘Topçinjve”.
Kështu, Arsenal i Artetës nuk përfiton dot nga humbja e Tottenham për t’u ngjitur në vendin e katërt që të dërgon në Ligën e Kampioneve.